BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI keqinterpretuar projekti i Bill Gates për groposjen e pemëve të thara

I keqinterpretuar projekti i Bill Gates për groposjen e pemëve të thara

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se Bill Gates do të presë pyjet amerikane në emër të mbrojtjes së klimës. Mirëpo, në të vërtetë, projekti që do mbështetet nga fondacioni i tij synon prerjen e pemëve të thara dhe groposjen e tyre.

——————————–

Bill Gates po fajësohet prej kohësh nga grupet “patriotike” në ShBA dhe në shumë vende të tjera se qëndron pas çdo zhvillimi të rëndësishëm në glob. Një prej këtyre akuzave është dhe ajo për ndikimin e fondacionit të drejtuar prej tij në ngrohjen globale. 

Bill Gates do të presë miliona pemë për ‘të shpëtuar tokën”-shkruan në 7 shtator një përdorues në Facebook, duke ironizuar faktin nëse kjo po bëhet vërtetë me qëllim të mirë për të shpëtuar planetin ku jetojmë.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Referuar informacioneve nga mediat e huaja, fondacioni i Bill Gates ka mbështetur së fundi një program të ri për të ndihmuar në luftimin e ndryshimeve klimatike, i cili përfshin prerjen e pemëve të thara dhe groposjen e tyre.

Një startup në Kaliforni po ndjek një plan të ri për të siguruar që pemët e thara të mbajnë dioksidin e karbonit jashtë atmosferës për mijëra vjet, duke bërë të mundur groposjen e mbetjeve të tyre nën shkretëtirën kaliforniane.

“Kodama Systems”, një kompani e menaxhimit të pyjeve me bazë në qytetin Sonora në ultësirën e Sierra Nevada (SHBA), ka mbledhur rreth 6.6 milionë dollarë nga fondi i klimës i Bill Gates, “Breakthrough Energy Ventures”, si dhe “Congruent Ventures” e investitorë të tjerë për të luftuar ndryshimet klimatike.

Një pjesë e vogël e grupeve kërkimore dhe startup-eve kanë filluar të eksplorojnë potencialin për të bllokuar karbonin në dru, duke groposur ose ruajtur ndryshe mbetjet e pemëve nëpërmjet mënyra që ngadalësojnë dekompozimin.

Pemët janë natyrisht efikase në thithjen e sasive të mëdha të dioksidit të karbonit nga ajri, por ato e lëshojnë karbonin përsëri kur thahen dhe kalben në tokë. Lëshimi I karbonit në atmosferë është provuar tashmë se ndikon në rritjen e temperaturave dhe fenomeneve të lidhura me ndryshimet klimatike.

Groposja e pemëve të thara dhe derivateve nga proceset e përpunimit të drurit nën tokë mund ta parandalojë këtë. Nëse kjo funksionon aq mirë sa shpresohet, mund të ofrojë një mënyrë relativisht të lirë dhe të lehtë për të hequr një pjesë të miliarda tonëve gaz serrë që studimet zbulojnë se mund të kenë nevojë të hiqen për të mbajtur nën kontroll temperaturat globale në dekadat e ardhshme.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img