.

.

BallinaGjurmo ParanëBanorët në Kombinat jetojnë ende në pallatet që duhen shembur

Banorët në Kombinat jetojnë ende në pallatet që duhen shembur

Ina Allkanjari

Procesi i shembjes së pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe të shpallura të pabanueshme në Kombinat, vijon të ketë vonesa dhe mosmbajtje afatesh. Faktoje verifikoi në terren për të parë nga afër ecurinë e këtij procesi dhe konstatoi se një pjesë e mirë e pallateve, ende nuk janë shembur, si dhe disa prej familjeve ende jetonin në apartamentet e tyre me arsyetimin se askush nuk i ka dhënë në dispozicion një kontratë që t’i sigurojë se ato do të rindërtohen në të njëjtën zonë.

———————

Në Kombinat, më shumë se 1 vit e gjysmë pas tërmetit të 26 nëntorit, procesi i shembjes së pallateve të dëmtuara rëndë nga tërmeti për t’i hapur rrugë rindërtimit vijon të jetë ende me shumë vonesë.

Gjatë inspektimit në terren në datën 26.05.2021 Drejtori i Përgjithshëm i Bashkëpronësisë në Bashkinë e Tiranës, Aurel Çuko u shpreh se vetëm në Kombinat janë për t’u demoluar 67 pallate dhe se ky process pritet të mbyllet brenda 3 muajsh.

“Sot jemi në Kombinat, ku po vazhdojmë me procesin e demolimit, proces që ka filluar prej disa kohësh. Këtu jemi në pallatin nr. 155. Është një pallat relativisht i madh dhe besojmë se fazën e parë në Kombinat e mbarojmë brenda pak ditëve. Në total ne kemi 198 pallate, të cilave u kemi bërë akt-ekspertizë të thelluar. 111 janë për t’u demoluar dhe vetëm në Kombinat janë për t’u demoluar 67 pallate. Besoj se brenda 2-3 muajve e përfundojmë procesin e demolimit,” u shpreh Çuko.

 Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, deklaroi se në tetor të 2020 do të fillonte prishja dhe pastrimi i inerteve në zonën e Kombinatit dhe se deri në fund të tetorit, do të fillonte hedhja e themeleve për pallate të tjera. Ashtu siç Faktoje ka verifikuar në terren edhe më parë, situata  ka “ngecur”, pasi ende shumë nga pallatet e dëmtuara, nuk janë shembur.

Në përfundim të këtij afati të premtuar nga zoti Çuko, Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Tiranë, ku ndër të tjera pyeste se sa pallate janë shembur në Tiranë.

Kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë

Në përgjigjen e saj Bashkia Tiranë na informon se shembja e detyruar dhe zbatimi i vendimeve të Këshillit Bashkiak për këto objekte, është ende në proces. Megjithatë nga përgjigja zyrtare e bashkisë Tiranë bie në sy se është përgjysmuar numri i pallateve për t’u shembur, nga 67 që u deklarua në datën 26.05.2021, në 32 që konfirmon zyrtarisht bashkia.  Ndërsa na bashkangjit listën e skanuar të pallateve.

Përgjigja nga Bashkia Tiranë për Faktoje.al

Bashkia e Tiranës na vuri gjithashtu në dispozicion dy lista. E para me 20 pallate të përcaktuara për t’u shembur, që ndodhen të gjitha në zonën e Kombinatit, njësia administrative numër 6.

Lista 1. nga Bashkia Tiranë për Faktoje.al

Për listën e parë me 20 pallate, sipas “Open Procurment” kontrata e tenderi për demolim dhe evadim të mbetjeve ndërtimore për 11 pallate dhe për 9 pallate është publikuar në Buletinin e Posaçëm Nr. 48 datë 02 Prill 2021, ndërsa procesi i demolimit ka nisur në maj.

Lista 2 dërguar nga Bashkia Tiranë, pallatet e miratuara në VKB për prishjen e detyruar

Për listën e dytë me 28 pallate, ku një pjesë e mirë janë zonën e Kombinatit, gjithashtu sipas Open Procurment tenderi për demolimin dhe evadimin e mbetjeve ndërtimore, për 15 pallate dhe 13 pallate është shpallur me Buletini i Posaçëm Nr. 133 datë 7 Shtator 2021.

Nga verifikimi i informacionit, që jepet në dokumentat e Open Procurment rezulton se për 12 pallate, kontratat/shpallja e tenderave etj, janë bërë shtatorin e këtij viti, çka dëshmon se procesi i shembjes ende nuk ka nisur.

 Situata në terren

Faktoje verifikoi në terren se në çfarë pike është prishja e pallatave të përcaktuara, që i hap më pas rrugën rindërtimit të tyre. Banorët pranojnë së procesi ka filluar, por ka ende shumë pallate, që nuk janë shembur.

Deri tani janë rreth 11 pallate të shembura nuk e dimë dhe sa kohë do zgjasë ky proces. Nuk kemi asnjë informacion, nuk e dimë çfarë do të bëhet. Që kur ra tërmeti po luajnë me ne, nuk jemi ende të qartë çfarë do të ndodhë. Nuk kemi informacion, por nëse është vendosur që pallati do të shembet pse nuk na lajmërojnë se ku do rindërtohet, ku do të jetë banesa jonë.”- shprehet një banor i Kombinatit, i cili nuk pranoi të identifikohet.

