Dy vite më parë, mazhoranca socialiste miratoi ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, duke hapur rrugën për ndërtim në territore që më parë kishin mbrojtje të plotë. Ky vendim u kundërshtua ashpër atëkohë nga PD (tani jo më), shoqëria civile dhe ekspertët e mjedisit, të cilët paralajmëruan se pas ndryshimeve fshihej një interes i madh investimesh.
Agjencia Bloomberg raportoi paralelisht se Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, kishte planifikuar të investonte rreth 1 miliard dollarë në dy projekte turistike në Shqipëri: një në ishullin e Sazanit dhe një tjetër në zonën e Zvërnecit.
Po atë ditë, Kushner publikoi në rrjete sociale imazhet e projekteve, duke konfirmuar ambicien për zhvillime masive në këto zona.
Për ekspertët e mjedisit, këto projekte ishin qëllimi i vërtetë i ndryshimeve ligjore, duke ngritur alarmin se hapja e zonave të mbrojtura për ndërtim rrezikon biodiversitetin dhe pasuritë natyrore të vendit.
Megjithatë “korrigjimet” në ligj për të prekur zonat e mbrojtura kanë nisur shumë më herët.
Faktoje ka shkruar ndër vite për këtë fenomen ku zona të tjera të rëndësishme si zona urbane e Ksamilit, plazhi i Manastirit, i Pasqyrave, i Pulëbardhave, apo Gjiri i Hartës nuk do të kenë më statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur kështu rrugën investimeve të mundshme.
Aeroporti i Vlorës është gjithashtu një rast tipik ku me ndryshimet e reja të hartës së Zonave të mbrojtura iu hap rruga ndërtimeve. Territori pranë fshatit Akërni ku është ngritur aeroporti u shpall në vitin 2004 Zonë e Mbrojtur e kategorisë së pestë, “Peizazh i Mbrojtur”.

Sot
Brenda 24 orësh me qendrime thuajse të sinkronizuara nga qeveria janë përcjellë dy informacione lidhur me atë që po ndodh në zonën e Pishë – Poros, pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë
E para që ka një leje zhvillimi (por jo ndërtimi) dhe ende pa leje mjedisore dhe e dyta që punimet po kryhen mbi një pronë private.
Rama
“Më vjen tani natyrshëm të them dhe për këtë zhurmën e madhe që është ngritur mbi një lajm të rremë sa s’thuhet, që me demek shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë se shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private, një pronë private denbabaden dhe investitorët e përfshirë në atë proces janë investitorë tejet serioz të cilët atë pronë e kanë marrë nga privatët, që të jemi shumë të qartë.
Ndërkohë që shteti po, shteti ka pasuri në anën tjetër të projektit që është ishulli i Sazanit ku ende sot nuk ka mbaruar negociata pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjese e projektit dhe shteti shqiptar do të jetë aty dhe toka e ishullit do të jetë aty, e shtetit shqiptar…”, ia behu për herë të parë kryeministri Edi Rama pas dy muaj debati dhe mungese informacioni nga institucionet shtetërore.
Lajmi i dytë po brenda 24 orësh për rastin në fjalë u përcoll një natë më parë në emisionin “Opinion”
Agjencia e Zhvillimit të Territorit
Artemis Poshi, përgjegjëse e Sektorit Juridik në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dha sqarime mbi statusin aktual të projektit dhe procedurat administrative që po ndiqen.
“Pranë autoritetit tonë janë paraqitur dy leje, e para është një leje zhvillimi. Dhe e dyta është një leje ndërtimi infrastrukture. Asnjëra nga këto leje nuk është zbardhur, pra nuk ka përfunduar procesi i shqyrtimit deri në përfundimin e të gjithë procesit administrative”.
Ka apo s’ka leje?
“Sot ka 2 leje të miratuara. Që janë, e para, leje zhvillimi. Dhe leja e zhvillimit përcakton të gjitha kriteret dhe kushtet e zhvillimit, zonën, pronën ku do të zhvillohet, dmth pasuritë ku do të zhvillohet, kushtet e zhvillimit. Dhe kemi një leje zhvillimi infrastrukture që përcakton kushtet paraprake, parapërgatitore, deri në ardhjen e lejes së ndërtimit”, tha Poshi.
Ajo sqaroi gjithashtu se leja e zhvillimit nuk konsiston në një projekt përfundimtar. “Pra ne kemi një projekt-ide, e cila është duke u shqyrtuar. Për shkak se zhvillimi është shumë i madh, kemi të bëjmë me një sipërfaqe totale të pronës rreth 2 milionë e 658 mijë metra katrorë. I gjithë zhvillimi kryhet në pronë private. Me certifikatë, të lëshuar nga autoriteti përkatës, që është Agjencia Shtetërore e Kadastrës, dhe ne si Agjenci kemi kryer korrespondencën dhe kemi marrë statusin aktual të këtyre pronave”.
A jepet leje në zonë të mbrojtur?
“Po, në bazë të ligjit që kemi sot në fuqi për zonat e mbrojtura, lejohet dhënia e lejeve të ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, me rregullore të veçantë, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat dhe kushtet, duke respektuar të gjitha kondicionet ekologjike, biodiversitetin që ka zona”, u përgjigj Poshi duke nënvizuar gjithashtu një detaj të rëndësishëm se aktualisht “nuk kanë administruar ende një leje mjedisore”.
Brukseli
Ndërkohë një muaj pas hyrjes së makinerive në brendësi të zonës së mbrojtur Pishë Poro–Nartë, Komisioni Evropian ka reaguar për herë të parë, duke e cilësuar rastin si një provë të kapacitetit të Shqipërisë për të ruajtur zonat natyrore në kuadër të integrimit. Në një përgjigje ekskluzive për Faktoje, KE thekson: “Komisioni Evropian po ndjek nga afër zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka kërkuar informacion shtesë nga autoritetet shqiptare dhe është në kontakt me organizatat e shoqërisë civile”, thekson KE për Faktoje.al
Ky qëndrim vjen në një moment kur kapitulli 27 për mjedisin dhe klimën është një nga kushtet më të ndjeshme të negociatave të Shqipërisë me BE. Komisioni rikujton se vendi duhet të përafrohet plotësisht me legjislacionin e BE-së, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitate, si dhe të shfuqizojë dispozitat e papajtueshme të ligjit për zonat e mbrojtura.
“Për të mbyllur kapitullin 27, Shqipëria duhet të demonstrojë kapacitetin për të menaxhuar zonat e ardhshme Natura 2000, përfshirë masat e ruajtjes që parandalojnë degradimin e habitateve dhe specieve”, përfundon reagimi i Komisionit Evropian.
Protesta
Të martën, përpara Ministrisë së Mjedisit, u mbajt protesta nga qytetarë, aktivistë dhe organizata mjedisore të cilën u mblodhën me thirrjen: “Ndaloni punimet!”
Protestuesit kërkuan ndërhyrjen e ministrit të mjedisit Sofjan Jaupaj, ndalimin e punimeve dhe transparencë për projektin e resortit turistik që do të ngrihet në brendësi të zonës.






