BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashCristiano Ronaldo nuk ka bojkotuar Izraelin në mbështetje të Palestinës

Cristiano Ronaldo nuk ka bojkotuar Izraelin në mbështetje të Palestinës

Një video po qarkullon online, duke pretenduar se tregon mbështetjen e Cristiano Ronaldos për Palestinën. Ylli i futbollit nuk është shfaqur publikisht për të mbështetur ndonjërën prej palëve në këtë konflikt.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se futbollisti portugez Cristiano Ronaldo po dëmton Izraelin dhe kompanitë izraelite, për të mbështetur Palestinën.

“Ronaldo është njeriu që e ka dëmtuar Izraelin apo kompanitë izraelite më shumë se ne të gjithë myslimanët, vetëm coca-cola u dëmtua mbi 4 miliardë dollarë. Nuk pranoi asnjëherë të ndërrojë fanellën me futbollistë izraelitë, përkundrazi njërin nga ta e quajti vrasës, nuk udhëtoi në Izrael, nuk dha asnjë intervistë për mediat izraelite”- shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Imazhi i yllit të futbollit, Cristiano Ronaldo po përdoret gjerësisht në rrjet, duke theksuar se ai mbështet Palestinën dhe për këtë janë publikuar një sërë videosh online.

Në pamjet e publikuara së fundmi, shihet Ronaldo teksa hedh mikrofonin e një gazetari apo duke hequr shishen e coca-cola që i është vënë para, gjatë një konference për media që ai po mbante.

Por, si është e vërteta e këtyre pamjeve dhe a kanë lidhje me Izraelin?

Pretendimet se ai rrëmbeu dhe hodhi mikrofonin e një gazetari izraelit janë të rreme. Video në fjalë i përket vitit 2016 dhe reporteri është portugez dhe jo izraelit. Kjo është verifikuar në një artikull edhe nga kolegët e AFP, ku dëshmohet qartë se video nuk ka lidhje me konfliktin aktual Izrael-Palestinë.

As video me largimin e shisheve të coca-cola, nuk ka të bëjë me konfliktin mes dy vendeve. Video i përket qershorit të vitit 2021 dhe Ronaldo njihet si njeri që bën një jetë të shëndetshme dhe në vend të pijeve me gaz, ai zgjedh gjithmonë ujin.

Gjithashtu, një sërë informacionesh të rreme ka pasur se ylli I futbollit ka dhuruar miliona euro për Palestinën. Një artikull i publikuar nga kolegët e “Associated Press” provoi se Cristiano Ronaldo nuk ka dhuruar para për palestinezët gjatë Ramazanit.

Veç kësaj, në video shfaqet edhe një pamje e Ronaldos me një shall me flamurin palestinez, duke u interpretuar kjo si një mbështetje e tij për krijimin e shtetit Palestinez. Verifikimet e kryera tregojnë se foto është shkrepur në vitin 2013 kur Ronaldo pozoi me disa delegatë nga Federata Palestineze e Futbollit në FIFA, të cilët mbanin mbi shpatulla shallin me ngjyrat e Palestinës dhe simbolin e Federatës. Burri në të djathtë në foto është Jibril Rajoub, presidenti i Federatës Palestineze të Futbollit.

Ronaldo gjithashtu ka takuar shumë politikanë izraelitë dhe në një rast, i ka dhuruar fanellën e tij z. Israel Katz, ministrit të Jashtëm të Izraelit në vitin 2019. Gjithashtu ai është takuar në 2011 me Shimon Presse, ish-presidentin izraelit.

Në një artikull të publikuar në muajin nëntor, Faktoje verifikoi një tjetër lajm të rremë në lidhje me Ronaldon, duke hedhur poshtë pretendimet se ai ishte shfaqur publikisht me një maskë me flamurin e Palestinës.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img