.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëA është “Rindërtimi” sukses i qeverisë Rama?

A është “Rindërtimi” sukses i qeverisë Rama?

Në 25 korrik, kryeministri Edi Rama e cilësoi rindërtimin ‘një mision të përmbushur me sukses spektakolar’, duke shkarkuar ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetajn. Faktoje kreu një verifikim të thjeshtë në terren pikërisht në zonën e Kombinatit, Durrësit edhe Vorës. Në këto zona ka akoma objekte të dëmtuara që nuk janë shembur dhe ende numërohen shumë familje që jetojnë në shtëpi me qira, pa një datë të saktë se kur do të mund të futen në shtëpitë e tyre. Në tabelat ku kompanitë po kryejnë punimet nuk ka një datë të saktë të nisjes dhe përfundimit të punimeve, edhe pse është detyrim ligjor i çdo subjekti.

——————————————————————————————————————————–

Më 25 korrik, kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, duke e cilësuar si ‘sukses spektakolar’ përmbylljen e procesit të Rindërtimit.

“Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin”, shkroi Rama në Twitter.

Screenshot nga postimi i Ramës në Twitter

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 22 shtator 2021 Ahmetaj deklaroi se procesi i Rindërtimit do të përfundonte në shtator të vitit 2022.

“Kjo është mbledhja e dytë e qeverisë dhe do të doja të ndaja me ju vendimet kryesore duke filluar me vendimet për programin e rindërtimit. Siç e dini, rindërtimi vijon me intensitet. Sot i kaluam me VKM Fondit Shqiptar të Zhvillimit rreth 30 mln dollarë për të vijuar punën në terren, që të plotësojmë atë angazhim që kemi marrë për të mbaruar punët në shtator 2022”, deklaroi Ahmetaj në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Por, si po ecën procesi i Rindërtimit, në një kohë kur kryeministri Edi Rama e quajti një “mision të përmbushur me sukses spektakolar”, ndërsa shtatori është afati më i fundit i premtuar për përfundimin e tij?

Premtimet për përfundimin e punimeve nga ish-ministri Ahmetaj kanë ndryshuar disa herë në këto tri vite. Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në tre Bashki, atë të Tiranës, Durrësit dhe Vorës.

Kombinat

Një prej zonave më të prekura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019 në kryeqytet, është edhe Kombinati. Ne ishim në Kombinat në datë 28 korrik për të parë nëse ishin “fshirë gjurmët e tërmetit” dhe si po ecte ky proces.

Sapo futesh në Kombinat vihet re se kjo zonë vazhdon të jetë mjaft problematike për sa i përket shembjeve të objekteve apo edhe rrënojave që i gjen pothuajse kudo. Në zonën pranë Postës, një pallat gjigand pritet që ende të shembet, ndërkohë që në nëntor mbushen plot tre vite. Ky objekt është shndërruar në një vend grumbullimi mbetjesh dhe herëpas’here edhe qytetarë futeshin brenda kësaj ndërtesë, duke rrezikuar jetën.

Pallati pranë Postës në Kombinat, 28 korrik 2022

“Nuk dimë kur do e shembin, po bëhen tre vje. Ne shesim këtu në treg përballë tij, mbeturina dhe pisllëk gjithandej. Banorët kanë ikur të gjithë në Astir, jetojnë me qira”, thotë një tregtare, që ka tezgën përballë këtij pallati në zonën e Kombinatit.

Pallati pranë Postës në Kombinat, 28 korrik 2022

Por, ky nuk është i vetmi pallat që ka mbetur pa shembur aty. Në brendësi të lagjeve të Kombinatit gjen kudo rrënoja dhe pallate të shkatërruara që qëndrojnë në atë gjendje prej gati tre vitesh tashmë.

Objekte që nuk janë shembur në Kombinat, 28 korrik 2022

Në rrugën “Shaban Bardhoshi” të zë syri rrënoja në çdo cep dhe objekte gati të rrënuara që ende nuk janë shembur.

Mbetjet nga shembjet në Kombinat, 28 korrik 2022

Brenda lagjeve të Kombinatit ishte edhe ky pallat, që përpos shkatërrimit, ishte rrethuar nga mbeturinat.

Pallat i dëmtuar në Kombinat, 28 korrik 2022

“Njerëzit kanë ikur, e kanë humbur shpresën se do u bëhen shtëpitë”, thotë një banorë e Kombinatit.

Durrës

Durrësi është një prej bashkive që është goditur më fort nga tërmeti i 26 nëntorit dhe duket se procesi i rindërtimit këtu do të vazhdojë edhe pas muajit shtator.

