.

.

BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorDeklarata e Brnabiç për shqiptarët dhe narrativa që ‘ndezi‘ rrjetin

Deklarata e Brnabiç për shqiptarët dhe narrativa që ‘ndezi‘ rrjetin

Një deklaratë e nxjerrë nga konteksti e kryeministres serbe Ana Brnabiç ditën që u mbajt Forumi Strategjik në Bled të Sllovenisë, nxiti një valë reagimesh dhe gjuhë urrejtjeje në rrjet. Titujt bombastikë dhe përmbajtja e pasaktë që u shpërndanë ‘copy-paste’ në shumë portale dhe disa media në Shqipëri, e patën fillesën në një postim të deputetit shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi. Raportimet e publikuara, pa verifikuar më parë deklaratën vetëm sa i shërbyen narrativës nacionaliste dhe dizinformimit, në shkëmbim të klikimeve dhe në dëm të shoqërisë sipas ekspertëve të komunikimit.

Një deklaratë e kryeministres serbe në Forumin Strategjik në Bled në Slloveni, bëri që mediat në Shqipëri të “vlonin”, me tituj bombastikë.

“Bërnabiç: Mjafton që s`po ju vrasim, mos kërkoni të drejta! I kthehet Shaip Kamberi”, shkruan ‘Top Channel’ në fund të muajit gusht.

Burimi: Top Channel

Më tej në përmbajtjen e raportimit thuhet se për këtë informacion i janë referuar burimeve nga mediat në Kosovë.

Artikulli është shpërndarë në masë, edhe në mediat të tjera në Shqipëri, ku fraza kryesore që mediat nxirrnin në pah ishte “kërcënimi” i kryeministres serbe.

“Bërnabiç: Mjafton që s’po ju vrasim, mos kërkoni të drejta! Reagon deputeti shqiptar në Parlamentin serb”, shkruan ‘Gazeta Dita’ në një artikull që mban datën 30 gusht.

Burimi: Gazeta Dita
I njëjti artikull është publikuar edhe nga “Syri.net”, duke theksuar se kjo deklaratë e kryeministres Brnabiç është zbuluar nga deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

“Mos kërkoni të drejta, mjafton që s’po ju vrasim’, deputeti Kamberi zbulon mesazhin tronditës të Brnabiç”, raporton ‘Syri.net’.

Burimi: Syri.net

Ndërkohë, portali ‘Jeta Osh Qef’ nuk ka cituar asnjë burim informacioni, por thjesht ka pasqyruar atë që pretendohet se është një deklaratë e kryeministres serbe.

“Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim. Bërnabiç ka kërcënuar me jetë shqiptarët teksa ky mesazh ka ngjallur shumë reagime në Kosovë”, shkruan ‘JOQ’.

Burimi: JOQ

“Alarmante” është cilësuar kjo deklaratë edhe në disa kronika televizive, të cilat nuk citojnë asnjë burim mbi informacionin e shpërndarë.

“Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim”/ Alarmante deklarata e Brnabiçit”-shkruan NTV Televizion në një kronikë të publikuar në Youtube.

Burimi: NTV

Në përmbjatjen e raportimeve nuk ka asnjë referencë të deklaratës, si ndonjë sinkron të vetë kryeministres serbë Brnabiç në lidhje me deklaratën e pretenduar.

Si u përhap ky informacion në media?

Shkak për këtë lajm të shpërndarë masvisht në media duket se është bërë një deklaratë e deputetit të vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, zoti Kamberi ndër të tjera shkruan:

“Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim, ky është mesazhi të cilin shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nga Forumi Strategjik në Bled, e paska dërguar Ana Brnabiq, kryeministre e Serbisë.

Sipas Brnabiq, shqiptarët në Luginë të Preshevës, ‘paskan të drejta’ sepse askush si ‘vranë’, ndërsa Serbët në Kosovë jo, është vazhdimsi e politikës zyrtare të standardeve të dyfishta të Serbisë për trajtimin e pakicave, dhe mohimit të të drejtave elementare të pakicave brenda territorit të vet, ndërkohë që për pakicën e vet në Kosovë, tenton të ndërtojë standarde që nuk ekzisojnë në asnjë shtet tjetër.

Brnabiq, paska thënë se ‘shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk i qëllon askush”.

Postimi i Kamberit në Facebook

Mirëpo, nga ky publikim i shpërndarë në Facebook shihet se deklarata që bëri xhrion e mediave në fakt është një intepretim i deputetit shqiptar, mbi atë çka ka deklaruar kryeministrja e Serbisë në Forumin Strategjik në Bled.

Faktoje kontaktoi edhe zotin Kamberi në lidhje me këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje nga deputeti shqiptar.

Deklarata e Brnabic në lidhje me shqiptarët e Luginës së Preshevës

Faktoje bëri një kërkim online për deklaratën e kryeministres serbe Brnabiç dhe gjeti një video të publikuar në portalin Kosovo online  me përmbajtjen e deklaratës së Brnabic në lidhje me shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Intervista është dhënë në gjuhën serbe më 28 gusht, siç raporton portal, në ditën që mbahej forumi, jashtë sallës së aktiviteve. Në lidhje me zhvillimet në Luginën e Preshevës dhe Bujanoc, ajo është shprehur ndër të tjera: 

“Është e pamundur që dikush të qëllojë një shqiptar në Preshevë dhe Bujanoc dhe të mos përgjigjet për këtë. Është e pamundur që në dy vitet e fundit të kemi 400 sulme ndaj shqiptarëve dhe asnjë person të mos mbajë përgjegjësi”.

Mbi këtë deklaratë të kryeministres serbe, Faktoje kontaktoi edhe kolegët e verifikimit të fakteve të ‘Istinometer’ në Serbi. Ata sqarojnë se nga verifikimet që kanë kryer, rezulton se deklarata është nxjerrë jashtë kontekstit.

“Brnabic tha se nuk mund të ndodhte që dikush të vriste shqiptarë në Serbi pa u ndëshkuar për këtë”, sqarojnë kolegët e ‘Istinometer’.

Gjuha e urrejtjes e nxitur nga media

Nxjerrja jashtë kontekstit nga media e deklaratës së deputetit shqiptar shihet nga ekspertët e komunikimit si e rrezikshme, në rastin kur kemi të bëjmë me çështje kaq të ndjeshme.

“Zbërthimi politik i deklaratës që u bë nga një deputet shqiptar i Bujanovcit në Beograd, nuk është kaq sensacional sa titujt e portaleve, por shpjegimi i tij duhet parë në kontekstin që ai e ka zbërthyer.

Me këtë lajm mediat nuk bënë asgjë më ndryshe sesa nga lajmet e tjera, bënë ‘copy-paste’, një titull, siç bëjnë edhe me titujt e pandemive, armëve bërthamore e martesave të VIP-ave. E ripostuan pa mendime, për klikime. Është e rrezikshme ta kornizojme në idenë e keq-pasqyrimit të qëllimshëm, sepse kjo është serbe. Janë ujëra të turbullta”, sqaron ekspertja e komunikimit, Edlira Gjoni.

 Sipas ekspertes, një pasyrim i tillë ndikon edhe në përhapjen e gjuhës së urrejtjes.

“Portalet që shpërndajnë lajme me tituj bombastikë dhe përmbajtje të pavërtetuar, vuajnë nga mungesa e profesionalizmit dhe me apo pa ndërgjegjie përhapin gjuhë urrejtjeje për të tërhequr lexuesit. Kjo është praktikë e dëmshme si shoqërinë, ashtu edhe dhe debatin publik”, argumenton ekspertja.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img