BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVdekjet nga Covid nuk janë provë e dështimit të vaksinimit

Vdekjet nga Covid nuk janë provë e dështimit të vaksinimit

Një statistikë për numrin e viktimave të vaksinuara nga Covid-19 në ShBA gjatë muajit gusht, është nxjerrë nga konteksti nga portali Mast.al duke ngritur dyshime të pasakta ndaj efekteve të vaksinimit gjatë pandemisë.

 

Një shkrim i publikuar në portalin Mast.al në 27 nëntor, njofton se personat e vaksinuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë shumicën e vdekjeve nga Covid në muajin gusht.

“Ky njoftim, me siguri, do i japë fund një sërë “tregimeve” rreth Covid. Sipas ‘Washington Post’, një analizë e kryer nga ‘Fondacioni i Familjes Kaiser’, zbuloi se 58% e vdekjeve nga Covid në muajin gusht 2022, ishin të vaksinuar, ose me vaksinën përforcuese.” – shkruhet në brendësi të artikullit.

Screenshot nga artikulli i Mast.al, 27 nëntor

Artikulli vërtetë bazohet në gjetjet e “Fondacionit të Familjes Kaiser”, publikuar në formën e një analize në gazetën prestigjioze “Washington Post”, më 23 nëntor, por e vërteta është se alarmi që ngre portali Mast.al mbi vdekjet e të vaksinuarve kundër Covid-19 është vetëm një pjesë e analizës origjinale, e thënë ndryshe gjysmë e vërteta e saj.

Në shkrimin original “Washington Post” sqaron përmes ekspertëve disa arsye se përse këto shifra nuk janë befasuese.

  • Në këtë pikë të pandemisë, shumica e amerikanëve e kanë marrë të paktën dozën e parë të vaksinave kundër koronavirusit, kështu që ka kuptim që njerëzit e vaksinuar të përbëjnë pjesën më të madhe të vdekjeve;
  • Individët në rrezik më të madh për të vdekur nga një infeksion koronavirusi, si të moshuarit, gjithashtu kanë më shumë gjasa që të kenë marrë injeksionet;
  • Vaksinat humbasin fuqinë kundër virusit me kalimin e kohës dhe variantet që lindin janë më të afta t’u rezistojnë vaksinave, kështu që nevojiten përforcues të vazhdueshëm për të vijuar parandalimin e sëmundjeve dhe vdekjes.”- sqarohet në brendësi të analizës.

Pikërisht, këto argumentime janë anashkaluar nga shkrimi i përkthyer në shqip për mast.al, duke nxjerrë nga konteksti shkrimin origjinal që ai citon si burim.

Po ashtu, analiza e “Washington Post”, thekson se të qenit i pavaksinuar mbetet një faktor i madh rreziku për të vdekur nga Covid-19, bazuar mbi studimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Përsa i përket argumentimit të fakteve bazuar mbi statistikave, duhet të theksohet se shifrat krahasimore nuk janë gjithmonë burim shterues për të arritur në përfundime të logjikshme. Kështu fakti që sipas CDC, mbi 80.7% e popullsisë amerikane ka marrë deri më sot të paktën një dozë të vaksinës anti-Covid, është e logjikshme që statistikat të tregojnë më shumë të vaksinuar që pësojnë aksidente; më shumë të dënuar për krime dhe të burgosur nga të vaksinuarit; apo edhe të divorcuar të vaksinuar sesa të pavaksinuarit. Të gjitha këto statistika, mund të publikohen në ditët në vijim, por nuk do të jenë provë e ndonjë pasojë anësore të vaksinimit apo dyshimeve të tjera që mund të pasojnë në rrjet.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img