Faktoje ishte në lagjen 18 të qytetit bregdetar më 28 korrik, ku konstatuam që në atë zonë kishte ende pallate që nuk ishin shembur.

Pallat i dëmtuar në Durrës, 28 korrik 2022

“Kanë ardhur disa herë për ta parë, por asgjë nuk kanë bërë. Si ky pallat ka edhe plot të tjerë. Presin njerëzit e shkretë të marrin shtëpitë”, thotë një 65-vjeçare, banore e Durrësit.

Pallat i dëmtuar në Durrës, 28 korrik 2022

Disa metra më tutje, shihet një tjetër pallat i madh që nuk është shembur akoma.

“Kunati im është prekur nga tërmeti, janë me qira edhe sot e kësaj dite. Madje po më thoshte që ka tre muaj pa marrë bonusin e qirasë”, tregon një 45-vjeçare.

Pallat i dëmtuar në Durrës, 28 korrik 2022

Po në këtë zonë, ka edhe pallate të tjerë që pritet të shemben, edhe pse banorët janë në “qiell të hapur”.

Pallat i dëmtuar në Durrës, 28 korrik 2022

Këto objekte, përveçse rrezikojnë jetën e qytetarëve që kalojnë aty pranë, janë kthyer edhe në vendgrumbullime të mbetjeve urbane, duke u bërë burim infeksioni.

Pallat i dëmtuar në Durrës, 28 korrik 2022

Vorë

Edhe në Vorë konstatuam që kishte ende objekte pa shembur, qoftë pallate, por edhe banesa private.

“Nuk kanë bërë gjë akoma, ja këtu në qendër të Vorës ke një pallat të madh që nuk është shembur. Nuk dihet as kur do prishet dhe as kur do ndërtohet tjetri”, shprehet një 55-vjeçar, banor i Vorës.

Pallat i dëmtuar në Vorë, 28 korrik 2022

Pallat i dëmtuar në Vorë, 28 korrik 2022

Gjatë verifikimit në terren pamë edhe që një pjesë e pallateve ishin drejt përfundimit, ndërsa të tjerë kishin ende punë përpara.

Pallate në ndërtim në Vorë, 28 korrik 2022

Pallate në ndërtim në Vorë, 28 korrik 2022

Mirëpo, në tabelat e punimeve pranë kantierëve të ndërtimit ishin fshirë afatet, si data e nisjes së punimeve, por edhe përfundimi i tyre.

Tabelë në kantierin e ndërtimit në Vorë, 28 korrik 2022

Një grua 60-vjeçare tregon për Faktoje se ka rreth tre vite që jeton me qira, po ashtu edhe djali i saj së bashku me familjen.

Tabelë në kantierin e ndërtimit në Vorë, 28 korrik 2022

“Mua më janë dëmtuar 2 banesa, kemi tre vjet që presim të fusim kokën në shtëpitë tona. Mirë kjo, por askush nuk na thotë kur do futemi. Jemi përpjekur të mbijetojmë në këto vite, sepse dhe bonuset e qirasë nuk i kemi marrë të rregullta, kush e di sa herë na janë vonuar”, tregon e shqetësuar e moshuara.

Pallate në ndërtim në Vorë, 28 korrik 2022

Në zonën e Marikajt në Vorë vijon puna për ndërtimin e objekteve të reja, por banorë të zonës na thonë që aty ka ende banesa private që nuk janë shembur, ndërsa theksojnë se pronarët e tyre e kanë humbur shpresën se mund t’i marrin.

Shtëpi e dëmtuar nga tërmeti në Marikaj, 28 korrik 2022

“Ka tre vjet kjo shtëpia me shënjen ‘rrezik’, asnjë s’ka ardhur ta shembë. Pronarët kanë ikur, jetojnë me qira. Deri vjet vinim dhe interesoheshin për shtëpinë e tyre, tani nuk janë dukur më. Jemi lodhur të gjithë nga këto zvarritje”, shprehet një banor i Marikajt.

Në muajin maj të këtij viti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit bënte të ditur për Faktoje se Vora dhe Kruja, janë dy zona që mund të vijojnë procesin e rindërtimit jashtë afateve, pra përtej vjeshtës 2022.

Rindërtimi ka qenë gjithmonë në fokusin e punës së Faktoje dhe në një artikull të muajit dhjetor 2021, theksohej se si kishin ndryshuar vazhdimisht afatet e qeverisë shqiptare në lidhje me përmbylljen e këtij procesi kaq të rëndësishëm për qytetarët e prekur nga tërmeti.

Faktoje në këto tri vite ka dokumentuar se procesi i rindërtimit ka çaluar rëndë për sa i përket transparencës, por edhe mbajtjes së premtimeve.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img