DANIELA ZISI
Fshatrat Floq, Vidohovë dhe Qafëzez, në 3 bashki të prefekturës së Korçës u goditën vjet, në 1 qershor dhe 1 nëntor, nga tërmete të fuqishëm. 15 muaj më pas, rezulton se nga 670 shtëpi të dëmtuara në nivele të ndryshme, janë rindërtuar vetëm 38 dhe rikonstruktuar 76. Për mbi 550 familje të vlerësuara me dëme të riparueshme, ende nuk ka nisur kompensimi. Sa për ndihmat gjatë pandemisë, vetë bashkia Korçë pranon se ka ndihmuar 14 familje në Floq, kur banesat e dëmtuara nga tërmetet në fshat janë 317.
Pas verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve nga tërmetet e 2019-s, Floqi ishte fshati i parë që u kthye në kantier ndërtimi dhe 18 familje, banesat e të cilave iu nënshtruan rikonstruksionit të thellë, morën në dorë çelësat. Por për familjet që patën më pak dëme dhe u kategorizuan për kompesim financiar, ende nuk është dhënë zgjidhje.
Familja e Dashamir Elezit është një nga 282 familjet e prekura nga tërmeti në bashkinë e Korçës, që prej më shumë se një vitit pret kompensimin. Askush nga 4 anëtarët nuk punon dhe ndihma ekonomike iu është ndërprerë.
Jemi në pritje të kompesimit, mezi sigurojmë bukën e gojës dhe vetë nuk kishim mundësi ta riparonim shtëpinë, e cila ka për të na zënë të gjithëve brenda -shprehet Mirjeta Elezi. Kjo familje refuzoi vlerësimin e komisionit, që caktoi 30 mijë lek si kompesim, ndërkohë, që sipas një eksperti privat të kontraktuar nga familja, dëmi llogaritet në 1.2 milion lekë.
Kur mendonin sesi të dilnin nga situata që u shkaktoi tërmeti, familjeve të prekura iu desh të përballen me sfidën e radhës, izolimin nga pandemia dhe pasojat e saj.
Arritëm deri aty sa të na mungonte dhe buka. Vajza që kam në Durrës na ka sjellë ushqime dhe ajo po na mban edhe sot – thotë Mirjeta e cila ankohet se bashkia e Korçës, shpërndau disa herë ndihma në Floq, por familja e saj u përjashtua.
Haxhi Elezi dhe Fredi Ramolli, të prekur nga tërmeti, nuk mund të prisnin më gjatë të ndihmoheshin nga autoritetet për të riparuar shtëpinë. Haxhiu thotë se mori rreth 600 mijë lek borxh për të ndërhyrë në pjesët e dëmtuara nga tërmeti, por s’i ka shlyer dot. Pas tërmetit familja Elezi u vendos në një shtëpi me qira në Korçë, por edhe këtë pagesë, bashkia nuk e ka paguar. Në pritje të dëmshpërblimit, familja mundohet të mbledhë të ardhura nga prodhimet bujqësore dhe bimët mjekësore.
Me 5 mijë lekët që merr nga asistenca, e kaloi periudhën e izolimit nga pandemia edhe familja e Fredi Ramollit. Prej 1 qershorit të 2019-s ajo ngrysej e gdhihej në një kasolle.
Banorët e Floqit marrin borxh për bukë dhe rindërtim!
Fjetëm disa muaj në kasolle, me shpresë se do na ndërtohej shtëpia ose do na kompensohej dëmi. Por nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. U detyruam të kërkonim para borxh për të riparuar pasojat e tërmetit dhe një Zot e di me çfarë do ta shlyejmë – thotë Ida Ramolli e cila përsërit të njëjtën ankesë si shumë familje të tjera, mungesën e ndihmave nga bashkia.
Bashkia e Korçës gjatë muajve të izolimit ndau rreth 2 mijë pako ushqimore, për kategoritë e përcaktuara nga akti normativ. Më tepër se një mijë pako ushqimore dhe sanitare u siguruan nga fondi prej 2 milion lekësh i bashkisë së Korçës dhe pjesa tjetër ishin ndihma nga rezervat e shtetit, organiztatat dhe institucionet e administratës publike -shprehet nënkryetari i bashkisë, Klejton Kita.
