BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashPropaganda ruse përdor ekspertin e rremë për ekzistencën e bio-laboratorëve të ShBA në Ukrainë

Propaganda ruse përdor ekspertin e rremë për ekzistencën e bio-laboratorëve të ShBA në Ukrainë

Lajmi se ShBA po kërkon leje për të rrethuar Rusinë dhe Kinën me “bio-laboratorë” është i pabazë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se lajmi bazohet krejtësisht në pretendimet e një eksperti të rremë.

———————————-

Një artikull i botuar në Gazeta Impakt në 19 gusht 2023 pretendon se “ShBA kërkon “licencë” për të rrethuar Rusinë e Kinën, me ‘Bio-laboratorë strategjik sulmues’”.

Ky shkrim duket se është një përkthim në shqip i një artikulli të agjencisë së lajmeve shtetërore ruse Sputnik, me autore Svetlana Ekimenko.

Artikulli nis me pretendimin se “dokumente të zbuluara gjatë operacionit special të Moskës në Ukrainë kanë zbuluar se SHBA po vendoste atje një program të gjerë kërkimi biologjik, duke shpenzuar më shumë se 200 milionë dollarë në 46 laboratorë biologjikë që hulumtonin patogjenë shumë të rrezikshëm.”

Megjithatë, artikulli nuk na i tregon këto dokumente. Në fakt, dokumente apo materiale që provojnë ekzistencën e këtyre laboratorëve nuk janë bërë kurrë publike, paçka se pretendimi i ekzistencës së tyre vijon të shpërndahet që prej më shumë se një viti. Këto pretendime nisën të shpërndahen nga mediat shtetërore ruse përpara sulmit rus ndaj Ukrainës, duke tentuar të justifikojnë agresionin si një operacion për të ndaluar rreziqet që i kanosen Rusisë nga fqinji i saj. 

Burimi për pretendimi se ShBA po kërkon të rrethojë Rusinë dhe Kinën me “Bio-laboratorë strategjik sulmues” është dikush i quajtur Scott Bennet, të cilin e artikulli e etiketon si “një ish-analist kundër terrorizmit në Departamentin e Shtetit.”

Por, një kërkim i thjeshtë në Google tregon se Scott Bennet u dënua me 3 vite burg në 2011, sepse ishte hequr si oficer aktiv ushtarak. Për më tepër, Bennet ishte thjesht në rezervat e ushtrisë, dhe jo analist kundër terrorizmit në DASH. 

Bennet mashtroi firmën e konsulencës Booz Allen Hamilton duke u hequr si “oficer operacionesh psikologjike” me përvojë në kundër-terrorizëm dhe “analist i Islamit” që kishte punuar me Operacionet Speciale dhe Departamentin e Shtetit. Asgjë nga këto nuk ishte e vërtetë, dëshmoi para gjykatës komandanti i batalionit të Bennet.

Kështu, pretendimi se ShBA po kërkon të rrethojë Rusinë dhe Kinën me “Bio-laboratorë strategjik sulmues” mbetet thjesht opinioni i pabazë i një eksperti të rremë.

“Faktoje” ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendime rreth ekzistencës së bio-laboratorëve amerikanë në Ukrainë.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img