Vdekja e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny në burg ka nxitur propagandën ruse pro Putin të prodhojnë lajme të rreme për të, në përpjekje për të denigruar imazhin e tij. E tillë është dhe një video që po qarkullon së fundmi në rrjet, në të cilën pretendohet se Navalny kërkon para nga shërbimet sekrete të huaja.
Një video e një kamere të fshehtë ka nisur të qarkullojë së fundmi në rrjetet sociale nën pretendimin se në të është provuar lidhja me shërbimet e huaja e liderit të vdekur tashmë të opozitës ruse, Alexei Navalny.
Në pamjet bardh e zi, dy burra diskutojnë në anglisht ndërsa janë ulur në një lokal. Njëri prej tyre përmend mundësinë e zgjerimit të biznesit me financim.
Video shoqërohet me titra në shqip dhe gjithashtu me tekstin shpjegues: “Në video, Navalny në vitin 2012 duke i kerkuar financime instruktorit të tij, oficerit të shërbimeve angleze pranë ambasades angleze në Moskë, James William Thomas Ford, për të pregatitur “Revolucionin me Ngjyra” në Rusi.”.
Një tjetër përdorues ndan gjithashtu videon në Instagram me postimin: “Ja ku është Navalny në bisedë me agjentin anglez të MI6, nga i cili kërkon nga 10 deri në 20 milionë dollarë në vit për të filluar një “revolucion me ngjyra” në Rusi. Nuk jua tregojnë këtë në TV, apo jo?”.
Por në fakt, verifikimet tregojnë se personi i ulur në të majtë të tavolinës nuk është Navalny, por një nga bashkëpunëtorët e tij, Vladimir Ashurkov.
Dhe në asnjë moment të videos Ashurkov nuk i kërkon bashkëbiseduesit dhjetëra milionë euro për të nisur një revolucion në Rusi.
Të gjitha këto postime janë prodhim i propagandës ruse pro Putin, të rishfaqura ditët e fundit në përpjekje për të denigruar imazhin e kundërshtarit të Vladimir Putin, i shpallur i vdekur në 16 shkurt gjatë vuajtjes së dënimit në një nga burgjet më të egra ruse. Raportimi për vdekjen e tij nxiti protesta në Rusi dhe zemërim në mbarë Botën.