BallinaPertejRrëfimi i tri grave ukrainase që po i mbijetojnë errësirës së luftës

Rrëfimi i tri grave ukrainase që po i mbijetojnë errësirës së luftës

Shkatërrimi i infrastrukturës energjetike në Ukrainë nga sulmet ruse, e ka bërë më të vështirë jetesën për popullin ukrainas. Tri gra, të cilat jetojnë në Ukrainë tregojnë për Faktoje si ka ndryshuar jeta e tyre, vështirësitë e krijuara nga mungesa e energjisë elektrike në këtë dimër të ftohtë dhe sfidat që duhet të kalojnë për të dërguar fëmijët në shkollë. Pavarësisht luftës, ato gjejnë forcën të shohin përpara dhe motivimin për ta vazhduar betejën e tyre për liri.

———————————————————————————

“Gjysma e infrastrukturës energjetike në Ukrainë është shkatërruar nga sulmet ruse, duke rrezikuar për t’u prekur nga sëmundjet apo vdekja miliona njerëz, teksa temperaturat po bien”, raportuan Kombet e Bashkuara më 13 dhjetor 2022.

Por, si është situata aktualisht në Ukrainë? Faktoje arriti të kontaktojë nëpërmjet rrjetit social Telegram, tri gra, të cilat jetojnë aktualisht në Ukrainë dhe po përballen çdo ditë me sfida mbijetese.

Svitlana Stretovych nga Kievi është njëra prej tyre. Ajo u bë nënë për herë të dytë më 19 shkurt 2022, pak ditë se të niste sulmi i Rusisë mbi Ukrainë. Gruaja rrëfen se kur e gjithë Ukraina u zgjua nga bombardimet ruse, ajo ishte zgjuar, duke ushqyer me gji foshnjen e saj. Më pas, me vajzën vetëm disaditëshe, ajo u detyrua të linte qytetin për arsye sigurie.

“Evakuimi në Ukrainën Perëndimore, ku shkuam në ditën e dytë të bombardimeve zgjati 26 orë. Gjatë kësaj kohe kam dalë nga makina vetëm një herë për disa minuta. Pjesën tjetër të rrugës mbaja në krahë fëmijën tim më të vogël. Në Lviv, i cili ndodhet në perëndim të Ukrainës, pashë për herë të parë nga dritaret një nga raketat e shumta të lëshuara nga ushtria ruse në Ukrainë. Në këtë moment ndihesh sikur je në një film, sepse nuk u beson syve se është një raketë e vërtetë”, shprehet ajo.

Lufta ka prerë në mes planet dhe ëndrrat e tyre, por kjo u jep forcë që të luftojnë edhe më shumë për fitore. Svitlana tregon se ka më shumë se një vit e gjysmë pa parë prindërit, nuk arriti t’i jepte lamtumirën gjyshes së saj të dashur dhe nuk ka asnjë informacion se çfarë i ka ndodhur dajës së saj.

Svitlana Stretovych me familjen e saj

“Por gjëja më e tmerrshme që përjetoj është vdekja e të dashurve apo miqve, familjarëve, studentëve të mi apo ish-të njohurve nga universiteti. Ata që vdiqën në këtë luftë dhe që i njihja, të gjithë ishin në të 20-t dhe 30-t e tyre. Shumica prej tyre kanë lënë familjet e tyre. Dhe sa herë që hap rrjetet sociale, tronditem me çmimin që paguajmë çdo ditë për të qenë një vend i lirë në botën e sotme të qytetëruar!

Në fund të ditës, nuk e dimë me siguri nëse do të na duhet ora me zile që kemi vendosur për mëngjes, apo nëse lufta do të na zgjojë. Nëse ka bombardime masive, e gjithë familja jonë fle në korridor, në dysheme”, rrëfen ajo për Faktoje.

Një tjetër problem shqetësues me të cilin po përballet populli i Ukrainës është mungesa e energjisë elektrike, për shkak të shkatërrimit të infrastukturës energjetike nga sulmet ruse.

“Është e vështirë pa energji elektrike, sepse ngrohja në banesën tonë varet nga energjia elektrike. Kur nuk kishim energji për disa ditë, unë dhe familja ime detyroheshim të flinim me dy palë rroba. Madje fëmijës i vendosja edhe kapuç në gjumë.

