BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDollari nuk rrezikohet nga projekti CEDAR i Bankës Federale

Dollari nuk rrezikohet nga projekti CEDAR i Bankës Federale

Kriptomonedhat janë një mënyrë e re transaksioni që përpiqet të evitojë përshirjen dhe kontrollin e bankave shtetërore apo institucioneve të tjera tradicionale financiare në këmbimet mes bizneseve dhe individëve. Në shumë vende ato janë tashmë të rregulluara me legjislacion dhe akte normative që synojnë të mbrojnë konsumatorin nga skema të mundshme mashtrimi. Megjithatë, një postim i ndarë në Facebook ngre alarmin se është vetë Banka Federale e Rezervës së Nju Jorkut (NYIC) ajo që po prodhon një monedhë digjitale me qëllim dëmtimin e dollarit amerikan. Pretendimi përfshin gjithashtu edhe presidentin amerikan Joe Biden, në organizimin e këtij skenari ogurzi ndaj tregjeve globale.

“Urdhri Ekzekutiv i Joe Biden 14067 që autorizon krijimin e monedhës kibernetike të njohur si ‘Project Cedar’ kërkon të rrëzojë dollarin amerikan.” – shkruhet në postim, duke vijuar më tej :“Më 15 Nëntor 2022, disa nga bankat më të mëdha në botë ranë dakord për një plan të ri tronditës të quajtur ‘Project Cedar’ – një plan që mund të çojë në një përmbysje të plotë të dollarit amerikan siç e njohim ne”.

Postimi ka marrë 20 reagime dhe është rishpërnadrë nga persona të tjerë në rrjetin Facebook.

Verifikimet e mëtejshme tregojnë se projekti në fjalë nuk ka asnjë qëllim të ‘rrëzojë’ dollarin amerikan, sikurse pretendohet, por ai synon të përmirësojë pagesat ndërkufitare me teknologjinë e bllokut, që njihet si Blockchain. Dhe për momentin është në fazë ‘eksperimenti’.

Më konkretisht, më 10 nëntor të 2022, Qendra e Inovacionit të Bankës Federale të Rezervës së Nju Jorkut (NYIC) dhe Autoriteti Monetar i Singaporit (MAS) njoftuan ‘Projektin Cedar’, si një eksperiment të përbashkët për të përmirësuar efikasitetin e pagesave ndërkufitare bankare në valuta të ndryshme.

Më tej, në një material të gjatë të përgatitur nga Banka e Rezervës Federale në New Jork saktësohet se ‘Cedar’ po eksperimenton krijimin e një njësie digjitale për transaksionet mes bankave të ndryshme (wCBDC), e cila do të përdoret si një aktiv shlyerje i mbështetur nga teknologjia blockchain. Në këtë mënyrë, synohet homogjenizimi i transaksioneve në monedha të ndryshme dhe reduktimi i rrezikut të mosshlyerjes, një pikë kyçe e transaksionet ndërkufitare ndër-valutore.

Sipas NYIC ky projekt “nuk ka për qëllim të avancojë ndonjë rezultat specifik të politikave financiare si dhe nuk është një lëvizje e Rezervës Federale për emetimin e ndonjë monedhe wCBDC për publikun”.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img