Pretendimi: Kjo dëshmi e mjekut amerikan dëshmon se viruset nuk ekzistojnë
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon një video që pretendohet se dëshmon që viruset nuk ekzistojnë.
Në videon e mësipërme, një burrë i identifikuar si Dr. Tom Cowan, një ish-mjek amerikan që promovon mjekësinë alternative, pretendon se virusi SARS-COV-2 nuk është izoluar kurrë nga lëngjet e sistemit të frymëmarrjes së një njeriu. Kjo sillet si provë se jo vetëm Covid-19, por asnjë virus nuk ekziston.
Thomas Cowan mori famë gjatë kohës së pandemisë për pretendimin e tij të rremë se Covid-19 shkaktohet nga sinjalet celulare 5G, ndërkohë që në faqen e tij të internetit shiste “Ujë deti të pijshëm me plazma detare” për 49,95 dollarë për shishe.
Ndërkaq, hulumtimet tregojnë se virusi u izolua herët gjatë pandemisë dhe që atëherë është izoluar shumë herë në shumë vende.
Sipas Buletinit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, studiuesit fillimisht e izoluan virusin në dhjetor 2019 dhe tre muaj më vonë, në shkurt 2020 shkencëtarët analizuan gjenomin nga 10,022 mostra për të kuptuar ndryshueshmërinë e tij.
Një artikull i botuar në revistën Nature në shkurt 2020 detajonte se si SARS-CoV-2, një koronavirus i ri, u izolua nga shkencëtarët në Wuhan. Sipas tij, sekuencat e gjenomit me gjatësi të plotë dhe pothuajse identike për virusin u morën nga pesë pacientë në një fazë të hershme të “një epidemie të sindromës akute të frymëmarrjes” që filloi në qytetin kinez më 12 dhjetor.
Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tha se SARS-CoV-2 ishte izoluar në laboratorin e saj dhe ishte në dispozicion falas për studiuesit dhe shkencëtarët për të studiuar që nga Shkurti 2020.
Një artikull në revistën e CDC detajoi se si shkencëtarët amerikanë izoluan SARS-CoV-2 nga një pacient në janar 2020.
Virusi u izolua gjithashtu në Korenë e Jugut dhe Gjermani.
Në Australi, virusi u izolua nga personi i parë në vend i diagnostikuar me COVID-19, një burrë nga Wuhan i cili u shtrua në një spital të Melbournit me ethe, kollë dhe frymëmarrje të vështirë.
Profesorja e patologjisë Karen Mossman, pjesë e ekipit që izoloi virusin në Kanada, shkroi në një artikull se izolimi i virusit kërkonte mbledhjen e ekzemplarëve nga pacientët dhe kultivimin ose rritjen e tij duke e infektuar qelizat e gjalla të gjitarëve në një laborator.
Vaksinologia dhe profesoresha e asociuar e Universitetit të Auckland, Helen Petousis-Harris tha se SARS-CoV-2 ishte izoluar – dhe madje mund të shikohej me një mikroskop të fuqishëm: “Ne e dimë se si duket, ne kemi arkitekturën e tij; për shembull, ju mund të shihni proteinat e majave nën një mikroskop që duket si një aureolë, ose një kurorë, prandaj quhet koronavirus.”
SARS-CoV-2 mund të shihet nën një mikroskop elektronik pas izolimit të tij nga burime të shumta
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë një pretendim të ngjashëm, si dhe pretendimin se viruset nuk ekzistojnë.