ANDI BORA
“Qeveria jep tre herë më shumë para seç ka dhënë, sepse bëhet ky diskutimi se sa para merr universiteti. Në 2009, 2010, 2011 ka marrë gati tre miliardë, sot merr 7.4 miliardë.”
Kjo ishte deklarata që ministri në detyrë i Financave, Arben Ahmetaj, bëri gjatë emisionit “Përballë” në RTSH, në muajin dhjetor ku foli edhe për çështjen e protestës së studentëve dhe financimin e Universitetit.
Ahmetaj e nis deklaratën me kontradikta;
Nëse qeveria sot jep tre herë më shumë para dhe ndërkohë në vitet 2009, 2010 dhe 2011 janë dhënë përkatësisht nga tre miliardë lekë, aktualisht duhet të ishin afro 9 miliardë lekë financim për arsimin e lartë, por ai vetë pohon që shuma e dhënë është në nivelin e 7.4 miliardë lekëve.
Por si ka qenë financimi i arsimit të lartë nga viti 2009-2018?
Ajo çka vihet re nga grafiku i mësipërm, është fakti që në vitin 2009, financimi i universitetit ka qenë rreth 1.6 miliardë lekë më shumë se në vitin 2018.
Ndërsa, po të krahasojmë vitin 2018 me vitin 2010, vihet re që vitin e kaluar ka pasur një rritje me rreth 1.3 miliardë lekë.
Në asnjë moment, duke filluar që nga viti 2009 financimi i universitetit nuk ka qenë në vlerën e tre miliardë lekëve dhe asnjëherë nuk është financuar tre herë më shumë se në vitet 2009-2011.
Por, edhe ligji për buxhetin e vitit 2019 nuk parashikon rritje në atë masë që tha Ahmetaj. Përkundrazi, nëse në 2018 financimi është 7.57 miliardë lekë, në 2019 është 7.45 miliardë lekë. Edhe në këtë rast, financimet nuk janë tre herë më shumë.
Ministri në detyrë i Financave, Arben Ahmetaj, regjistroi edhe GËNJËSHTRËN e fundit përpara largimit nga kjo detyrë.