Pretendimi: Proteina spike e virusit Covid-19 mban sekuenca të HIV
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjete sociale pretendon se proteina spike e virusit SARS-CoV-2 përmban dhe/ose prodhon virusin HIV.
Burri në video prezantohet si kardiologu Richard M. Fleming. Ai pretendon se proteina spike e SARS-CoV-2 është prodhuar nga HIV. Klipi ku doktori bën këto deklarata daton disa vite më parë, në 2021.
Në biografinë e Fleming, bien në sy vendimet përfundimtare të gjykatës për mashtrim, për shkak të të cilave Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA (FDA) ia hoqi licencën në vitin 2018, pra i ndaloi punën në industrinë farmaceutike.
Në faqen Retraction Watch, mund të shihet se një nga punimet shkencore të Flemingut është tërhequr për shkak të falsifikimit të të dhënave dhe fshehjes së konfliktit të interesit.
Gazetari amerikan i shkencës Leonid Schneider, një biolog molekular, shkroi gjerësisht për punën e Fleming në blogun e tij Për shkencë më të mirë. Nga artikulli i tij mësohet se Fleming ka falsifikuar informacione për arsimimin e tij, si dhe se punët që ka publikuar Fleming janë plot me gabime faktike dhe pretendime pseudoshkencore.
Në prezantimin e tij, Fleming i referohet edhe pretendimeve të shkencëtarit francez Luc Montagnier, fitues i çmimit Nobel për zbulimin e virusit HIV.
Në fillim të pandemisë Covid-19, Montagnier doli publikisht me pretendimin se dikush kishte “shtuar” sekuenca karakteristike të HIV-it, virusit që shkakton SIDA, në kodin gjenetik të virusit.
Montagnier citoi një ‘studim’ nga Universiteti i Nju Delhit i datës 31 janar 2020, të titulluar “Ngjashmëri të çuditshme të inserteve unike në koronavirus 19 të proteinave të HIV.” Ky artikull më vonë u tërhoq nga botimi. Shkencëtarë të tjerë e hodhën poshtë atë me një studim të mëtejshëm nga shkurti 2020 me titull “HIV-1 nuk kontribuoi në gjenomin 2019-nCoV”.
Një numër shkencëtarësh që studiojnë strukturën gjenetike të virusit SARS-CoV-2 kanë hedhur poshtë pretendimet e Montagnier. Revista European Scientist vuri në dukje se çdokush mund të përdorë arkivën e hapur BLAST për të krahasuar strukturën gjenetike të HIV-it dhe virusin që shkakton Covid-19. Mjeti nuk tregon ngjashmëritë gjenetike për të cilat foli Montagnier.
Është mjaft e qartë se vaksina Covid nuk shkakton infeksion HIV tek personat e vaksinuar. Miliarda vaksina janë shpërndarë në mbarë botën deri më tani dhe nuk është vënë re që njerëzit e vaksinuar të zhvillojnë SIDA pas vaksinimit.