Viti 2022 shënoi një rritje të eksporteve të Shqipërisë drejt Kinës, në masën 67%. Të dhënat zyrtare nga INSTAT, të përpunuara nga Faktoje tregojnë se Kina po “merr” nga vendi ynë xeherorë dhe koncentrate kromi e bakri. Rritjen e shifrave për eksportet e deklaroi pak kohë më parë edhe, ambasadori kinez në Shqipëri, Zhou Ding, që e cilësoi si një tregues të miqësisë mes dy vendeve.
——————————————————————–
“Në 3 mujorin e parë të këtij viti eksporti i Shqipërisë ndaj Kinës ka pasur një rritje me 60% në krahasim me këtë periudhë vitin e kaluar. Këto janë lajme inkurajuese dhe tregojnë se Kina nuk ka ndikuar aspak negativisht për Shqipërinë, vend me të cilin ka një miqësi tradicionale.
Diplomatëve nuk u vjen aspak mirë kur shohin luftën që po zhvillohet, uroj që gjithçka të përfundojë shumë shpejt. Kina po luan një rol aktiv për sa i përket luftës, duke nxitur negociata mes palëve”, deklaroi ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding në prill të këtij viti.
Në lidhje me këtë deklaratë, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim dhe iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Kërkesa për informacion dërguar Doganave, 16 maj 2022
Referuar përgjigjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave rezulton se eksportet drejt Kinës janë rritur.
Përgjigjja e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për Faktoje
Nga përpunimi i të dhënave të Doganave nga Faktoje, shihet se rritja e eksporteve në 2022 është 28%, krahasuar me tre muajt e parë të vitit 2021.
Tabela e përpunuar nga Faktoje, bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave
Nga tabela vihet re se 98% e të produkteve të eksportuara në 2021 janë: ferro-lidhjet, xeherore dhe koncentrate bakri, xeherore dhe koncentrate kromi.
Tabela e përpunuar nga Faktoje, referuar të dhënave nga Doganat
Në vitin 2022, rezulton se 99% e produkteve të eksportuara drejt Kinës janë: xeherorë dhe koncentrate kromi, xeherorë dhe koncentrate bakri dhe veshje të këmbëve.
Tabela e përpunuar nga Faktoje, referuar të dhënave nga Doganat
Në vitin 2022, rezulton se 99% e produkteve të eksportuara drejt Kinës janë: xeherorë dhe koncentrate kromi, xeherorë dhe koncentrate bakri dhe veshje të këmbëve.
Tabela e përpunuar nga Faktoje, referuar të dhënave nga Doganat
Ne iu referuam edhe të dhënave të INSTAT për të parë se në çfarë niveli janë eksportet e Shqipërisë drejt Kinës në tre muajt e parë të vitit 2021 dhe atij 2022.
Sipas shifrave të INSTAT dhe të përpunuara nga Faktoje, Kina është vendi i 6-të tek i cili ne eksportojmë dhe po sipas këtyre të dhënave, vlera e eksporteve në lekë, jo në sasi, është rritur me 67%. Pra, rezulton se shifra përputhet me deklaratën e ambasadorit të Kinës në vendin tonë.
Tabela e përpunuar nga Faktoje, bazuar në të dhënat e INSTAT
Mirëpo, nga të dyja tabelat e përpunuara nga Faktoje, bazuar në të dhënat e dy institucioneve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Institutit të Statistikave, rezulton se ka një mospërputhje të shifrave. Për të kuptuar se ku qëndron diferenca mes shifrave të Doganës dhe INSTAT vumë re që viti 2022 përputhet si INSTAT dhe Doganat, pranë kanë të njëjtën shifër. Ndërsa për vitin 2021 vihet re se kemi një diferencë mes INSTAT dhe Doganave, që shkakton këtë ndryshim të treguesit, pra që e ul shifrën e eksporteve nga 67% sipas INSTAT në 28% sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Ne iu drejtuam sërish Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të saktësuar ku qëndron problemi në lidhje me shifrat e raportuara për vitin 2021 dhe për se ato nuk përputhen me të dhënat e INSTAT. Jemi në pritje të një përgjigje nga ky institucion.
Kërkesa dërguar Doganave, 21 qershor 2022
Ne pyetëm ekspertin Genti Beqiri, se si e shpjegon rritjen e eksporteve me 67% drejt Kinës. Zoti Beqiri sqaron ndër të tjera se çmimet favorizuese të vendit tonë e kanë bërë që të ketë një lloj rritje të kërkesës nga Kina.
“Në lidhje me rritjen e eksporteve me Kinën në 3 muajt e parë është e kuptueshme që krahasimi në një farë mënyre nuk është shumë korrekt, sepse vitin e kaluar ne kemi qenë në pandemi dhe çështjet e transportit ndërkombëtar kishin hasur shumë probleme.
Normalisht kemi në një farë kuptimi rikthimin e aktivitetit normal tregtar dhe për më tepër që duke pasur parasysh edhe llojin e eksporteve drejt Kinës, ka të bëjë me kërkesën e vazhdueshme të industrisë kineze për minerale, për produkte të lëndës së parë dhe janë të të nevojshme për përpunim dhe më pas për produkte fundore.
