“Jemi të vetëm në këtë përpjekje për ekzistencë”, u bë fraza e dytë më e përdorur pas asaj, “luftë” për fillim-pandeminë “Covid-19” nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Bashkimi Evropian do ofrojë ndihmë vetëm për vendet që kanë hapur negociatat”, shprehej ministri për Korona virusin, Arben Ahmetaj. Dyshimet për mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe partnerë të tjerë u bënë “fakt i kryer” edhe nga aktorë të tjerë politikë dhe jo vetëm në Shqipëri. Por, a pati solidaritet evropian dhe jo vetëm në “luftën” e deritanishme me “Covid-19”?
Fillimi i pandemisë “Covid-19” e gjeti të papërgatitur Bashkimin Evropian. Italia si vatra evropianë e “Covid-19” dhe mos reagimi në kufijtë e neglizhencës shtuan skepticizim për “solidaritet” nga Bashkimi Evropian në përballjen me “Covid-19”. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç shprehej i zhgënjyer nga Bashkimi Europian duke lajmëruar se do i kërkohej ndihmë Kinës. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një letër të hapur për Italinë shprehu ndjesën për mos reagimin e menjëhershëm dhe njëherazi mbështetjen e pakushtëzuar për Italinë.
“Evropa po mobilizohet përkrah Italisë, por duhet të pranohet se në ditët e para të krizës, përballë nevojës për një përgjigje të përbashkët, shumë vende kanë menduar vetëm për problemet e tyre në shtëpi”- u shpreh Ursula von der Leyen.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në disa reagime në formë bashkëbisedimi me qytetarët u shpreh më 19 mars se vendi gjendej i vetëm në këtë “luftë”.
“Po mirë ky pushtim pa armë, na ka detyruar ne shqiptarëve të rijetojmë si në një ëndërr keqe tamam si në rrethim, po si duhet ta programojmë ne furnizimin e të gjitha forcave tona të rezistencës brenda kështjellës sonë, kur ky agresion armiqësor, i ka detyruar edhe demokracitë më të mëdha të planetit, të kthehen në kështjella buzë deteve të tyre, që nuk dihet sa kohë do të detyrohen edhe ato të jetojnë si në rrethim! Edhe njëherë, motra e vëllezër, ndajeni bashkë me mua mendjen, që në këtë luftë për ekzistencë në kuptimin më brutal të fjalës ekzistencë, jemi vetëm”- u shpreh kryeministr Rama.
Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati nga ana tjetër, përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook” më 17 mars shprehej gati “në bindje” se Bashkimi Evropian nuk do i “mbyllte sytë” përballë kësaj “lufte”.
“Ne shqiptarët jemi dëshmitarë dhe përfitues të solidaritetit evropian në ditët më të vështira të goditjes që morëm për shkak të tërmetit, vitin e kaluar. Ndaj, le mos të errësojmë logjikën e të arsyetuarit e as të shtojmë panikun. Por të fuqizojmë bashkëpunimin me BE-në, sepse aksesi në tregun evropian për pajisjet mjekësore gjatë luftës me virusin nuk do të mungojë. As mbështetja për të reduktuar pasojat socio-ekonomike të Pandemisë përmes programeve të ndryshme financiare të BE-së”-deklaroi Bushati.
Në donacionin prej 50 milionë eurosh nga BE-ja për Shqipërinë, për të përballuar situatën nga COVID-19, ministri Arben Ahmetaj theksoi këmbënguljen e figurave kryesore të BE.
“Sot Bashkimi Evropian, Komisioni i dha sot Shqipërisë 50 mln euro…Por çfarë ndodhi, duhet t’ua themi qytetarëve. Paratë e kësaj pakete ishin vetëm për vendet që kanë hapur negociatat, siç ishte Mali i Zi dhe Serbia. Ka qenë këmbëngulja e presidentes Urusla von der Leyen dhe e Komisionerit të Zgjerimit…dhe këta të dy që janë kampionë të mbështetjes për Shqipërinë. Ka një marrëdhënie shumë specifike, miqësore që unë e kamë parë vetë gjatë Konferencës së Donatorëve me kryeministrin. Këta dy njerëz, në kuptimin më pozitiv të fjalës, të lobuar fort nga Kryeministri dhe nga qeveria shqiptare, arritën që t’i dedikojnë Shqipërisë 50 milionë”-deklaroi Ahmetaj në 24 mars.
Por, siç rezultoi më pas, deklarata e ministrit për Koronavirusin në Shqipëri, rezultoi e pavërtetë pasi nga paketa e ndihmës financiare nga BE, përfituan të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm.
Por, përveç donacionit prej 50 milionë euro nga Bashkimi Evropian, Shqipëria u fut në vendet përfituese nga paketa 100 milionë dollarë e SHBA. Shtetet e Bashkuara gjithashtu dhuruan 30 mijë kite testimi për të bërë të mundur identifikimin dhe ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit që shkakton virusi. Ky donacion është përshëndetur si nga kryeministri Edi Rama, ashtu edhe nga kreu i opozitës Lulzim Basha.
Më 7 prill, Rama nëpërmjet një postimi në Twitter shprehu edhe falënderimin për SHBA.
“Patjetër na lumturon reagimi pozitiv i SHBA për ta adresuar ndihmën bujare në funksion të stokut të testeve”, tha kreu i qeverisë.
Në të njëjtën linjë ishte dhe krye-opozitari Basha, i cili theksoi rëndësinë e testimit dhe izolimit për ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit.
“Shpreh falënderimin tim për ndihmën financiare të SHBA, e cila do t’i mundësojë sistemit shëndetësor 30 mijë kite testimi të domosdoshëm në këtë betejë. Testimi dhe izolimi janë e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin dhe për të mposhtur virusin.”, tha zoti Basha.
Përtej donacioneve të BE dhe SHBA, vendi ynë është mbështetur me mjete logjistike mjekësore nga Turqia dhe Kina. Dhe ndërsa nuk kanë munguar falënderimet nga përfaqësues të politikës shqiptare krahas partnerëve ndërkombëtarë dhe vendeve ndihmëse, nuk ka pasur pritshmëri mbi ndihma që nuk janë plotësuar ose kritika ndaj vendeve apo organizatave specifike për ndihmën e tyre të munguar.
Por, përveç ndihmës së partnerëve ndërkombëtar, nuk munguan edhe donacionet “e brendshme”. Kryegjyshata Botërore Bektashiane i dhuroi Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, 1000 maska dhe 1000 litra dezinfektant.
Në raport të zhdrejtë me nevojat e krijuara nga situata, mund të themi se ishte bashkëpunimi rajonal midis vendeve. As kërkesa për ndihmë e as oferta për njëri-tjetrin nuk u dëgjuan nga liderët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës apo Malit të Zi.
MARJO BRAKAJ & JOEL ÇELA