MARJO BRAKAJ
Me planin e veprimit që miratoi në 2018-n për të ulur korrupsionin në vend, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, zotohej në emër të qeverisë se deri në 2020-n do kishte rezultate në këtë drejtim. Por raporti i fundit i Transparency International, mbi perceptimin e korrupsionit në botë tregoi se Shqipëria ka dështuar. Institucionet e vettingut dhe SPAK janë ngritur ndërkohë, por nga ana tjetër “kanë rënë” Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë.
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Më 9 dhjetor 2018, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare Antikorrupsion, prezantoi rezultatet “optimiste” gjatë vitit 2018 dhe garantoi se me ngritjen e disa nën-institucioneve në drejtësi, gjatë vitit 2019, rezultatet do ishin edhe më të larta.
“Viti 2019, me rezultatet e reja dhe të reformës në drejtësi do të shënojë përmirësim të ndjeshëm të uljes së perceptimit të korrupsionit. Ky është vetëm fillimi i kësaj lufte tepër të rëndësishme. Viti 2019 do të shënojë rezultate domethënëse dhe nëpërmjet ngritjes së institucioneve të reja dhe zbatimit të reformës në drejtësi që në këtë moment është e pandalshme.
U ul korrupsioni apo aftësia e Shqipërisë për ta luftuar?
Instituti ndërkombëtar i matjes së perceptimit të korrupsionit, Transparency International publikoi ditët e fundit raporin për 180 vende të botës. Sipas tij Shqipëria ka humbur 7 vende për vitin e kaluar.
Sipas raportit të fundit të TIA, për vitin 2019 Shqipëria renditet e 106-a me 36 pikë ndërkohë që në vitin 2018 renditej e 99-a. Humbja me 7 vende në listë tregon se zotimi i qeverisë për të ulur perceptimin e korrupsionit në vend ka dështuar.
Çfarë ndodh me korrupsionin në rajon?
Raporti përdor një shkallë vlerësimi nga zero deri në 100 pikë, për perceptimin e korrupsionit, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar.
Kosova ka humbur 8 vende nga viti 2018, sipas këtij raporti, por ndryshe nga renditja e mëparshme, sipas Transparency International Kosova për 2019-n, ishte më mirë se Shqipëria duke u renditur në vendin 101.
- Për të ulur korrupsionin dhe për të rikthyer besimin në politikë, International Transparency rekomandon për qeveritë:
- Forcim i kontrolleve dhe ekuilibrave, dhe promovim të ndarjes së pushteteve.
- Trajtimi preferencial për të siguruar që buxhetet dhe shërbimet publike nuk drejtohen nga lidhje personale ose nuk janë të njëanshme drejt interesave të veçanta.
- Kontrolli i financimit politik për të parandaluar paratë e tepërta dhe ndikimin në politikë.
- Menaxhimi i konflikteve të interesit.
- Rregullimi i aktivitetit të lobimit duke promovuar qasje të hapur dhe kuptimplotë në vendimmarrje.
- Forcimi i integritetit zgjedhor dhe parandalimi dhe sanksionimi i fushatave dezinformuese.
- Fuqizimi i qytetarëve dhe mbrojtja e aktivistëve, njoftuesve dhe gazetarëve.
Nisur nga deklarata e ministres së Drejtësisë Gjonaj dhe asaj çfarë raporton Transparency International për korrupsionin, “Faktoje” vendosi ta kategorizojë atë Të Pavërtetë.