BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookParashikimi i motit në televizionin gjerman nuk "mori flakë"

Parashikimi i motit në televizionin gjerman nuk “mori flakë”

Pamjet e një televizioni gjerman që jep parashikimin e motit me pamje të Europës përfshirë nga flakët është shpërndarë fillimisht nga një faqe satirike dhe më pas është nxjerrë jashtë konteksti si të ishte xhirim origjinal i televizionit. Verifikimi i Faktoje tregon se pamjet janë modifikuar dhe se janë njoftuar si të tilla kur janë publikuar për herë të parë.

Një video e shpërndarë në Facebook që tregon parashikimin e motit në Gjermani të transmetuara gjatë programit Tagesthemen  në rrjetin publik gjerman ARD 1 është modifikuar. Një burrë shihet në video duke treguar një hartë dixhitale të kuqe të Evropës Qendrore, ku tregohen temperaturat maksimale të disa qyteteve gjermane dhe, në fund të hartës duken flakë që djegin hartën. Në sfond dëgjohet edhe një sirenë.

Videoja është shpërndarë fillimisht në rrjetin social Twitter (ose X) nga një faqe që në bio-n e saj shkruan se është faqe satirike. Si duket edhe nga logoja e kësaj faqeje, vendosur në cepin poshtë majtas në videon “në flakë”, duket se modifikimi i saj është bërë pikërisht nga kjo faqe satirike.

*Imazh i publikimit në Twitter i videos nga faqja satirike Stu

Në komentet e videos së publikuar në Twitter, vetë profili që e ka shpërndarë atë shkruan se videoja është, sigurisht, një shaka.

*Komenti i profilit që shpërndau për herë të parë videon në rrjetin social Twitter

Ky fakt i ka shpëtuar personave që e kanë shpërndarë videon si të ishte e vërtetë.  “Temperatura më e lartë në hartë është në Këln 31°. Zjarr i madh në studio”, komenton ky përdorues shqiptar, që e ndan videon si pjesë e postimeve që “provojnë” manipulimin e rritjes së temperaturave gjatë viteve të fundit dhe ngrohjes globale.

Parashikimi i motit në fjalë në fakt u transmetua në fund të programit Tagesthemen më 8 qershor 2023. Në pamjet origjinale (që mund t’i shihni këtu nga minuti 35:14 e tutje) nuk shfaqen flakë në hartën dixhitale dhe as nuk dëgjohen sirena në sfond.

I kontaktuar nga kontrolluesit e fakteve Agence France-Presse (AFP), një zëdhënës i stacionit televiziv gjerman Hessischer Rundfunk, i cili prodhon parashikimet e motit për ARD, konfirmoi se “hartat e motit me flakë janë të rreme. ARD nuk përdor flakë në ekranet e motit.”

Nisur nga këto informacione publike, dalim në përfundimin se videoja është shpërndarë jashtë kontekstit të saj origjinal dhe pa njoftuar modifikimin e kryer mbi të.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img