Pretendimi: Ambasada amerikane në Tiranë ka ndryshuar flamurin shqiptar duke vendosur ngjyrat e ylberit mbi shqiponjën

Pretendimi: Mungon konteksti

——————————————–

Një artikull i portalit Gazeta Impakt pretendon se ambasada amerikane në Tiranë po “promovon vesin e pederasties” dhe, si pjesë e këtij projekti dashakeq, është ndryshuar flamuri shqiptar, “ku gjysma e shqiponjës është ngjyrosur me ngjyrat e flamurit” LGBT.

Duket se portali i referohet një postimi në llogarinë e ambasadës në Facebook, që promovon aktivitete të organizatave të ndryshme jo-qeveritare në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOBIT) më 17 maj.

Shqiponja e ngjyrosur me ngjyrat e ylberit nuk është krijim i Ambasadës amerikane, por logo e Aleancës Kundër Diskriminimit LGBT, një organizatë jo-qeveritare shqiptare e themeluar që në vitin 2009.

Logo e Aleancës Kundër Diskriminimit LGBT

Faqja zyrtare e Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT, me logon e tyre të dukshme në cepin e majtë-lart

Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë artikuj të portalit Gazeta Impakt, lidhur me narrativa pro-ruse dhe anti-ShBA.

Në këtë rast, narrativa homofobe e artikullit përpiqet ta portretizojë aktivizmin për të drejtat e personave LGBT si një imponim i huaj perëndimor. Ndryshimi i shqiponjës së flamurit shqiptar nga të huajt i përshtatet në mënyrë të përsosur kësaj narrative.

Ajo që kjo narrativë përpiqet të fshehë është ekzistenca e shqiptarëve LGBT dhe përpjekjeve të tyre për të patur një jetë cilësore dhe të barabartë në vendin e tyre.

Shqiponja e ngjyrosur me ngjyrat e ylberit përfaqëson këtë përpjekje.