Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump ka folur kundër ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha lidhur me pastrimin e parave.
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————–
Një artikull i portalit lexo.al, që ka marrë qindra pëlqime në Facebook, mban titullin “FLET Donald Trump sakaton Berishën: Pastrimi i parave, dhëndri i tij përfitoi miliona!.”
Titulli i mësipërm dukshëm synon të përftojë klikime duke tërhequr interesin dhe vëmendjen e publikut me një lajm befasues në një kohë kur kreu i Partisë Demokratike e ka quajtur zgjedhjen e Donald Trump si president “një mrekulli për Amerikën dhe për të gjithë botën.”
Megjithatë, ky lajm është i rremë.
Në brendinë e artikullit shpjegohet se bëhet fjalë për një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) mbi pastrimin e parave. Në të, përmendet hetimi i Berishës nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për korrupsion, krahas dënimit të ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
“Në vitin 2023 SPAK ndërmori veprime që përfshinin arrestime dhe sekuestrim të pasurive të ish-zyrtarëve të lartë. Në tetor SPAK njoftoi një hetim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i sanksionuar nga SHBA për korrupsion sipas parashikimeve të nenit 7031(c) të Aktit të Ndarjeve të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Përafërta 2021, për korrupsion nga i cili dhëndri i tij ka përfituar 5 milionë dollarë. SPAK arrestoi dhëndrin e Berishës për korrupsion dhe pastrim parash dhe i sekuestroi asetet. Në tetor gjykatat dënuan ish-ministrin e mjedisit Koka për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre, sepse një kompani i kishte paguar 1.47 milionë dollarë Kokës për punë të pakryera kurrë. Gjykata sekuestroi gjithashtu asete me vlerë 4 milionë dollarë.”
Raporti në fjalë është përpiluar në mars 2024, përpara se Donald Trump të merrte detyrën.
Kjo konfirmohet, çuditërisht, edhe nga vetë artikulli, në brendinë e të cilit shkruhet: “Sigurisht ky raport është hartuar nga administrata e Biden, pasi Berisha pretendon se me administratën e Trump do ta ketë ujë muhabetin.”
Megjithëse portali lexo.al ka abuzuar me titullin clickbait, përmendja e hetimit të Berishës nga SPAK në një raport të përpiluar gjatë administratës Biden është raportuar si goditje e Trump ndaj kreut të PD edhe nga një numër mediash dhe portaleshtë tjerashqipfolëse.