.

.

BallinaPertejA është amnistia fiskale “thikë me dy presa” dhe a do ketë një “fat” ndryshe nga nisma e vitit 2011?

A është amnistia fiskale “thikë me dy presa” dhe a do ketë një “fat” ndryshe nga nisma e vitit 2011?

Me qëllim legalizimin e të ardhurave të punëtorëve informalë, qeveria propozoi nismën e “Amnistisë Fiskale” më 29 shkurt. Nën sloganin “tregoni xhepat” kryeministri Rama u shpreh se nisma do ketë në thelb “formalizimin e kapitalit”. Ai njoftoi se nisma pasi të kalonte në qeveri do të miratohej brenda muajit maj në Parlament. Por, a është në vetvete amnistia fiskale “thikë me dy presa” dhe a do ketë një “fat” ndryshe nga e njëjta nismë e vitit 2011?


Më 29 shkurt, gjatë Kongresit të Partisë Socialiste, kryeministri Rama shpalli nismën e
Amnistisë Fiskale me qëllim legalizimin e të ardhurave, duke argumentuar se ajo do jepte impakt
pozitiv në formalizimin e ekonomisë.

Ne do të lançojmë një amnisti të përgjithshme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit me një afat të kufizuar që të gjitha paratë, të gjitha asetet t’i deklarojnë. Paratë t’i fusin nëpër banka. Asetet t’i deklarojnë. Jo një, apo dy organizata, por bota mbarë të ngrihet të thotë “kjo nuk bëhet”, kjo do bëhet” – u shpreh kryeministri Rama më 29 shkurt 2020.

Më 20 prill, në “Facebook” kryeministri Rama dha detajet mbi afatet dhe mënyrën se si do
funksionojë Amnistia Fiskale.

Jemi gati që pasi ta kalojmë këtë javë në qeveri, t’ia çojmë parlamentit, të hapur për konsultime me grupet e interesit, që brenda një afati të arsyeshëm, uroj brenda majit parlamenti të mund ta miratojë, u shpreh Rama.

Çdo qytetar që ka një pasaportë të Republikës së Shqipërisë mund të përfitojë nga amnistia, sipas kryeministrit Rama.

Mendohet të ketë një kohëzgjatje prej një viti dhe të ndahet në tre fasha katër mujore. Në të
parën detyrimi për të depozituar paratë do të jetë 5% ,në fashën e dytë 7 dhe në të tretën 10, por këto janë shifra që do të kolaudohen më tutje në proces. Amnistia për të qenë përgjithmonë e qëndrueshme do të jetë fiskale dhe penale. Për të gjitha subjektet që do të kërkojnë të përfitojnë, nuk do të kenë asnjë konseguencë të asnjë natyre, vetëm në rastet kur një subjekt ka bërë një deklarim të rremë, sqaroi Rama.

Çfarë është amnistia fiskale?

Të gjithë individët që kanë punuar “në të zezë” në Shqipëri apo edhe jashtë vendit dhe kanë
krijuar të ardhura të padeklaruara deri sot, tashmë kanë një mundësi që t’i deklarojnë pa u
ndëshkuar. Me këtë nismë qytetarëve do t’u falen të gjitha detyrimet e prapambetura si pasojë e
mosdeklarimit të pasurisë së tyre, e vënë në këtë rast duke punuar në të zezë.

Ligjërisht mosdeklarimi i pasurisë është akt i veprës penale, pasi individi konsiderohet se ka
fshehur pasurinë dhe nuk ka paguar tatimin mbi të ardhurat në vlerën e 15%. Në momentin që do
të bëjë këtë deklarim të pasurisë, individi nuk do të ketë penalitete, ndërkohë që formalizohet
paraja.

Kjo nismë u shpall edhe në vitin 2011, kur ministri i Ekonomisë në atë kohë, Ridvan Bode
propozoi ligjin për “ Amnistinë Fiskale ”. Propozimi i Bodes kishte në thelb edhe “Legalizimin e
kapitalit”, çka i lejonte emigrantëve të deklaronin dhe regjistronin pasuritë e tyre në Shqipëri pa
penalitete.

Amnistia Fiskale e vitit 2011

Nisma e atëhershme hasi në kundërshtinë e opozitës së kohës, qeverisë së sotme që propozon të
njëjtën nismë. Pasi “Amnistia Fiskale” e vitit 2011 nuk u arrit të miratohej në Kuvend, kreu i
atëhershëm i opozitës, Rama reagoi duke u shprehur se nisma dështoi pasi synonte të ndihmonte
vetëm bizneset e lidhura me qeverinë.

Eksperti, rasti i Moldavisë dhe shansi i humbur në 2011

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës dhe njëherazi eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa
shprehet se Amnistia Fiskale mund të ketë edhe efekt “boomerang” duke sjellë në vëmendje
rastin e Moldavisë i cili çoi në reagime të ashpra nga FMN dhe Banka Botërore.

Në vendet me institucione të dobëta dhe ku funksionimi i shtetit ligjor është problematik,
pastrimi i parave është një aktivitet që ndodh rëndom. Një debat i njëjtë që u zhvillua gjatë vitit të kaluar në Moldavi për amnistinë fiskale, zgjoi një reagim shumë të fortë dhe të ashpër nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Në Shqipëri, FMN ka shprehur rezerva gjithashtu, por mendoj se duhet të ketë një qëndrim më të fortë, shprehet Xhepa.

Xhepa shton gjithashtu se edhe administrata tatimore mund të gjendet e papërgatitur në mbarëvajtjen e Amnistisë Fiskale.

Nuk mendoj se administrata tatimore ka kryer ndonjë reformë të rëndësishme në veprimtarinë e saj dhe që pas amnistisë, do të ketë një diferencë në mënyrën e menaxhimit të sistemit. Ne kemi parë dështime dhe në luftën ndaj evazionit fiskal përmes aksioneve që u ndërmorën dy-tre vite më parë, që çoi thjesht në falimentime biznesesh të vogla, por pa mundur të japë rezultate të dukshme në luftën ndaj informalitetit, shtoi Xhepa.

I pyetur nga”Faktoje” mbi nismën për Amnistinë Fiskale të vitit 2011, Xhepa shprehet se
dështimi është përgjegjësi politike, pasi mungoi konsensusi.

Viti 2011 mund të ishte një rast shumë i mirë për një amnisti të plotë. Pas dy dekada tranzicioni dhe vakumi ligjor apo ndryshimesh të shpeshta të legjislacionit fiskal, vendi ndërmori një reformë të forte të politikave dhe administrimit fiskal. Një nga rekomandimet që vjen nga praktikat ndërkombëtare është se aministitë duhet të vijnë si pjesë e një pakete reformash të sistemit tatimor të një vendi, dhe ai ishte një rast i tillë. Dështimi erdhi për shkak të mungesës së konsensusit politik nga PS, atëherë në opozitë, u shpreh Xhepa.

“Faktoje” kontaktoi edhe me ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode i cili ishte dhe nismëtar i Amnistisë Fiskale të vitit 2011 e cila dështoi, për të patur një opinion mbi çështjen, por deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk mundi të kishte një përgjigje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img