Kina vazhdon të jetë ndër vendet me kërkesë më të lartë dhe mesa duket çmimet favorizuese të vendit tonë e kanë bërë që të ketë një lloj rritje të kërkesës. Prapë, gjithsesi dy elemente janë të rëndësishëm në këtë shifwr, e para krahasimi me një periudhë jo të favorshme, pra kur flitej akoma në një situatë gjysmë-pandemie, me probleme të theksuara transporti, por në këtë rast flitet edhe për nivel të caktuar të rritjes së çmimeve që po haset në këtë periudhë”, argumenton eksperti.
Investimet e Kinës në Shqipëri
Nga një verifikim i Faktoje dhe kontrolli i studimit të publikuar nga Balkan Insight rezulton se aktualisht Kina ka 8 projekte në vendin tonë, me vlerë rreth 650 miliardë euro.
Screenshot nga faqja e Balkan Insight
Investimet strategjike tregojnë se Kina po e forcon praninë e saj në Shqipëri dhe kjo shihet qartë edhe nga projektet që ka në vendin tonë.
Nga koncesioni i aeroportit ndërkombëtar, te blerja e vaksinave apo marrja e fushës së naftës në Patos-Marinzë janë tregues të këtij “pushteti”.
8 projektet e Kinës në Shqipëri
Një prej projekteve që ata kanë është edhe fusha e naftës në Patos-Marinzë. Sipas përshkrimit që jepet në faqen e Balkan Insight, në shtator të vitit 2016, kompania kineze “Geo-Jade Petroleum Corporation” bleu 100 për qind të aksioneve të koncesionit të kompanisë kanadeze Bankers Petroleum në Shqipëri, e cila konsiston në të drejtën e shpimit në fushën më të madhe të naftës në vend.
Screenshot nga faqja e Balkan Insight
“Kjo është gjithashtu fusha më e madhe e naftës në Europë dhe gjatë 6 muajve të parë të vitit 2019, ajo prodhoi 15,059 fuçi naftë bruto në ditë. Aktualisht prodhon 95 për qind të naftës bruto të Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në raport.
Screenshot nga faqja e Balkan Insight
Listat e pagave të publikuara në dhjetor të vitit të kaluar si pasojë e rrjedhjes së informacionit nga tatimet, ofrojnë të dhëna për të punësuarit nga Kina pikërisht në këto projekte strategjike. Nga të dhënat rezulton se numri i të punësuarve nga Kina, kryesisht te ‘Bankers Petroleum Albania’ është i lartë.
Screenshot nga lista e pagave, disa nga punonjësit nga Kina të ‘Bankers Petroleum Albania’
Në lidhje me investimet e Kinës, eksperti sqaron se si ky shtet përpiqet të rrisë ndikimin e saj nëpërmjet strategjive të caktuara.
“Për sa i përket ndikimit të pranisë së Kinës mes investimeve, duhet të kemi të qartë që ato janë jashtëzakonisht të limituara, në ndryshim me vendet e rajonit, në mënyrë të veçantë Serbia, ndoshta edhe Maqedonia e Veriut. Ne kemi qenë shumë konservatorë në heqjen e investimeve kineze edhe për faktin që ato financoheshin nëpërmjet Bankës Kineze për Zhvillim me qendër në Hungari, e cila aplikonte tarifa ose norma interesi përgjithësisht të larta për t’i bërë të mundur materializimin e këtyre investimeve. Mbajmë parasysh këtu rrugën që lidh Tiranën me Dibrën, me Bulqizën, me zonat e tjera, pra “Rrugën e Arbrit”. Normalisht edhe ajo nuk u materializua për këtë arsye.
Faktikisht Kina ka ndjekur një politikë të caktuar që tashmë është zhvilluar shumë sidomos në vendet e Afrikës, duke gjetur akses, duke investuar në projekte të mëdha infrastrukturore si hekurudhë, rrugë, aeroporte etj, në këmbim të aksesit për lëndë të parë, në mënyrë të veçantë për minerale apo lëndë të tjera të nevojshme për zhvillimin e industrisë kineze, që është përherë e më shumë në kërkim të tyre.
Pra, e gjithë kjo situatë aktuale ekonomike është shumë e lidhur me aksesin në burime në lëndë të parë, mundësisht me çmime sa më të ulëta, në mënyrë që të jesh kokurrues të tregun e produkteve përfundimtare dhe Kina këtë po përpiqet ta kryejë në mënyrën më shpejtë dhe më strategjike të mundshme”, thekson zoti Genti Beqiri.
*Pak orë pas publikimit të artikullit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në një përgjigje zyrtare për Faktoje sqaron:
“Sektori i Statistikave, pranë DPD, shprehet se: mospërputhja e shifrave të marra nga ne dhe ato të publikuara nga INSTAT, mund të jetë edhe si rezultat i metodologjive të përpunimit të të dhënave (INSTAT), të cilat përfshijne ose perjashtojnë procedura të ndryshme doganore, në ndryshim nga metodologjitë tona (DPD) .
Bazuar në ligjin për statistikat zyrtare, institucioni që ka të drejtë të publikojë dhe të furnizojë përdoruesit me të dhëna që do të përdoren për publikim, është INSTAT”.
Përgjigjia e Doganave për Faktoje, 27 qershor 2022
*Kjo shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor