Pretendimi: Buka në Slloveni kushton vetëm 20 lekë, ndërsa në Shqipëri 5 herë më shumë
Verdikti: Mungon konteksti
Pretendimet e shpërndara online, se buka në Slloveni kushton 19 cent, nuk janë të sakta. Verifikimet tregojnë se një bukë mesatare atje kushton 1.71 €.
“Pula e fqinjit ngjan gjithnjë më e mirë se e jotja”. Kjo është shprehja që përshkruan më së miri vrullin me të cilin po ndahet në rrjetet sociale së fundmi një foto e një buke të bardhë në Slloveni, e cila pretendohet se kushton vetëm 20 lekë ose 19 centë Euro.
“Buka në Slloveni kushton 20 lekë, në Shqipëri 5 herë më shumë! Paga mesatare në Slloveni është 1800 euro, në Shqipëri 500 euro. Pra pagat 3.5 herë më të vogla, çmimet 5 herë më të shtrenjta!”- është teksti që shoqëron foton e një rafti të një dyqani buke. Të njëjtat postime janë ndarë njëkohësisht edhe në disa media dhe profile në Kosovë, duke krahasuar diferencën në çmimin e bukës dhe fajësuar kryeministrin Kurti.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pretendimeve, fillimisht duke analizuar foton. Nëse shohim me detaje, në foto dallohet vetëm etiketa me emërtimin “bela struca” pranë një flamuri slloven. Përkthimi në shqip i fjalës “bela struca” do të thotë bukë e bardhë. Mirëpo, nuk dihet nëse etiketa i përket produktit në foto që tregon peshën 1000 gramë, apo një porcioni buke më të vogël, që mund të jetë më lart në këtë raft.
Nga kërkime të mëtejshme në Google vihet re se “struca” nënkupton një copë apo pjesë buke, që në Shqipëri e njohim si panine. Pra, produkti i shfaqur në imazh me peshë 1 kg, jo domosdoshmërisht i përshtatet përshkrimit në etiketë.
Më tej, ne bëmë një tjetër kërkim, për të parë sa kushton një bukë në Slloveni. Nga të dhënat online shihet se një bukë 500 gramë atje kushton mesatarisht 1.71 €. Çmimi për bukën e prodhuar në supermarketin Spar në Slloveni kushton 1.19 € për kilogramë, që duhet t’i afrohet kufirit minimal të disponueshëm.
Pretendimet online se çmimi i bukës me peshë 500 gramë në Slloveni është 0.19 euro, nuk janë të sakta. Këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegët në Kosovë të “Hibrid Info”.
Ndërkohë, çmimi i bukës masive në furra të Tiranës është 100-120 lekë, në varësi të furrave. Në një verifikim të bërë dy vite më parë, Faktoje konstatoi se pesha e bukëve varionte nga 600 deri në 770 gramë, edhe pse në etikë shkruhej 1000 gramë.