Kanë kaluar dy vite nga shembja e shtëpive në lagjen “5 Maji” në Tiranë, për t’i hapur rrugë ndërtimit të lagjjes së re “Tirana Riverside”. Banorët e mbetur pastrehë për shkak të shpronësimeve, nuk i kanë marrë ende shtëpitë, edhe pse kryebashkiaku Veliaj premtoi strehimin e një pjese të tyre në godinën 18 para Vitit të Ri. Faktoje bisedoi me nënë Lizën, 79 vjeçaren që u nxorr dhunshëm nga shtëpia dhe që sot shtyn pleqërinë në një dhomë me qira.
Në shtator të vitit 2023, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli për projektin “Tirana Riverside” në zonën e 5 Majit, ku ndër të tjera theksoi se kishte përfunduar godina 18 dhe një pjesë e banorëve të mbetur pastrehë nga shpronësimet, do të futeshin në këtë objekt para Vitit të Ri. Sipas informacioneve zyrtare, godina ka 102 apartamente.
“Jemi gati që para Vitit të Ri të fusim familjet që kanë fituar…Besoj që dhe banorët që kanë pasur shtëpi informale këtu, do të marrin diçka shumë herë më dinjitoze, me parking nëntokësor”-deklaroi Veliaj.
Më 16 janar Faktoje bëri një verifikim në lagjen “5 Maji”, ku takuam banorë, shtëpitë e të cilëve u shembën për shkak të procesit të shpronësimit. 79-vjeçarja, Liza Marku u kthye në personazhin e ditës dy vite më parë, pasi u nxorr dhunshëm nga banesa.
“Unë kam pasur tri kate shtëpi, kanë qenë 12 dhoma, 6 banjo. Me 19 janar bën dy vjet që është shemb. Unë jetoj me qira. Njëherë nga Bregu i Lumit, shkova pak ndejta nga fëmijët. Tani erdha dhe kam zënë një dhomë aty afër.
Ditën e shembjes së shtëpisë kërkova të marr të paktën rrobat e vdekjes. Më kapën zvarrë katër apo pesë policë nga shtëpia ime, duke mbrojtur mundin e fëmijëve të mi. Sot, jam pa shtëpi, pa banjo, pa asgjë”, tregon 79-vjeçarja.
Nënë Liza kërkon nga shteti që t’i japë shtëpinë sa më parë.
“Unë kërkoj nga shteti të na japë shtëpitë sa më parë. Ka thënë do i ndaj, do ua jap para Vitit të Ri, herë do ua jap, herë jo. Unë dua t’i marr sa të jem vetë gjallë, të vdes në shtëpinë time, të mos vdes në rrugë. Nuk u beson nëna më, veç Zotit në qiell. Nuk u besoj, se këta rrejnë, gjithë ditën rrejnë”-shprehet ajo.
Gjin Nikolli është një tjetër banor që ka mbetur i pastrehë, për shkak të procesit të shpronësimeve te 5 Maji.
“Shtëpia është shembur në shkurt të vitit 2022 dhe që prej asaj dite jetoj me qira. Qiranë unë e kam firmos, kurse kontratën nuk e kam firmos, sepse kontrata nuk përmban asnjë të dhënë se kur unë do ta marr shtëpinë, në cilën datë, në cilin muaj, në cilin vitin, në cilin vend dhe për këtë kemi kërkuar që të na bëhet e qartë se ku do ta marrim, kur?”-sqaron Gjin Nikolli.
Pyetjes nëse i kanë marrë shtëpitë banorët e tjerë të prekur nga procesi i shpronësimit te 5 Maji, Nikolli i përgjiget:
“Jo, jo. Me aq sa dimë ne, prej këtu, deri të ura e Babrroit, askush nuk ka marrë banesë. Fakti që këtu pas dy vitesh nuk kanë nis me u ndërtu, tregon se edhe sikur nesër me fillu me u ndërtu shkon 2 vjet. Nuk e di si mund të sillet një shtet, një bashki ashtu me komunitetin e vet, me njerëzit e vet, me familjet, që quhen një familje e përbashkët!”
Në lagjen “5 Maji” kishin përfunduar një pjesë e pallateve ku ishin akomoduar banorët e mbetur pastrehë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019, konkretisht në godinat numër 15 dhe 19.
Një pjesë e tyre ishin drejt përfundimit, ndërsa në të tjera vijonte puna.
Për sa i përket zbatimit të projektit dhe familjeve që priteshin të akomodoheshin në godinën 18, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 10 janar 2023
Deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk kemi një përgjigje nga institucioni në fjalë.
Në janar të vitit 2022, Faktoje raportoi në një artikull se shpronësimi dhe shembja e disa shtëpive në lagjen ‘5 Maji’, për projektin “Tirana Riverside” tregoi për mungesën e një plani të qartë dhe transparent për strehimin e banorëve të prekur. Ata shprehnin shqetësimin për një akt-marrëveshje të ofruar nga bashkia Tiranë ku nuk specifikohej periudha se kur do t’i përfitonin apartamentet dhe në çfarë zone.
Edhe dy vite më pas, banorët ende nuk kanë shtëpitë dhe madje asnjë informacion kur dhe ku do t’i marrin banesat.
Verifikimi i Faktoje tregon se premtimi i kryebashkiakut Veliaj për strehimin e një pjesë të banorëve në Lagjen 5 maji, dy vite pasi u nxorrën nga banesat që u shembë, është një premtim i pambajtur.