BallinaTë pambajturaAnila Denaj: Brenda muajit qershor përfundon procesi i dhënies së “pagave të luftës”

Anila Denaj: Brenda muajit qershor përfundon procesi i dhënies së “pagave të luftës”

Ministrja e Financave, Anila Denaj, më 18 qershor, në emisionin “Open”, njoftoi se brenda muajit qershor do përfundonte procesi i shpërndarjes së “pagave të luftës”. Denaj argumentoi se ishin 7,000 qytetarë që do merrnin pagat. Në mesin e muajit korrik, janë thuajse edhe 5,000 qytetarë që ende nuk e kanë marrë pagën që konsiderohet jetike për kushtet ku ndodhen, ndërsa Faktoje konstatoi se shumë prej atyre që nuk e kanë marrë janë punonjës fasonerish apo biznesesh familjare.


Janë 7 mijë punonjës pa marrë pagën e luftës. Këto punonjës nuk e kanë marrë pagë për arsye se biznesi nuk ka aplikuar.7 mijë punonjës do t’i marrin paratë menjëherë brenda muajit qershor – u shpreh ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Anila Denaj, në emisionin “Open” në 18 qershor.

Por referuar të dhënave nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, të përditësuara deri më 10.07.2020, nga paketa e dytë ekonomike rreth 5,000 qytetarë vijojnë të jenë në pritje të kryerjes së pagesë.

Paketa II e ndihmës ekonomike, të dhënga nga MFE (të përditësuara 10.07.2020)

D.P., punonjëse në një fasoneri në qytetin e Durrësit është një prej atyre që nuk ka përfituar asnjë nga pagat e parashikuara në paketat ekonomike.

Kemi aplikuar më 5 qershor. Deri më tani nuk kemi asnjë gjë konkrete. Na kanë shkruar se kërkesa është marrë në shqyrtim dhe po trajtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, por deri më tani, asnjë pagë nuk kemi marrë. Janë të paktën edhe 20 kolege të tjera që janë në pritje të pages – i tha “Faktojes”, punonjësja e fasonerisë.

Përparim Molla, pronar i një dyqani veshmbathjesh në Tiranë ankohet se për shkak të një gabimi teknik, nuk ka përfituar ende asnjë nga pagat e luftës.

Kam një dyqan rrobash me licencë e taksa të paguara që nga viti 2004, por kur bëra aplikimin për pagën m’u refuzua me pretendimin se biznesi ka qenë në aktivitet pasi ishte i regjistuar si ushqimore. Unë bëra kërkesë dhe ankesë dhe u ndryshua tipologjia e biznesit.  Tani përgjigja e tatim-taksave është të takon, por është në shqyrtim – i tha “Faktojes” z. Molla.

Por, ka edhe nga ata qytetarë që ankohen se ende nuk kanë marrë pagën e tretë nga paketa e parë ekonomike.

Kam përfituar dy pagat e para të luftës. Ka kaluar më shumë se një muaj që jam në pritje të pagës së tretë. Ju shkruaj portaleve që qeveria ka vënë në dispozicion për shqyrtimin e ankesave, por deri më tani nuk kam asnjë përgjigje – i tha “Faktojes”, Elton Vrioni, punonjës në një biznes të vogël në Tiranë.

Dhënia e pagës së luftës si ndihmë për disa kategori individësh dhe biznesesh (64 mijë qytetarë përfituan tre paga nga paketa e parë ndërsa 176 mijë qytetarë dhe biznese nga paketa e dytë) u shpall nga qeveria në fund të muajit mars.

Prej asaj kohe u dhanë disa afate të cilat janë shtyrë disa herë. Faktoje ka ndjekur në vijëmësi përmbushjen e këtij premtimi dhe personat që nuk kanë marrë ende pagën si nga paketa e parë, ashtu edhe nga ajo e dytë, i përkasin familjeve që përballen me sfida mbijetese, sidomos pas shfaqjes së krizës nga Covid.

*Foto kryesore është marrë nga rrjeti social “Facebook” i ministres Denaj.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img