BallinaBurokraciBashkitë vonojnë informacionin, shkak edhe ndryshimi i koordinatoreve

Bashkitë vonojnë informacionin, shkak edhe ndryshimi i koordinatoreve

ANXHELA RUÇI

Një kërkesë për informacion që redaksia e “Faktoje” u drejtoi në të njëjtën ditë 61 bashkive tregoi se të paktën 6 koordinatorë për të drejtën e informimit ishin larguar nga puna. Ky fenomen e thellon edhe më shumë problemin me vonesat dhe moskthimin e përgjigjeve nga institucionet.

———————————————————————————————————————————————————

Procedurat burokratike të institucioneve shtetërore shpeshherë bëhen pengesë për punën e gazetarëve, por edhe qytetarëve të cilët kërkojnë në rrugë zyrtare informacion publik.

Së fundim “Faktoje” ka dërguar kërkesë për informacion në Bashkinë Kukës për të mësuar më shumë rreth Aeroportit të Kukësit dhe zgjidhjes së problemit me shpronësimet, por edhe pse afati ka kaluar, institucioni nuk ka dërguar përgjigje.

Rastet e vonimit apo moskthimit të përgjigjeve nga institucionet e pushtetit vendor janë të shumta dhe “Faktoje” përballet vazhdimisht më të. Javën e fundit, gazetarët e kësaj redaksie kërkuan informacion në 61 bashkitë e vendit lidhur me një temë që po trajtojnë, por shumë nga koordinatorët për të drejtën e informimit nëpër bashki na kthyen përgjigje se nuk janë më në punë, pasi janë zëvendësuar.

“Faktoje” konstatoi se me konstituimin e bashkive pas zgjedhjeve të 30 qershorit, u ndryshuan edhe koordinatorët në Gramsh, Berat, Roskovec, Sarandë, Shijak dhe Gjirokastër.

Ndryshimet nuk janë bërë publike në faqet zyrtare të këtyre bashkive dhe as në portalin Pyet Shtetin, i cili synon t’u vijë në ndihmë të gjithë qytetarëve për të gjetur me lehtësi informacionin.

Ndryshimet e herëpashershme të koordinatorëve, të cilët janë dhe personat përgjegjës që delegojnë kërkesat për informacion brenda institucionit dhe më pas kthejnë përgjigje, kanë ngadalësuar në këtë mënyrë edhe punën tonë si gazetarë.

Për këtë problem, “Faktoje” u ankua pranë zyrave të komisionerit i cili gjithashtu e cilësoi problematik ndërrimin e komisionerëve dhe garantoi se shumë shpejt të dhënat në portalin Pyet Shtetin do të përditësohen.

Rikujtojmë se ligji 119/2014 “Për të drejtën e informimit” detyron institucionet shtetërore dhe jo vetëm, që të kthejnë përgjigje për informacion, jo më vonë se 10 ditë punë nga marrja në dorëzim e kërkesës.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img