ANXHELA RUÇI
By-Passi i Fierit pas 5 vitesh premtimesh, është i aksesueshëm në njërin aks të tij. Sipas zyrtarëve, në muajin nëntor ky segment rrugor do të hapet me të dyja akset dhe në muajin shkurt do të jetë i aksesueshëm plotësisht me të gjithë elementët. Financimi i By-Passit për 22 km është 70 milionë Euro.
————————————————————————————————————————————————————-
By-Passi i Fierit është një nga nyjet më të rëndësishme të jugut të Shqipërisë pasi lehtëson trafikun për të gjithë kalimtarët që udhëtojnë në akset Lushnje-Fier, Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë.
Punimet për këtë By-Pass filluan që në vitin 2014 e që prej asaj kohe kishin mbetur peng i premtimeve të pambajtura nga ish-kryetarë bashkish, ish-ministra apo zyrtarë të tjerë që flisnin për fillimin e punimeve në kohë të caktuara por që realisht u zvarritën deri në 2019-ën.
Në prag të zgjedhjeve vendore 2019, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku si dhe nga drejtuesja e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato, inaguruan hapjen e një korsie për këtë aks të rëndësishëm.
Disa muaj më parë ministrja Balluku dhe drejtoresha e ARRSH Qato premtuan që në 30 qershor të gjithë udhëtarët që shkonin drejt jugut do të mund të kalonin përmes këtij By-Passi. Ky segment u inagurua në 27 qershor, 3 ditë përpara afatit që ishte përcaktuar në muajin prill.
Edhe pse jo zyrtarisht, ky aks ishte hapur pjesërisht në mes të muajit qershor. Në 15 qershor “Faktoje” përshkoi këtë aks i cili ishte i hapur pjesërisht nga Vlora deri në afërsi të Fierit.
Foto:Anxhela Ruçi, By-Pass Fier 15 qershor 2019
By-Passi i Fierit është gjithsej 22 km dhe aktualisht është hapur vetëm një pjesë e karexhatës me dy korsi, një në vajtje dhe një në kthim. Në muajin nëntor është premtuar se ky segment rrugor do të hapet me të gjitha korsitë dhe brenda shkurtit do të jetë i përfunduar me të gjitha elemetët e tjerë.
Pas 5 vitesh premtime e zvarritje të afateve kohore për hapjen e këtij aksi, sezoni turistik e gjen këtë segment rrugor të aksesueshëm në një korsi të tij. Udhëtarët do të shmangin kalimin mes për mes të Fierit dhe rrugën e ngushtë dhe me shumë trafik të Levanit.
Kjo rrugë kryesisht në sezonin e verës kthehet në një makth për qytetarët, të cilët më herët e përshkonin për më shumë se 1 orë e 30 minuta, ndërkohë që me hapjen e By-Passit me një korsi koha e udhëtimit do të ulet ndjeshëm.
Kontraktori për By-Passin e Fierit është ‘’Combined Group’’. Lidhja e kontratës për këtë projekt është realizuar në 5 nëntor 2018 dhe ka afat përfundimi datën 5 shkurt 2020. Financimi i projektit llogaritet të jetë 70 milionë Euro.
Pas shumë premtimesh të pambajtura, më në fund ka një lajm pozitiv dhe një PREMTIM TË MBAJTUR për By-Passin e Fierit nga qeveria. Inkurajojmë zyrtarët që të mbajnë premtimet e dhëna dhe të respektojnë afatet kohore të vendosur nga ata vetë, pasi përfitimi që marrin qytetarët nga këto vepra është shumë i madh.
Kujtojmë që “Faktoje” do të mbajë nën vëzhgim premtimin për hapjen në nëntor të të dyja korsive të këtij By- Passi dhe në shkurt përfundimin e plotë të tij.
Lexo edhe: https://bit.ly/2ZXZQës
Lexo edhe: https://bit.ly/2KPfs1M