BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAlarmi i rremë për afrimin drejt tokës të asteroidit përbindësh

Alarmi i rremë për afrimin drejt tokës të asteroidit përbindësh

Nuk ka asnjë alarm për Tokën nga zbulimi i ekzistencës së një asteroidi të ri gjigand nga shkencëtarët. Shkrimi i një reviste shkencore për teknologjitë e reja të vëzhgimit të hapësirës është shtrembëruar nga portalet për të krijuar tituj bombastikë.

Nevila Gjata

Publikimi i një artikulli shkencor në tetor të këtij viti, mbi ekzistencën e asteroidëve të zbuluar falë zhvillimeve të reja teknologjike, ka shërbyer si zanafilla e lajmeve alarmist në disa portale. I tillë ishte lajmi i botuar në gazetën “Sot” me titull: “Një ‘përbindësh’ po i afrohet Tokës”/ Shkencëtari ngre alarmin dhe bën paralajmërimin e frikshëm: Nuk e dimë se kur mund të godasë, por…”

(screenshot i lajmit të publikuar në gazetën “Sot”)

Duke verifikuar më tej këtë titull që krijon panik tek lexuesit, zbulojmë së bëhet fjalë për lajmin e publikuar nga disa media ndërkombëtare, mbi asteroidin më të madh të zbuluar gjatë tetë viteve të fundit, që konsiderohet nga përmasat e tij, një “vrasës” i planetit në rast goditjeje. Asteroidi, i quajtur 2022 AP7, u raportua nga studiuesit në kërkim të shkëmbinjve hapësinorë brenda orbitës së Tokës dhe Venusit.

Studimi i publikuar në revistën shkencore Astronomical Journal, me autor kryesor Scott Sheppard dhe disa kolegë të tij në Institutin për Shkencën Carnegie në Uashington, pohon gjetjen e tre asteroidëve “mjaft të mëdhenj”, njëri prej të cilëve – 2022 AP7 që kalonte orbitën e Tokës.

Megjithatë, ashtu siç e citon edhe vetë artikulli i “Sot” në brendësi të tij, vetë autori i studimit Scott Sheppard thotë se ky asteroid “nuk ka asnjë shans të godasë Tokën aktualisht”. Studiuesi zbuloi se asteroidi do të kalojë orbitën e Tokës diku në të ardhmen. “Dhe ne nuk e dimë orbitën e 2022 AP7 me saktësi sa për të thënë shumë për rreziqet e tij shekuj pas,” shtoi ai.

Mund të konstatohet lehtësisht se asteroidi “përbindësh” nuk ka asnjë shans të godasë tokën dhe titulli i artikullit që flet për paralajmërim apo alarme nga shkenca për një afrim të mundshëm të asteroidit ngjall panik të panevojshëm dhe orienton publikun në një përfundim krejt të ndryshëm.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img