Foto nga vendi ku janë shembur pallatet në rrugën Kristo Nakuçi, Kombinat. 15 shtator 2021

Foto nga vendi ku janë shembur pallatet në rrugën Kristo Nakuçi, Kombinat. 15 shtator 2021

 Gjatë vëzhgimit në terren identifikuam raste të banorëve, të cilët jetonin ende në pallate për të cilat ka dalë vendimi për shembje.

“Na erdhi vendimi që pallati 168/2 është për shembje por nuk kemi asnjë të dhënë që të tregojë ku do jetojmë ne që kemi apartamentet këtu, ku do ndërtohen banesat tona, në çfarë zone. Si mund të kemi besim që të dalim nga apartamentet pa asnjë letër apo kontratë, kushedi në çfarë zone do të na i japin shtëpinë. Këto familje që kanë dalë janë shumë të pakta. Informacioni i vetëm është që pallati është për shembje, na thanë merrni këtë 180 mijë lekë të vjetra bonus qera dhe gjeni ambient me qera ku të dëshironi dhe do ju njoftojmë ne se ku do i përfitoni banesat tuaja. Nuk të japin garanci, që pasi të shembet pallati do e përfitojmë sërish në këtë zonë banesën. Unë kam 45 vjet që jetoj këtu, si mund të mos më japin një informacion se në çfarë zone do e përfitoj unë apartamentin kur të shembet pallati”, shprehet për Faktoje, Novruz Sekollari teksa thekson që nuk ka dalë nga apartamenti, ndonëse vendimi për shembjen e pallatit ku jeton, i ka ardhur rreth 2 muaj më parë.

Foto nga pallati nr.168/2 në Kombinat, 15 Shtator 2021

Unë jam banore e pallatit numër 158. Pallati ku unë jetoj doli njëherë për shembje, njëherë për riparim, është shumë e paqartë kjo situatë. Ne nuk kemi asnjë informacion se ku do ndërtohen pallatet që do jetojmë. Akoma nuk dimë nëse do shembet apo jo, pallati ku kam apartamentin, ca thonë riparim, disa thonë prishje. Vetëm dy familje kemi ngelur që jetojmë të ky pallati, të tjerët kanë lëvizur”, tregon Lumturie Hysa një ndër banoret e zonës së Kombinatit.

Foto nga pallati 158 në Kombinat, 15 Shtator 2021

Tjetër shqetësim i banorëve të Kombinatit është se disa pallate, të cilat janë boshatisur disa muaj pas tërmetit të 26 nëntorit nga njerëzit, ende nuk janë shembur, dhe sot janë kthyer në vatra problematike.

“Kanë rreth 1 vit e gjysëm që na kanë thënë që pallati 174 do të shembet sot, do shembet nesër, por ende nuk është shembur. Banorët e këtij pallati ka më shumë se 1 vit që janë larguar dhe janë akomoduar në banesa me qera. Problem është bërë për ne që jetojmë këtu, pasi është kthyer në vatër infeksioni, prostitucioni apo edhe droge”, shprehet për Faktoje një banorë i zones, i cili nuk pranoi të identifikohej.

Pallati nr 174 në Kombinat, 15 shtator 2021

 Nisur nga ky shqetësim i banorëve, Faktoje ju drejtua me një tjetër kërkesë për informacion në datë 21.09.2021 Bashkisë Tiranë nëse ua kanë bërë transparente banorëve vendnodhjen e pallateve që do rindërtohen.

Screenshot Kërkesa për Informacion drejtuar Bashkisë Tiranë datë 21.09.2021

Deri në publikimin e këtij shkrimi ende nuk kemi marrë një përgjigje nga Bashkia Tiranë lidhur me kërkesën për informacion edhe pse ka kaluar afati ligjor për kthimin e përgjigjes.

 Shembja që i hap rrugë rindërtimit

Në zonën ku ndodhen pallatet për t’u shembur qeveria ka planifikuar projektin “KombiArt”. Ky projekt ambicioz, që pritet të shndërrojë tërësisht lagjen e Tiranës, u prezantua në 7 korrik 2020, nëpërmjet një projekti 3D nga ana e kreut të Bashkisë Veliaj. Sipas këtij plani, sipërfaqja prej 1.5 milionë m2 në zonën e Kombinatit, do të përdoret për ndërtim me qëllim strehimin e 21 mijë individëve.

Pamje nga projekti 3D i zonës së Kombinatit

E ndërsa procesi i shembjes së pallateve të shpallura të pabanueshme, ende vijon të ecë më ritme të ngadalta, banorëve të Kombinatit do t’u duhet ende të presin për projektin madhor të rindërtimi të tij, ndërkohë që qeveria është zotuar se i gjithë procesi 3-vjeçar i rindërtimit, përfundon në pranverën e vitit të ardhshëm.

              Screenshoot Programi Qeverisës 2021-2025

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img