Ne përdorim sobë elektrike, kështu që kur nuk ka energji elektrike, detyrohemi që të gatuajmë me bombola gazi. Ne nuk kemi hipur në ashensor për më shumë se një muaj që të mos ngecim. Gjatë ndërprerjes së energjisë elekrike, nuk kemi as internet dhe është e pamundur të lexosh lajmet, të dish se çfarë po ndodh dhe është e pamundur edhe të punosh. Por, mungesa e energjisë elektrike nxjerr në pah vetëflijimin e ukrainasve, të cilët, pavarësisht gjithçkaje sjellin gjallëri në qytet, me dëshirën e madhe për të jetuar në një vend në paqe”, tregon nëna e dy fëmijëve.

Festa e Krishtlindjes pa energji elektrike në shtëpinë e Svitlanës, Ukrainë

Sirenat e alarmit janë prezente në çdo moment dhe sfida e frika më e madhe për Svitlana Stretovych është të dërgojë fëmijët në shkollë. Gruaja shprehet se djali i saj merr dy çanta kur shkon në shkollë, një me libra dhe tjetra hërben si çantë ‘emergjence’. Në çantën e shpinës së urgjencës ai ka ushqim, maskë dhe ujë, për çdo rast që i duhet të qëndrojë në strehat e mbrojtjes nga bombat.

“Të shkosh në shkollë tani është një sfidë e vërtetë. Në fillim të vitit shkollor vendosëm që djali ynë të studionte në distancë. Ai është 13 vjeç. Por cilësia e një studimi të tillë nuk është më e mira, sepse në Kiev ka ndërprerje të vazhdueshme të energjisë dhe alarme të vazhdueshme që ndërpresin procesin online.

Gjimnazi ku shkon djali nuk ka një vendstrehim për mbrojtjen nga bombat dhe nxënësit shkojnë në metro kur dëgjojnë sirenat e sulmit ajror. Së fundmi, ne e kthyem djalin me kohë të plotë në gjimnaz”, thotë Svitlana.

Viacheslav, një tjetër grua ukraiase me të cilën biseduam, jeton në Bucha. Ajo tregon si ka ndryshuar jeta e saj krahasuar me një vit më parë, ku tingujt e sirenave të alarmit janë kthyer në “muzikën” e tyre të përditshme.

“Për shumë ukrainas, duket ende jo reale që në vitin 2022 jetojmë vërtetë në kushte lufte. Gradualisht e kuptuam tashmë se Rusia dëshiron të na shkatërrojë si komb. Unë jetoj në Bucha afër Kievit dhe gjatë pushtimit rus në mars 2022, rusët vranë shokun tim të klasës, qëlluan disa nga fqinjët e mi (disa prej tyre thjesht po përpiqeshin të dilnin për të marrë ujë ose ushqim). 2022 ishtë viti më i vështirë në gjithë jetën time dhe e njëjta gjë për Ukrainën”, shprehet ajo.

Ditë Krishtlindjeje në Bucha (Ukrainë) pa energji elektrike

Ky dimër për të dhe familjen e saj do të jetë shumë i vështirë, jo vetëm për shkak të sulmeve, por edhe prej mungesës së energjisë elektrike. Gruaja tregon se janë përgatitur për t’i bërë ballë kësaj “lufte” energjetike, duke blerë pajisjet e nevojshme për të karikuar laptopët dhe për të mos shkëputur internetin. Përpos kësaj, Viacheslav thotë se ka edhe shumë nervozizëm mes njerëzve, pasi askush nuk e di kur do të rikthehet furnizimi me energji elektrike.

Një natë në Bucha (Ukrainë) pa energji elektrike, dhjetor 2022

“Sigurisht, ky dimër në Ukrainë do të jetë i vështirë. Por unë shoh që ukrainasit janë gati ta kalojnë atë, të gatshëm të ndihmojnë njëri-tjetrin. Gjëja kryesore është se asnjë nga ata që kam takuar nuk bën thirrje për bisedime paqeje me rusët ‘vetëm për të ndaluar ndërprerjet e energjisë elektrike’. Të gjithë janë gati të mbijetojnë këtë dimër të vështirë. Gjëja kryesore është se ne jetojmë të lirë dhe pa rusët. Dhe gjëja tjetër e rëndësishme është fakti që ushtria ukrainase vazhdon të operojë me sukses në vijën e frontit gjatë kësaj kohe. Do të jetë e vështirë, tashmë është e vështirë, por ne do të mbijetojmë. Dhe ne do të fitojmë”, thotë Viacheslav.