14 familje familje në Floq, gjatë pandemisë bashkia i trajtoi me 3 deri 5 pako me ushqime -tha Kita, i cili shtoi se të gjitha familjet në vështirësi ekonomike dhe pa të ardhura, përfshirë edhe të prekurit nga tërmeti, janë mbështetur nga bashkia e Korçës.
Në raportin përfundimtar të Prefekturës së Korçës, mbi dëmet nga tërmeti, rezulton se në Floq janë dëmtuar 317 banesa, prej të cilave 17 të shkatërruara, 18 të dëmtuara rëndë dhe pjesa tjetër me dëmtime të lehta. Referuar këtij raporti, numri i familjeve që u ndihmuan nga bashkia, është i papërfillshëm krahasuar më numrin e familjeve që pësuan dëme nga tërmeti.
Vidohova, ende gërmadha dhe varfëri!
Vidohova, një nga fshatrat më të thellë të bashkisë së Devollit, prej nga shquhet me sy të lirë brezi kufitar që e ndan nga Greqia, vuan mungesën e investimeve dhe shërbimeve jetike, prej vitesh. Muajt e izolimit nga pandemia, vështirësuan më tej mbijetesën e dhjetra familjeve të varfra, të cilat e goditën nga dy tërmetet.
Rruga prej 4 km nga Mirasi deri ne fshat, është e amortizuar dhe banorëve u duhet të lëvizin me kafshë ose në këmbë, gjatë verës. Në dimër segmenti është i pakalueshëm për shkak të borës.
Këshilli Bashkiak i Devollit ka miratuar listën me 23 familje, shtepitë e të cilave u dëmtuan nga tërmetet e 1 qershorit dhe 1 nëntorit, 5 prej të cilave në fshatin Vidohovë. Kryetari I Bashkisë Devoll, Eduard Duro, pohoi se pas miratimit të listës është çelur dhe fondi i bonusit të qirasë, të cilën do e përfitojnë të gjithë individët që kanë siguruar një kontratë me qiradhënësin.
Një prej shtëpive të dëmtuara rëndë nga lëkundjet sizmike të 1 qershorit dhe më pas të 1 nëntorit, të 2019-s është ajo e familjes Xhihani.
Shiritat rrethojnë mbetjet inerte, të cilat ende nuk janë hequr. Po aty kanë mbetur disa mobilje dhe shtretër ku 4 prej anëtarëve të familjes së madhe me nëntë anëtarë kalojnë netët, atëherë kur ua lejon moti.
Kryefamiljari Myslym Xhihani, banesa e të cilit u vlerësua e dëmtuar rëndë thotë:
Kanë kaluar 15 muaj dhe çdo gjë ka mbetur si ditët kur ra tërmeti. Shtëpia ime u shkatërrua plotësisht dhe u detyruam ta kalonim gjithë dimrin në çadër dhe tani që po vjen dimri tjetër, ne jemi përsëri në qiell të hapur.
Familja Xhihani u strehua disa muaj në një shtëpi me qira në Vidohovë, por me fillimin e pandemisë, të zotët e shtëpisë u kthyen, ndërsa ata, pa mundësi tjetër strehimi, e gjetën veten mes katër rrugëve.
Kam më tepër se 5 muaj, që jetoj bashkë me fëmijët në këto gërmadha, gjumin e bëjnë jashtë. Mezi ia dalim të ushqehemi, sidomos në këtë kohë, kur edhe kufiri me Greqinë, vazhdon të jetë i mbyllur. Toka nuk kemi, jetojmë vetëm me pensionin e pleqve, që nuk del as për të blerë ilaçet e tyre – thotë 37 vjeçarja Valmira Xhihani, e cila shton: Një pako me ushqime sollën, që mjaftoi vetëm për dy ditë!
Edhe 70 vjeçarja, Shegë Qazolli, shtëpia e së cilës u vlerësua për kompensim financiar 50 mijë lekë, ende nuk e ka marrë dëmshpërblimin. Sa për kohën e pandemisë, thotë se ndihma që mori nga bashkia ishte një pako me ushqime me vlerë rreth 1 mijë lek.
Jam invalide dhe jetoj vetëm. Më shumë se për ushqime, kam nevojë për shërbim, pasi nuk mund të lëviz.” -ankohet ajo.
