Në fushatën për zgjedhjet vendore që u mbajtën vitin e kaluar, pa garë mes partish, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo bëri një sërë premtimesh. Mes tyre përfshihej edhe rikonstruksioni i pishinës së qytetit në Korçë, ndërtimi i muzeut të rakisë në Boboshticë dhe restaurimi i lulishtes rreth bustit të Asdrenit në Drenovë, një premtim edhe i 5 viteve më parë. “Faktoje” shkoi në Korçë për të verifikuar nëse ishin përmbushur këto 3 premtime të kryebashkiakut Filo.
“Do të restaurojmë lulishten përreth bustit Asdreni në Drenovë”, shkruante në një postim në Facebook, kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo më 13 qershor 2015.
“Faktoje”, në fillim të muajit shtator ishte në Korçë për të verifikuar premtimin e kryebashkiakut Filo në lidhje me restaurimin e lulishtes përreth bustit të Asdrenit në Drenovë.
Në vendin e tij të lindjes, Rilindasi, emri i plotë i të cilit është Aleksandër Stavre Drenova, ka jo vetëm bustin në lulishten e fshatit, por edhe varrin. Nga vëzhgimi në terren “Faktoje” nuk vërejti të ishte bërë ndonjë ndërhyrje për restaurimin e lulishtes. Këtë konfirmim e morëm edhe nga banorët e fshatit, të cilët thanë për Faktoje se nuk kanë parë të ndërhyet për rikonstruksion. Nga ana tjetër zona e rrethuar, e cila nuk mund të quhet lulishte, të paktën ishte e pastër.
Nga vëzhgimi në terren ky premtim rezulton i papërmbushur.
Në korrik të vitit 2019, pasi ishte rikonfirmuar në krye të Bashkisë Korçë, zoti Sotiraq Filo, gjatë një vizite në fshatin Boboshticë bashkë me kryeministrin Rama dhe ministren e Kulturës, zonjën Elva Margariti, prezantoi strukturën që do shndërrohej në Muzeun e Rakisë. Ngritja e këtij muzeu parashikohej të rriste numrin e turistëve në zonë.
“Ky është objekti që e kemi propozuar për Muzeun Kombëtar të Rakisë. Tani është jashtë funksionit dhe kemi bërë një para projekt për shndërrimin e tij në Muze të Rakisë. Besoj që falë këtij muzeu do kemi më shumë fluks vizitorësh.” – tha zoti Filo.
Më 21 janar 2020, “Faktoje”, përmes një kërkese për informacion pyeti në Bashkinë Korçë se kur do të niste puna për shndërrimin e objektit të premtuar në Muzeun e Rakisë në Boboshticë të Korçës.
“Ndërtimi i Muzeut të Rakisë nuk ka një projekt ende” – iu komunikua “Faktojes” nga Bashkia Korçë më 29 janar 2020.
“Faktoje” shkoi në Boboshticë në shtator të vitit 2020. Ndërtesa që gjetëm në pamjen e jashtme është e njëjtë me ditën kur kryeministri Rama shkoi për ta parë. Ndërtesa aktualisht shërben si vend strehimi për të prekurit nga tërmeti i vitit të kaluar në Floq dhe si qendër shëndetësore.
Nga komunikimi me banorë dhe mjekun që shërbentenë të ashtuquajturën qendër shëndetësore, mësuam se kjo ndërtesë e kishte marrë këtë ‘funksion’ prej më se një viti, duke dëshmuar se plani për ta kthyer në muze të rakisë nuk është në rrugë ‘të mbarë’.
Pishina e qytetit ishte një tjetër premtim që kryetari iBashkisë Korçë, Sotiraq Filo artikuloi gjatë fushatës elektorale të vitit 2019.
“…… Pishina e qytetit, zgjerimi i Parkut Olimpik dhe një qendër e madhe edukimi dhe trajnimi për teknologjitë e informacionit, janë disa nga projektet madhore të bashkisë, që kryeministri premtoi t’i mbeshtesë me financim për 4 vitet e ardhshme” – shkruante kryebashkiku Filo në një postim në rrjetin social Facebok më 16 qershor 2019.
“Faktoje”, në kërkesën për informacion më 21 janar 2020 pyeti edhe për premtimin në lidhje me pishinën e qytetit.
“Pishina e qytetit është projekt-ide” – thuhej nëpërgjigjen e Bashkisë Korçë të datës 29 janar 2020.
Në fillim të shtatorit “Faktoje” ishte në Korçë dhe më konkretisht në vendin ku duhej të ndërtohej pishina e qytetit, thuajse ngjitur me stadiumin “Skënderbeu”.
“Faktoje”, dërgoi sërish një kërkesë për informacion në Bashkinë Korçë më 30 tetor lidhur me premtimet për tre projektet e premtura.
“Ndërtimi i Muzeut të Rakisë në Boboshticë nuk është në prioritetet e Bashkisë. Ndërtimi i këtij muzeu do të realizohet si rezultat i transformimit të qendrës së Boboshticës në kuadër të zbatimit nga qeveria të programit “100 Fshatrat”. Programi “100 Fshatrat” përfshin së bashku me investimet në agroturizëm, me mbështetjen e AZHBR, edhe shndërrimin e këtij fshati të njohur për pemët shumëshekullore të manit e për prodhimin tradicional të rakisë, në një pikë tërheqëse të hartës turistike të vendit. Restaurimi i lulishtes rreth bustittë Asdrenit në Drenovë nuk është në planet afatshkurtra të Bashkisë Korçë. Pishina e qytetit nuk është në planet afatshkurtra të Bashkisë Korçë” – thuhet në përgjigjen e bashkisë të datës 11 nëntor.
“Faktoje” konsultoi edhe buxhetet viteve 2019 dhe 2020 të Bashkisë Korçë, nga ku rezulton se nuk ka programe për investime për përmbushjen e trepremtimeve që morëm në verifikim.
Premtimet e kryetarit të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo në lidhje me projektin për rehabilitimin e lulishtes përreth bustit të Asdrenit, ndërtimin e Muzeut të Rakisë në Boboshticë dhe pishinën e qytetit, pas përgjigjeve zyrtare dhe vëzhgimit në terren do t’i kategorizojmë si “premtime të pambajtura”.
“Faktoje”, e mbeshtetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.