“Lufta” për të gjetur energji për të karikuar pajisjet elektronike

Lufta e detyroi Viacheslav që të ndahet nga familja.Për të ishte dhimbje e madhe që e bija të festonte ditëlindjen e ndarë nga nëna.

“Pasi Rusia nisi bombardimet në infrastrukturën civile në tetor, mendova se familja ime do të ishte më e sigurt jashtë Ukrainës. Është e vështirë të përshkruash ndjesinë kur dëgjon paralajmërimin zyrtar për raketa dhe mendon se fëmija yt është në rrezik në çdo moment. Për këtë arsye, në nëntor familja ime u nis për në SHBA, nën një program të veçantë për ukrainasit. Kështu që ne jemi të ndarë dhe ditëlindjen e vajzës sime e festuam të ndarë. Ishte një festë shumë e trishtuar, por ndihem e lehtësuar që ata janë të sigurt”, shprehet e emocionuar ajo.

Një vit para se të niste lufta, Olha Boravlova, nënë e divorcuar e tre fëmijëve kishte një karrierë të shkëlqyer dhe biznes të suksseshëm. Ajo punonte si producente, skenariste, kryeredaktore dhe kishte një jetë plot dinamika dhe gjallëri. Mirëpo, ajo tregon se gjithë jeta e saj u shkatërruar pas 24 shkurtit të këtij viti. Situata e rënduar në vend e detyroi fillimisht të largohej nga vendi bashkë me tre fëmijët.

Olha Boravlova dhe 3 fëmijët e saj

“Rruga ishte ferr, si për të gjithë ukrainasit! Fëmijët flinin në dysheme nën këmbët tona, sepse makina ishte e mbingarkuar me njerëz dhe sende, nuk kishe ku të vendosje këmbën. Më pas morëm një autobus për në Gjermani. Një shofer i zemëruar refuzonte të bënte ndalesa për të shkuar në tualet dhe fëmijët duhet të kryenin nevojat personale në dyshemenë e autobusit”, thotë Olha Boravlova.

Mirëpo, përshtatja për të në një vend të huaj ishte e pamundur, pasi zemra dhe mendja e saj ishin në Ukrainë. Ajo vendosi të kthehej në atdheun e saj, bashkë me 3 fëmijët.

“U ktheva në Ukrainë, ku ka luftë, me tre fëmijë. Dhe këtu në Ukrainë ka sulme ajrore të vazhdueshme, sulme me raketa, kërcënim për jetën. Dhe tani është ftohtë dhe errësirë. Kam nisur t’i rikthehem jetës normale dhe fëmijët janë rikthyer sërish në kopsht”, kujton ajo.

Nëna e tre fëmijëve jeton në Bucha pranë Irpin, ku sirenat e alarmit janë pjesë e pandarë e përditshmërisë së tyre.

Olha Boravlova dhe 3 fëmijët e saj

“Unë, si të gjithë ukrainasit, po zbulojmë gjithnjë e më shumë fakte historike se si paraardhësit tanë u abuzuan nga Rusia. Mësova se urrejtja nuk ka kufij dhe mund të jetë kolektive. Unë qaj gjatë gjithë kohës, si të gjithë ukrainasit.  Unë do të thosha që shqetësohem për fëmijët më shumë se nënat e tjera. Fëmijët e mi janë me baballarët e tyre dhe kur sirenat e alarmit nisin të bien, nuk mund të kontrolloj se çfarë ndodh me fëmijët. Dhe atje nuk ka vende strehimi për t’u mbrojtur nga bombat”, tregon ajo.

Në fund Olha e cila shpreson se kësaj lufte do t’i vijë fundi, ka edhe një ftesë për europianët që të vizitojnë Ukrainën, për të kuptuar mirësnë e këtij populli dhe identitetin e tij.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img