Në Bubq, më shumë se 120 familje të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, presin përfundimin e procesit të rindërtimit për t’u futur në shtëpitë e reja. Në muajin maj, pas skadimit të afatit për përfundimin e banesave individuale dhe në prag të skadimit të afatit për banesat kolektive, Ministri Ahmetaj premtoi përfundimin e punimeve brenda fillimit të muajit korrik. Pak përpara se të mbaronte ky afat, kryeministri Rama e ka paralajmëruar shtyrjen e radhës, për në vjeshtë. Nga verifikimi në terren i Faktoje, rezulton se afati i premtuar është në shkelje edhe të afateve të parashikuara që shfaqen në tabelën e punimeve në kantierin e banesave kolektive.
Më 21 maj, kryeministri Rama dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, shkuan në Bubq për të ndjekur ecurinë e punimeve të rindërtimit.
*Numri prej 75 banesash individuale është ndryshuar më pas
Në këtë zonë, njësi administrative të Bashkisë Krujë, po rindërtohen 78 banesa individuale dhe 45 apartamente të organizuara në 7 pallate, për një total prej 123 familjesh.
Marrë nga Facebook-u i kryeministrit Rama, Bubq, 21 maj 2021
Duke folur për afatin e rindërtimit të këtyre shtëpive, ministri Ahmetaj siguroi kryeministrin Rama se ato do të përfundonin brenda fillimit të muajit korrik.
“Këtu kemi për banesat individuale, rreth 40-50 ditë punë, ndërsa për pallatet dorëzohen në 25 qershor të shtata” – u shpreh zoti Ahmetaj.
Marrë nga Facebook-u i kryeministrit Rama, Bubq, 21 maj 2021
Më 5 korrik, kryeministri Rama u kthye në Bubq, këtë herë në mungesë të ministrit Ahmetaj dhe i shoqëruar nga zoti Dritan Agolli, drejtor i FSHZH, e cila është njësi zbatimi për procesin e rindërtimit të ndërtesave të reja në këtë zonë. Ai erdhi 47 ditë pas premtimit të ministrit Ahmetaj për shtëpitë individuale, dhe në përfundim të afatit të vendosur për pallatet e reja.
Premtimi, jo vetëm që nuk ishte mbajtur për asnjë prej dy kantiereve, por kreu i qeverisë vendosi një afat të ri për përfundimin e 123 banesave, vjeshtën e vitit 2021.
Marrë nga Facebook-u i kryeministrit Rama, Bubq, 5 korrik 2021
Më specifik në vendosjen e afatit të ri u tregua zoti Agolli, i cili i tregoi kryeministrit Rama se bashkë me infrastrukturën, e cila do të kërkonte një muaj kohë pas përfundimit të punimeve për shtëpitë e reja individuale dhe kolektive, rindërtimi në Bubq do të mbaronte në nëntor.
Marrë nga Facebook-u i kryeministrit Rama, Bubq, 5 korrik 2021
“Në nëntor kjo është një lagje rezidenciale, që siç ju e keni thënë shpeshherë, si të pasurit, por për njerëzit e thjeshtë” – i tha drejtori i FSHZH kryeministrit Rama.
Marrë nga Facebook-u i kryeministrit Rama, Bubq, 5 korrik 2021
Faktoje shkoi më 7 korrik në Bubq, 47 ditë pas deklaratës së ministrit Ahmetaj, për të parë situatën në terren.
Kantieri i njësive individuale në Bubq, 7 korrik 2021
Situata që gjetëm në Bubq ishte e përafërt me atë që ishte transmetuar dy ditë më parë në rrjetet sociale të kryeministrit Rama. Nuk ishte përfunduar akoma asnjë nga shtëpitë, individuale apo kolektive.
Kantieri i njësive kolektive në Bubq, 7 korrik 2021
Çfarë na tërhoqi vëmendjen ishte fakti se për rindërtimin e shtëpive kolektive, për të cilat kryeministri Rama vendosi vjeshtën si afat, sipas tabelës afati përfundonte që në muajin qershor dhe në përputhje me deklaratën e 21 majit të ministrit Ahmetaj.
Tabela e punimeve për kantierin i njësive kolektive në Bubq, 7 korrik 2021
Ndërsa për sa i përket shtëpive individuale, ashtu siç kemi shkruar 3 muaj më parë, tabela e punimeve nuk gjendet në këtë kantier. Në muajin prill kur raportuam mbi verfikimin e ecurisë së procesit të rindërtimit për shtëpitë individuale në Bubq, nuk gjetëm një të tillë. Tabelën e gjetëm në kantierin e banesave individuale në Fushë-Krujë, pasi të dyja projektet përfshihen në zonën e administruar nga Bashkia Krujë.
Tabela e punimeve për kantierin e shtëpive individuale në Fushë-Krujë dhe Bubq, 4 shkurt
Sipas kësaj tabele, punimet për banesat individuale në Bubq duhej të kishin përfunduar që në muajin shkurt 2021, e megjithatë afatet në këtë zonë i lënë vendin njëri-tjetrit.
Kantieri i njësive individuale në Bubq, 7 korrik 2021
Në verifikimin qe bëmë në fillim të korrikut, konstatuam se tabela e punimeve ishte hequr edhe nga kantieri i Fushë-Krujës.
Kantieri i shtëpive individuale në Fushë-Krujë ku tabela ishte hequr, 7 korrik 2021