EDIT NIKOLLI
Menaxhimi i mbetjeve në Tiranë mbetet ende një sfidë, edhe pse katër vite më parë u ndërmor nisma për diferencimin e tyre në burim. Sot kjo nismë rezulton e dështuar. Edhe pse pranohet nga institucionet shtetëtore dhe ato ndërkombëtare si hallka e fundit për t’u ndërmarrë, incenirimi duket se ka mbetur zgjidhja më efikase, e cila “peshon” rëndë në xhepat e taksapaguesve.
Do fusim konceptin e riciklimit dhe ndarjes së mbetjeve, do sjellim fillimin e një kulture të re, ku publikja nuk shihet si diçka e shtetit po shihet si një gjë që menaxhohet mirë ndonjëherë siç është rasti i mbetjeve në Tiranë, ndoshta menaxhohet dhe më mirë sesa privati – deklaroi kryetari i Bashkisë Erion Veliaj gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me kryetarin e Bashkisë së Veronas në Itali, Flavio Tosi.
Procesi i menaxhimit dhe diferencimit të mbetjeve në burim në Tiranë do kryhej nga kompania EcoTirana, e formuar në muajin qershor të viti 2016 me kapital fillestar një milionë euro, me ortakë 51 për qind Bashkinë Tiranë dhe 49 për qind kompaninë italiane “AGSM Holding Albania”. Kjo e fundit është në pronësi të AGSM dhe AMIA, dy ndërmarrje bashkiake të kontrolluara nga Bashkia e Veronës.
Kontrata u lidh me një afat 25 vjeçar dhe nëpërmjet saj synohej që të zgjidhej problemi i mbetjeve në Tiranë, duke i dhënë të drejtën ekskluzive kompanisë “Eco Tirana” për shërbimin e pastrimit të qytetit.
Me qëllim garantimin e diferencimit të mbetjeve në burim u vendosën edhe kazanë mbeturinash të veçantë.
Katër vite më pas, nisma nuk prodhoi rezultatet e pritshme!
Mjafton një vëzhgimi në terren për të konfirmuar se nisma për diferencimin e mbetjeve në burim, jo vetëm që nuk prodhoi rezultatet e pritura, por mund të konsiderohet i dështuar.
Dështimi në diferencimin e mbetjeve në burim i atribuohet sa qytetarëve, aq edhe kompanisë “Eco Tirana” e cila menaxhon mbetjet.
Ndonëse mbetjet mund të menaxhohen në kazanë, ato gjithsesi bashkohen në momentin që merren nga makina e dedikuar për transportin e mbetjeve deri në landfill.
Me dështimin e diferecimit të mbetjeve në burim, duket se ka dështuar edhe nisma për shmangjen e ricikluesve informalë.
Nga Policia Bashkiake Tiranë rezulton se në katër vitet e fundit janë konstatuar rreth 500 raste dhe janë vendosur gjoba me vlerë 1,7 milionë lekë ndaj ricikluesve informalë.
Nga ana tjetër bashkia thotë se ka punësuar persona nga komuniteti rom dhe egjiptian në projektin e riciklimit të mbetjeve.
Ju informojmë se në bashkpunim me UNDP dhe ECO Tiranën është realizuar projekti “derë më derë” ku arrihet të punësohen me kontratë 1 vjeçare 70 individe nga komuniteti Rom dhe Egjyptian – thuhet në përgjigjen zyrtare të bashkisë.
Megjithatë nga verifikimi në terren, numri i personave që ‘punojnë’ madje edhe të organizuar, në mënyrë të paligjshme me ndarjen e mbetjeve nëpër kazanët e mbeturinave në gjithë Tiranën duket se është më i madh. Edhe në këtë aspekt, pritshmëritë që projekti të largonte ricikluesit informalë nuk ka funksionuar.
Vendepozitimi i mbetjeve në Sharrë, ende problematik!
Vendepozitimi mbetjeve, në landfillin e Sharrës është një tjetër problem. Sipas opinionit të doktorit të shkencave në fushën e Kimisë Industriale, Ilirjan Manollari, Sharra nuk i plotëson standardet e një landfilli, aq më tepër kur ai e kryen aktivitetin pranë një zone të banuar.
Landfillet në përgjithësi janë shumë problematike kur nuk janë sipas kushteve standarde të tipit sanitar, por landfilli i i Sharrës ndodhet edhe shumë pranë zonave të banuara dhe sidomos për strukturen inxhinierike të puseve të monitorimit të lëngjeve që prodhohen pas rreshjeve dhe ekstraktojnë lëndë të dëmshme për të mos thënë edhe të rrezikshme – shprehet Dr. Manollari.
Sipas tij edhe pse Shqipëria ka vite që merret me riciklimin e mbetjeve, infrastruktura nuk është e organizuar në nivel kombëtar.
Problematika lidhur me vendepozitimin e mbetjeve pranohet edhe nga Ministria e Infrastrukturës.
Në përgjithësi, mund të thuhet se depozitimi jo i duhur i mbetjeve është sfida më serioze e MMN aktuale në Shqipëri. Vitet e fundit, janë zbatuar projekte të ndryshme, të përqëndruara në përmirësimin e venddepozitimeve në vend, p.sh. realizimi i vend depozitimeve sanitare sipas standardeve të direktivës së BE-së për vend depozitimet – thuhet në Planin Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta, hartuar nga MIE.