BallinaFaktometerE vërtetëNis shpërndarja e bonusit të pensionistëve

Nis shpërndarja e bonusit të pensionistëve

Edhe këtë fundvit, mbi 600 mijë pensionistë në të gjithë vendin do marrin shpërblimin prej 5 mijë lekësh si ‘dhuratë’ nga qeveria për festat e fundvitit. Nga një vëzhgim i Faktoje rezulton se bonusi ka nisur të shpërndahet në të gjitha pikat postare, të nesërmen e vendimit të qeverisë, gjë që u konfirmua edhe nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

 Nicholas Theodhos

“Dola sot pas mbledhjes së qeverisë, për një arsye të vetme, sepse kemi marrë një vendim, të cilin ua kemi premtuar pensionistëve dhe sot, falë këtij vendimi, duke filluar nga dita e nesërme do të fillojë lëvrimi i bonusit të fundvitit për të gjithë 695,101 pensionistë, prej 5 mijë lekësh të reja.”– deklaroi kryeministri Edi Rama më 1 dhjetor, pas mbledhjes së qeverisë.

Më 2 dhjetor, Faktoje vendosi të verifikojë në terren, nëse kishte nisur shpërndarja e bonusit të pensionistëve në pikat e shpërndarjes pranë sporteleve të postës shqiptare. Verifikimin e nisëm me zyrën postare numër 29, në rrugën “Themistokli Gërmenji” në Tiranë.

Zyra nr 29 e Postës shqiptare

Prej orëve të para të mëngjesit e deri në mesditë, sportelet e zyrës postare numër 29 kishin radhë të gjata pensionistësh në pritje të marrjes së shpërblimit 5 mijë lekë. Ata na konfirmuan se e morën shpërblimin, por ankohen se ai mbetet i ulët, kundrejt çmimeve të papërballueshme, sidomos nga kjo kategori.

“5 mijë lekë nuk janë hiç gjë për mua që marr 10 mijë lekë pension dhe më duhet të paguaj çdo muaj një faturë të lartë për ilaçet që marr, për shkak të sëmundjeve që kam prej vitesh.” – na thotë një pensioniste që priste në radhë për shpërblimin.

“Puna ime është vlerësuar shumë pak. Këto shpërblimet mirë bëjnë që na i japin, por ne na duhet pension më i lartë. Çmimet janë bërë të papërballueshme, me 5 mijë lekë marrim një pulë se gjelin se arrijmë dot.”- thotë një tjetër pensionist që sapo ka marrë pensionin bashkë me shpërblimin e fundvitit.

Por ka dhe nga ata pensionistë që i gëzon shpërblimit pa ankesa.

“Shumë e kënaqur jam. Marr 23 mijë lekë pension dhe tani mora dhe këtë bonusin.” – tregon një tjetër e moshuar në dalje të zyrës postare.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore konfirmon për Faktoje se shpërndarja e bonusit të pensionistëve ka nisur në të gjithë vendin nga kjo e premte. Ndërkohë në një njoftim zyrtar sqaron kategoritë përfituese dhe thekson se e drejta e tërheqjes së bonusit ruhet deri në 36 muaj nga data e miratimit të Vendimit.

Referuar vendimit të qeverisë, shpërblimet do të kalojnë në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor dhe do të shpërndahen gjatë këtij muaji. Por edhe në rastet kur pagesa nuk kryhet brenda muajit dhjetor 2022, bonusi do të jepet gjatë vitit të ardhshëm. Përfitues janë 695,101 pensionistë dhe vlera totale e shpërblimeve të fundvitit llogaritet në shumën 3 503 309 000 (tre miliardë e pesëqind e tre milionë e treqind e nëntë mijë), të cilat përballohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Bonusi për festat e fundvitit është një praktikë e nisur fillimisht nga qeveria e Partisë Demokratike. Me ardhjen në pushtet, socialistët e vazhduan traditën me shpërblime që nisën me 3 mijë lekë dhe vitet e fundit janë bërë 5 mijë lekë. Këtë vit, ndryshe nga më parë, shpërndarja nisi në fillim të muajit, ndërkohë që vitet e tjera, paratë shpërndaheshin në ditët e fundit të vitit.

Nisur nga verifikimi i kryer, vendosëm që deklaratën e kryeministrit Rama se që prej kësaj të premteje do të niste lëvrimi i shpërblimit për pensionistët, ta kategorizojmë të vërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img