Ashtu si Shegë Qazolli edhe Manol Hoxhalli, ka statusin e invalidit të grupit të dytë, por familja e tij me pesë anëtarë nuk u ndihmua nga bashkia muajt e izolimit. Shtëpia është thuajse e pabanueshme, por edhe kaq muaj pas tërmetit, s’e ka marë komensimin.
Jetojmë me frikë, se shtëpia është shumë e dëmtuar. Muret janë të çarë dhe tërmeti i ka zhvendosur me disa centimetër. Kam dy fëmijë në shkollë dhe nuk kam me çfarë ta riparoj shtëpinë, pasi edhe materialet e ndërtimit dhe transporti i tyre deri në fshat, për shkak të rrugës së keqe, kushton shumë – thotë Hoxhalli.
Sipas kryebashkiakut të Devollit, Duro bashkia ka shpërndarë rreth 2 mijë pako ushqimore për të gjitha kategoritë.
Edhe pse akti normativ nuk përfshiu sipas Duros të prekurit nga tërmeti në Qarkun e Korçës, bashkia ndihmoi me ushqime dhe shërbime të tjera çdo familje në vështirësi ekonomike si dhe kategorinë e pensionistëve të vetmuar dhe invalidëve. Në fshatin e thellë, ku kanë mbetur rreth 90 familje, vera mbaron shpejt dhe banorët po bëhen gati për të pritur dimrin e ashpër.
Dimri po e gjen pa një çati mbi kokë edhe 64 vjeçarin Pëllumb Lumi, shtëpia e të cilit u shpall e pabanueshme nga tërmetet. Vjet, familja me 6 anëtarë u strehua tek nje banesë me qira, por nga prilli dhe në vazhdim, ata u kthyen sërish në shtëpinë e tyre.
Nuk kam zgjidhje tjetër! Shtëpia mund të shembet nga pesha e borës, ndërsa bashkia ende nuk po fillon punimet për riparimin e saj – thotë Pëllumbi.
Më kanë thënë në bashki, që fondi për ndërtimin e shtëpisë sime është në bankë. Bëhet fjalë për rreth 20 mijë euro, donacion i një ambasade, por nuk e kuptoj pse nuk po tërhiqet shuma nga banka dhe të nisë riparimi i shtëpisë -thotë 64 vjeçari.
Shtëpia e Pëllumb Lumit, sipas sqarimit për Faktoje nga kreu i bashkisë së Devollit, do të ndërtohet nga themelet me një donacion të siguruar nga Ambasada Bullgare.
Punimet për ndërtimin e shtëpisë së familjes Lumi, por edhe për gjashtë shtëpi të tjera në Vidohovë, që kanë pësuar dëmtime të rënda, do të fillojnë brenda muajit shtator dhe fundi i vjeshtës do t’i gjejë edhe këto familje me shtëpi të rindërtuara – thotë Duro.
Çifti i të moshuarve, që pas vdekjes së vajzës, jeton me 8 mijë lekë që u jep bashkia, përpiqen të mbijetojnë me ato çfarë kanë mbjellë në kopsht. Gjatë izolimit të pandemisë, familja më e varfër e Vidohovës, siç tregojnë vetë banorët, mori nga bashkia vetëm dy pako me ushqime.
82 vjeçari Selajdin Mici, shtëpia e të cilit pësoi dëme të rënda nga tërmeti, jeton prej 11 vitesh i vetëm. Shtëpia e tij u shpall e pabanueshme nga tërmeti, por ai nuk ka ku të shkojë:
Nuk kam ku të fus kokën tani në pleqëri. Kur është kohë e thatë fle në kasolle, por kur bie shi futem në shtëpi, edhe pse muret anësorë janë shkëputur nga strukturat kryesore dhe nuk mbahen askund.-thotë I moshuari që ka marrë premtimin se shtëpia do të ndërtohet.
“Pronat” lenë pa shtëpi të prekurit nga tërmeti në Qafëzez!
Në Qafëzez të Kolonjës sheh shtëpi të dëmtuara edhe pas më shumë se një viti nga tërmetet që goditën juglindjen. Të pariparuara janë ende 4 shtëpi, për të cilat nuk po gjendet mundësia e financimit nga pushteti vendor. Kontenierët që shërbyen për të strehuar familjet e pastreha janë ende në qendër të fshatit. Pak metra larg tyre duket shtëpia e Petraq Dhespollarit, një ndër më të dëmtuarat nga tërmeti. Riparimi ende nuk ka filluar.
