BallinaFaktometerGjysmë e vërtetë30 ditë kaluan, çfarë po ndodh me spitalin e ri?!

30 ditë kaluan, çfarë po ndodh me spitalin e ri?!

Çfarë po ndodh me “spitalin e ri” të premtuar nga kryeministri Rama më 26 Mars. Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes sociale  refuzon të japë informacione dhe të kryejë transparencë duke shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin mbi të drejtën e informimit. Faktoje ka arritur të sigurojë disa foto, që tregojnë se në ambjentet e kësaj godinë po zhvillohen punime, por askush nuk pranon të japë specifikime.

————————————————————————————————————————————

Në datën 26 mars Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektuan ambientet e një ish-universiteti të cilat do të kthehen në  spital të ri për ata pacientë të prekur nga COVID-19, të cilët kanë gjendje shëndetësore të përmirësuar nga trajtimi në spital, por kanë ende nevojë të mbahen nën vëzhgim.

“Sfida është që për 30 ditë ta bëjmë spital. 30 ditë”!-kjo është deklarata që kryministri Rama tha gjatë inspektimit të ambienteve.

Pas më shumë se 30 ditësh, Faktoje në mënyrë të përsëritur ka kërkuar të marrë informacion nga zyra e shtypit në ministrinë e shëndetësisë por edhe nga koordinatori për të drejten e informimit. Por deri më sot nuk ka patur asnjë informacion.

“Faktoje” u përpoq të komunikojë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për të mësuar më shumë detaje mbi mënyrën sesi do të plotësohet ky spital me kapacitet e shtretërve dhe paisjeve të nevojshme.

Kanë kaluar 17 ditë që  nga dërgimi i këtij emaili dhe ne ende nuk kemi një përgjigje nga ky institucion.

“Faktoje” ndoqi përmes vëzhgimeve të vazhdueshme punimet që u kryen në këto ambiente.

16 prill 2020

22 prill 2020

Një ditë përpara përfundimit të afatit të deklaratës së kryeministrit në 24/04/2020 “Faktoje” shkoi përsëri pranë godinës e cila do të shërbejë si spital i ri dhe pamë se punimet vazhdonin ndërsa dhomat nga brenda ishin bosh.

Dy ditë pas përfundimit të afatit të dhënë nga Kryeministri Rama, “Faktoje” shkoi përsëri pranë ambienteve të këtij spitali por nuk u lejuam të futeshim brenda.

Kjo është largësia nga e cila mund të shikonim spitalin pasi forcat e  ushtrisë që ishin vendosur në hyrje nuk na lejuan të futeshim apo të fotografonin. Sipas tyre ishte dhënë urdhër që asnjë media të mos lejohej të futej brenda.

Po sipas tyre kjo ishte një gjendje emergjence dhe ajo konsiderohej zonë ushtarake. “Nuk ka asnjë mjek apo infermierë brenda, nuk ka aktivitet”-tha njëri prej ushtarëve i cili na ndaloi.

Ne u përpoqëm të komunikonim përsëri me Ministrinë e Shëndetësisë përmes zëdhënëses për shtyp, për ta pyetur se në çfarë faze ndodhej spitali i ri dhe nëse kishte filluar funksionin e plotë.

 

Edhe për këtë kërkesë nuk morëm asnjë përgjigje. Ende nuk dimë nëse spitali ka filluar aktivitetin apo sesa është kapaciteti i personelit mjekësor që do ta mbuloj këtë spital.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img