Dy vite pasi dezinsektimi mungoi në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik i është rikthyer spërkatjes kundër mushkonjave. Programi Kombëtar i Dezinsektimit nisi në fillim të majit dhe pritet të zgjasë deri në tetor. Mirëpo, që spërkatja të prodhojë rezultat në ‘luftën’ me mushkonjat, ekspertët sugjerojnë që dezinsektimi të kryet në mars. Sipas ISHP, në Shqipëri janë të pranishme 43 lloje të ndryshme mushkonjash.

Esmeralda Topi

Ardhja e miliona turistëve në Shqipëri ka vënë në lëvizje autorietet që këtë vit t’i rikthehen dezinsektimit. Pas dy vitesh mungese, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur spërkatjen kundër mushkonjave në të gjithë vendin.

“Ky proces ka nisur në 2014, por nuk është kryer në 2021 dhe 2022.”, deklaroi gjatë një interviste televizive drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini. 

Këtë vit, Programi Kombëtar i Dezinsektimit nisi në fillim të majit në Shkodër dhe do të shtrihet në disa qarqe të vendit, deri në tetor.

“Ky proces është i rëndësishëm për të mbajtur nën kontroll dendësinë e popullatave të mushkonjave me qëllim evitimin e transmetimit të patogjenëve që ato mund të transmetojnë dhe për të ulur bezdisjen nga pickimet prej tyre.”, i tha Faktojes ISHP.

Por Tritan Kalo, një nga mjekët më të mirë infeksionistë, thotë për Faktoje se autoritetet duhet ta kishin nisur më herët dezinsektimin.

‘Fillimi i luftës ndaj tyre duhet të përkojë me Festimet e Ditës së Verës.’- thekson profesor Tritan Kalo.

Sipas tij, vendi ka nevojë edhe për dy procese të tjera që lidhen ngushtë me sëmundjet infektive.

“Dezinfektimi, Dezinsektimi dhe Deratizimi (DDD), janë të domosdoshme të kryhen kudo, sidomos në zonat bregdetare turistike.” – argumenton doktor Kalo.

Dezinsektimi privat

Fatos Cerenishti, pronar i Hotel ‘Fafa’ në Golem thotë se mungesa e vazhdueshme e dezinsektimit e ka detyruar që të planifikojë buxhet të veçantë për dezinsektimin.

Dhe e bëj jo vetëm për mushkonjat, por për të gjitha insektet. E përsëris vazhdimisht përgjatë gjithë sezonit.”, thotë ai.

Dezinsektimi kushton sipas Cerenishtit, por ai e sheh si proces të domosdoshëm për ecurinë e biznesit të tij.

“Është i kushtueshëm, por është i nevojshëm për ecurinë e biznesit. Jam lidhur me kompani pasi kërkon punonjës të trajnuar sepse janë helme.”

Prapavijë

Në maj të vitit 2014, Instituti i Shëndetit Publik nisi për herë të parë, pas më shumë se dy dekadash, operacionin për dezinsektimin e bregdetit shqiptar.

“Po ribëhet nga qeveria pas 23 vjetësh operacioni për dezinsektimin e bregdetit në prag të verës. #Turizëmpamushkonja”- shkruante asokohe kryeministri Edi Rama teksa përshëndeste rinisjen e procesit.

Pavarësisht burokracive të vogla, procesi i dezinsektimit të zonave bregdetare dhe urbane eci mirë deri në vitin 2020.

Në përiudhën 2021-2022 dezinsektimi mbeti peng i tenderave që nuk arritën të mbyllen në kohë, për shkak të procedurave ankimuese nga kompanitë pjesëmarrëse. Një histori e përsëritur edhe në vitin 2019, e cila ka përfunduar në SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, se ‘procesi i dezinsektimit ka nisur në 2014, por nuk është kryer në 2021 dhe 2022’,e kategorizojmë të vërtetë.

  • Lexoni më poshtë artikujt verifikues të Faktoje lidhur me mungesën e procesit të dezinsektimit në vitet 2021-2022.