Çifti i bashkëshortëve Dhespollari, arriti mes shumë mundimesh të sigurojë një dokument përfaqësimi në emër të pronares së shtëpisë ku ishin vendosur prej 20 vitesh. Por procesi i vlerësimit kishte përfunduar dhe banesa ku ata jetonin nuk u përfshi në asnjë prej kategorive të dëmeve për shkak të problemeve me pronësinë.
Komisioni i vlerësimit më tha që shtëpia ka dëmtime të rënda dhe do të riparohet. Më sollën edhe materiale ndërtimi, çfarë më bëri të shpresoj se do fillonin nga puna. Por deri sot, nuk është bërë asgjë – pohon Dhespollari.
Dy të moshuarit, të lodhur nga ecejaket nëpër zyra, periudhën e izolimit nga pandemia, e përjetuan edhe më keq.
Edhe pse jemi pensionistë, ndihma nga bashkia nuk morëm. Të sillnin të paktën detergjentë, se për ushqime, do hamë ç’të mundim – thotë Petraqi, duke u ankuar për ndarje selektive të ndihmave.
Në Qafëzez, sipërfaqet e tokave janë lënë djerrë dhe banorët mbahen me pak blegtori dhe mbledhjen e bimëve medicinale. Produktet u mbetën pa shitur për shkak të pandemisë, ndërsa bllokimi I kufijve me Greqinë u pakësoi një mundësi mbijetese.
Edhe familja prej gjashtë anëtarësh e Izet Mukës, veç hallit të shtëpisë thuajse të rrënuar, ka edhe shqetësimin se me çfarë do të ushqehet pasi, të gjithë janë të papunë.
Nga marsi e në vazhdim ishim në kushte shumë të vështira. Vendi u mbyll dhe mbetëm në ditë të hallit. Nuk kishim asnjë të ardhur, pasi edhe djali, që punonte në ndërtim, nuk po mundet ende të gjejë punë. Bashkia ndau ndihma ushqimore në fshat, por familja jonë nuk përfitoi – ankohet Izeti.
Sa për banesën e dëmtuar, ai tregon i revoltuar se komisioni i vlerësimit, i caktoi një shumë prej 6 mijë lek të reja për riparim.
Nënkryetarja e bashkisë së Kolonjës Brikena Ali, tha për Faktoje se për 4 banesat që ende nuk janë riparuar, po kërkohen donacione, pasi bashkia e ka të pamundur të ndërhyjë me buxhetin e saj.
Për 7 familje, që i kanë shtëpitë të dëmtuara rëndë, bashkia mori përsipër mbulimin e qirasë për një periudhë njëvjeçare. Gjatë pandemisë, bashkia dha ndihma për 25 familje në fshatin Qafëzez, ku përfitues kanë qenë edhe banorët e prekur nga tërmeti. Me fondin prej 800 mijë lek të bashkisë dhe donacione të ndryshme, u ndihmuan me ushqime dhe shërbime të tjera mbi 400 pensionistë dhe 300 familje të varfra – pohon nënkryetarja Ali.
Procesi i rindërtimit “ka përfunduar”, po kompensimi?!
Tërmeti i qershorit të vitit 2019 që goditi tre bashki të juglindjes, shkaktoi dëme në 670 banesa, sipas prefektit të Korçës, Dhori Spirollari.
Në përfundim të procesit të konstatimit, verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve rezultoi që 37 banesa ishin shkatërruar plotësisht,78 banesa pësuan dëme të rënda dhe 555 pësuan dëme më të lehta, për të cilat u caktua vlera e kompesimit financiar – vijon Spirollari.
Për prefektin e Korçës, procesi i rindërtimit dhe rikonstruksionit ka përfunduar në të gjithë fshatrat e prekur nga lëkundjet sizmike, ndërsa ai i dëmshpërblimit do nisë në një moment që as ai vetë nuk e përcakton dot.
Tërmeti i 26 qershorit dhe më pas izolimi i vendit për shkak të pandemisë, vonuan në kohë mbledhjen e dokumentacionit dhe plotësimin e dosjeve për çdo familje që pësoi dëme nga tërmeti – sqaroi për Faktoje prefekti i Korçës, i cili beson që brenda këtij viti qeveria do të çelë fondin e dëmshpërblimit.