Robin Krasniqi nuk ka fituar titullin ‘WBC Silver’ në duelin e zhvilluar më 5 gusht në stadium “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Federata e Boksit të Francës ka sqaruar për se kjo ndeshje nuk pati një çmim.
Në një postim që mban datën 6 gusht, mediat kanë publikuar një artikull, ku shkruajnë se sportisiti shqiptar, Robin Krasniqi ka fituar një titull të rëndësishëm gjatë një ndeshje boksi të zhvilluar në Prishtinë.
“Robin Krasniqi bën ëndrrën realitet, Boksieri fiton titullin ‘WBC Silver’, shpallet kampion në mes të Prishtinës”-shkruan “Shqiptarja.com”.
Postimi i publikuar nga Shqiptarja.com
Lajmi është publikuar edhe nga portale të tjera si: “Konica.al”, “Gazeta Koha Jonë”, “ABC News”, “Gazeta Sportal”, “Lexo.al”.
Këshilli Botëror i Boksit (WBC) është një ndër katër organizatat kryesore që organizojnë ndeshjet profesionale të boksit. Në vitin 2010, WBC krijoi titullin e argjentë apo “WBC silver”, i synuar si një zëvendësim për titujt e përkohshëm. Në një listë të publikuar nga organizata mund të konsultohen edhe boksierët e ndryshëm që kanë mbajtur këtë titull mes të cilëve nuk shfaqet ende emri i Krasniqit.
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të artikullit, pasi nga një kërkim i bërë online, nuk rezulton që të ketë ndonjë publikim në mediat e huaja për marrjen e një çmimi kaq të rëndësishëm, por vetëm në disa artikuj në anglisht nga mediat shqiptare.
I vetmi zhvillim që shfaqet online në lidhje me këtë ndeshje, është një njoftim i Federatës Franceze të Boksit, ku sqarohet gjithçka ndodhi gjatë duelit të Krasniqit me Nadjib Mohammedi në përballjen e tyre në Prishtinë.
Federata e Boksit të Francës ka shkruar se për shkak të mungesës së fondit nevojshëm financiar, ndeshja nuk ishte për titullin e paralajmëruar.
“Ky takim midis dy peshave të lehta me përvojë do të përmbyllje me një brez ‘WBC Silver’ që synonte ta çonte fituesin në krye të renditjes WBC, por për arsye financiare, në fund të fundit ishte një luftë pa titull në lojë”, raporton Federata e Boksit të Francës.
Në fakt Krasniqit nuk iu dha asnjë brez pas fitores dhe kjo shihet edhe në videon e plotë të përballjes mes dy boksierëve.
Veç kësaj, Federata e Boksit të Francës, që mbulon si boksin amator ashtu edhe boksin profesional, ka vlerësuar se Mohammedi është privuar nga fitorja e madhe.
“Mohammedi humbi me diskualifikim në raundin e nëntë të një lufte, të cilën e dominoi në masë të madhe përballë Robin Krasniqit”, shkruan në raportin e federatës franceze.
Në lidhje me këtë çështje, Robin Krasniqi ka reguar në rrjetet sociale. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Krasniqi flet thjesht për fitore ndaj kundërshtarit, por nuk përmend në asnjë rast ndonjë çmim. Madje në rrjete e tij sociale, nuk ka foto ku shfaqet me ndonjë brez të fituar në përballjen e 5 gushtit.
“Tani po bëhen gati 20 vite nga kur unë kam filluar me boks profesionist dhe të shtunën e 5 gushtit në mbrëmje, e zhvillova duelin e 60-të. Ndërkohë i kam fituar 2 tituj të botës, 2 tituj evropian dhe dhjetra tituj internacional, por dje dhe sot e kuptova nga rrjetet sociale se unë nuk po e kuptoja boksin fare, madje paskam ardhur në Kosovë për të më falur referi fitoren”, shkruan ndër të tjera boksieri mbi revoltën e tij në lidhje me kritikat.
Edhe mediat e Kosovës kanë sqaruar në një artikull të gjatë se dueli nuk ishte për titull megjithë fitoren e kësaj ndeshjeje nga boksieri shqiptar.