INVA HASANALIAJ & MERXHAN DACI
Bashkia e Vlorës mbahet si një nga bashkitë që shpenzon më shumë para për zbukurimet e fundvitit. Vitin e shkuar, Faktoje tregoi se si kjo bashki kishte shpenzuar plot 76 milionë lekë të vjetra teksa deklaronte që programonte fonde modeste për zbukurimin e bashkisë.
“Çdo vit programohen fonde modeste me të cilat realizohet blerja e elementëve të rinj për dekorimin e shesheve kryesore dhe akset kryesore në qendër të qytetit”, deklaronte Bashkia e Vlorës në buxhetin për vitin 2017.
Në fundin e vitit 2018, Bashkia e Vlorës ka shpenzuar përsëri një shumë të konsiderueshme prej 47 milionë lekësh të vjetra për dekorime fundviti. Kjo konfirmohet nga vetë bashkia në mënyrë zyrtare.
“Për vitin 2018, Bashkia Vlorë ka pasur të parashikuar fondin prej 4,786,450 (katër milion e shtatëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e pesëdhjetë) lekë pa TVSH, me të cilin është zhvilluar procedura e prokurimit me objekt “Realizimi i dekorit në Bashkinë Vlorë me rastin e festave të fundvitit 2018”, tha Bashkia Vlorë në përgjigjen dhënë Faktoje-s.
Kujtojmë nga historia e vitit të kaluar se vetëm për vargjet e dritave, bashkia kishte shpenzuar afro 3 milionë lekë të reja, shumë kjo që disa bashki të tjera e kanë fondin total të fundvitit.
Përmes të dhënave të publikara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, shihet se edhe në vitin 2016 bashkia e Vlorës ka shpenzuar një fond prej 6,893,240 milionë lekësh përsëri për dekorin.
Krahasuar me disa nga bashkitë e vendit, Vlora mban rekordin e shpenzimeve për dekor fundviti.