Perceptimi i besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit ka pësuar rënie në dy vitetet e fundit, bazuar në raporte të Avokatit të Popullit, organizata të të drejtave të njeriut dhe nga vetë struktura në Ministrinë e Brendshme. Këto të fundit tregojnë për rritje të numrit të ankesave të qytetarëve kundrejt punonjësve të Policisë së Shtetit. Vrasja e 25-vjeçarit, Klodian Rasha në orët e para të 8 dhjetorit, edhe pse përgjegjësi individuale e efektivit të forcave “Shqiponja”, ngjalli regim e kundërshti e cila mund të përkeqësojë perceptimin e përgjithshëm mbi Policinë e Shtetit.
“Policia e Shtetit është një nga struktura e shtetit që gëzon një besim të lartë publik dhe sipas sondazheve policia renditet në krye të institucioneve të besueshmërisë publike”- shprehej ministri Brendshëm, Lleshaj më 13 janar, teksa fliste në përurimin e repartit RENEA.
Por, sipas sondazhit të realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, me mbështetjen e UNDP Albania, për vitin e kaluar, vetëm 55 për qind e të anketuarve shprehën besimin për Policinë e Shtetit, duke shënuar një rënie me 3 për qind nga viti paraardhës.
“Në 2019, institucionet vendase që morën vlerësime të larta besimi9 nga më shumë se gjysma e të anketuarve janë: institucionet fetare (65.6%), forcat e armatosura (59.4%), institucionet e sistemit arsimor (57.3%), organizatat e shoqërisë civile (56.3%), policia e shtetit (54.6%)” , thuhet në raportin e IDM.
Pra, publiku më së shumti sipas sondazhit ka besim në institucionet fetare, Forcat e Armatosura, institucionet arsimore, shoqërinë civile, e pastaj Policinë e Shtetit.
Një tjetër e dhënë që në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nxjerr në pah pakënaqësinë e publiku ndaj Policisë së Shtetit, është numri i ankesave ndaj punonjësve të saj.
145 ankesa për shkelje të të drejtave nga strukturat ose punonjësit e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit në Avokatin e Popullit për vitin 2019, kryesisht lidhur me:
- keqtrajtime fizike ose psikologjike në momentet e arrestimit, shoqërimit apo gjatë marrjes në pyetje në organet e policisë;
- trajtim jo human e dinjitoz në mjediset e organeve të policisë
- shoqërime të paligjshme apo mbajtje në gjendje shoqërimi tej afatit ligjor;
- mos marrje, mos administrim ose mos ndjekje e kallëzimeve apo ankesave të bëra prej tyre;
- pengim i ushtrimit të të drejtës kushtetuese të tubimeve;
- dëmtim i shëndetit të qytetarëve nga gazi lotësjellës i hedhur gjatë tubimeve;
Më shumë se 1,700 ankesa u depozituan në Shërbimin e Çështjeve të Brendshme lidhur me veprimtarinë e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë vitit 2019.
Nga ankesat e depozituara në SHÇBA, 3 punonjës policia rezultuan se kishin konsumuar vepër penale, ndërsa 215 të tjerë kanë rezultuar me shkelje administrative, sipas këtij shërbimi.
Edhe gjatë viti 2020, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme raporton për rritje të rasteve të ankesave të qytetarëve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.
“Vihet re se gjatë periudhës janar-shtator 2020 ka një rritje me 36 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.” – thuhet në raportin e Ministrisë së Brendshme, referuar ankesave të qytetarëve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.
Si është “rrudhur” besimi te Policia e Shtetit në dy vitet e fundit?!
Përdorimi i gazit lotsjellës dhe në disa raste i dhunës nga Policia e Shtetit, gjatë protestave të organizuara nga opozita, banorët te Bregu i Lumit, Astiri apo Teatri Kombëtar duket se kanë “kontriubuar” në uljen e perceptimit të besimit të qytetarëve ndaj Policisë së Shtetit.
Në prill të vitit 2019, policia e shtetit përdori gaz lotsjellës për të thyer rezistencën e banorëve të disa shtëpive në Bregun e Lumit në Tiranë, të cilët kundërshtuan shembjen e shtëpive të tyre. Në nëntor 2019, nën gaz lotsjellës përfunduan banorët e Unazës së Re. Në maj të vitit 2020, gaz lotsjellës e madje dhunë u ushtrua edhe mbi protestuesit të cilët kundërshtonin prishjen e Teatrit Kombëtar.
Në raportin e Komisionit Europian të muajit tetor 2020 thuhet: “Zbatimi efektiv i rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga administrata publike duhet të jetë më sistematik”
Raporti i Komisionit Europian dikton edhe raste të dhunës së punonjësve të medias nga Policia e Shtetit.
“Disa gazetarë u dëmtuan, ndërsa u kapën midis protestuesve dhe policisë gjatë protestave të opozitës në rrugë. Një gazetar u rrah ndërsa raportonte për një operacion policor në Dibër. Policia kërkoi falje për atë që e konsideroi aksident.”- thuhet në raportin e Komisionit Europian.
Lidhur me vrasjen e të riut, 25-vjeçarit, Klodian Rasha, Komiteti Shqiptar i Helsnkit kërkoi hetim objektiv të ngjarjes.
“Është e rëndësishme të kuptohet se roli i policisë nuk është të ndëshkojë ose të sanksionojë keqbërjen apo shkelësit e ligjit. Efektivët e policisë, gjatë detyrave të tyre, mund të hasin në individë të cilët kanë qenë të përfshirë në sjelljet më të dënueshme. Sidoqoftë, roli i policisë është të hetojë dhe të paraqesë të dyshuarit para autoriteteve përgjegjëse të drejtësisë. Nëse policia përpiqet të ndëshkojë shkelës të dyshuar përmes përdorimit të forcës, minohet themeli i shtetit të së drejtës” – thuehet në një reagim të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.