BallinaFaktometerE vërtetëDikur edhe kryeministri Rama planifikonte restaurimin e Teatrit Kombëtar

Dikur edhe kryeministri Rama planifikonte restaurimin e Teatrit Kombëtar

Në dëshirën 22-vjeçare të kryeministrit Rama, siç ai vetë ka konfirmuar këto kohë, për ta shembur ndërtesën e Teatrit Kombëtar, në fakt ka pasur një moment kur ai ka “ceduar”. “Faktoje”, duke marrë si pikënisje deklaratën e presidentit Ilir Meta, pak ditë më parë në Opinion, “ra në gjurmët” e një qëndrimi pro restaurimit të Teatrit Kombëtar nga ana e zotit Rama. Bëhet fjalë për këtu e 20 vjet më parë dhe tani që Teatri u shemb, ky qëndrim ka vetëm vlerën e një kundërthënieje të vetë kryeministrit.


I ftuar në emisionin “Opinion” më 25 maj, presidenti Meta deklaroi pozicionin e kryeministrit Rama në mbrojtje të Teatrit Kombëtar kur ky i fundit ishte Ministër Kulture.

“Në vitin 2000 ka qenë vendim i qeverisë Meta, kryeministër Ilir Meta, Ministër Kulture Edi Rama. Ai ka qenë për ta ruajtur dhe u bë ai vendim. – tha presidenti.

Zoti Meta i referohet vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 13 prill 2000, në kohën kur ai mbante detyrën e kryeministrit të vendit. Në vendimin që mban umrin 180, aksi qendror dhe qendra historike e Tiranës shpallet “Ansambël monument-kulture”, sipas planimetrisë mbështetëse.

Në pikën 4 të këtij vendimi specifikohet që ndër të tjera, edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila në atë kohë drejtohej nga  zoti Rama. Kjo ministri në bashkëpunim me institucionet e specializuara, ngarkoheshin të realizonin projektin për ruajtjen dhe restaurimin e elementeve përbërës të ansamblit monument kulture.

Sipas planimetrisë që bashkëshoqëron këtë vendim, Teatri Kombëtar është një nga elementet përbërës të ansamblit, i shenjuar në hartë me numrin 32.

Më 10 prill të vitit 2000, vetëm pak ditë para shpalljes së vendimit, zoti Rama, në cilësinë e Ministrit të Kulturës ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion” për të folur mbi propozimin që i kishte bërë qeverisë për konservimin e qendrës së Tiranës dhe shpalljen e saj monument kulture.

“Përpjekja për ta futur këtë zonë në mbrojtje dhe për ta shpallur ansambël monumental në bazë të ligjit për pasuritë kulturore është një përpjekje e vonuar. Në këtë zonë të kryeqytetit për vite me radhë është bërë një barbari e vërtetë. Janë dëmtuar pjesë të këtij aksi ashtu sikundër shkëlqimi i saj ka humbur krejtësisht. Përpjekja për ta shpallur ansambël monumental është që në të të investohet, të bëhet restaurim i plotë i fasadave të ndërtesave, ndriçimit apo pllakave të bulevardit.” – shprehej zoti Rama.

Në atë kohë ai është ndalur edhe tek gradaçelat, të cilat sot, pas 20 vitesh janë bërë objekt i debatit publik për zonën e teatrit.

Ne mund të bëjmë ndërtime të reja, gradaçela etj, etj, por këto vlera kulturore nuk riprodhohen më dhe nuk përsëriten. Në to është identiteti ynë”- theksonte Rama në vitin 2000.

Në vitin 2002, këtë herë në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, zoti Rama e ndryshoi qëndrimin e tij mbi një nga ndërtesat e ansamblit monumental, pikërisht për Teatrin Kombëtar.

“Ideja që unë mbështes është kjo, që në rast se ne nuk na rezulton, dhe mua personalisht nuk më rezulton, që ne i kemi mundësitë që të ndërtojmë një teatër të ri. Pra, ta fillojmë me të ardhurat e buxhetit të shtetit. Atëherë do të zgjedhim, do të bëjmë një teatër të ri? Se këtu nuk jemi mbledh që a do ta shembim këtë apo jo, këtu jemi mbledhur që a do ta ngremë një teatër të ri apo jo.

Kemi truallin mbi të cilin ngrihet Teatri Kombëtar. Mund të kthehemi nga viktima dhe robër të kësaj ndërtese në pronarë mbi një truall.” – tha ai në emisionin Ajsberg.

Duke iu rikthyer ditëve të sotmë, më 12 maj të këtij viti, kryeministri Rama tha në një videokonferencë online me gazetarë se aspirata e tij për ta shembur teatrin datonte që në vitin 1998.

“Ai është një proces për të cilin unë jam shprehur, tanimë nuk e di sa vite u bënë. Jam njeriu i fundit që duhet të pyesni për të kërkuar ndonjë hap mbrapa. Jam i pari që e kam thënë qysh prej vitit të largët 1998-1999 që ajo godinë duhet shembur dhe Shqipëria duhet të ketë një Teatër Kombëtar të denjë për këtë emër. Mezi pres të shoh të ndërtohet Teatrin e ri Kombëtar. Pastaj të gjithë kanë të drejtën e opinionit”- tha ai.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img