BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëA e ul rrezikun e përhapjes së virusit me 70% mbajtja e maskës?

A e ul rrezikun e përhapjes së virusit me 70% mbajtja e maskës?

Në kohën kur institucionet shëndetësore flasin për përhapje komunitare të Covid-19 dhe të prekurit e raportuar kanë arritur në numra treshifrorë, po bëhet thirrje për përdorimin masiv të maskave. Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë Manastirliu ndërgjegjëson individët duke deklaruar se përdorimi i maskës ul me 70% përhapjen e infeksionit. Sa e vërtetë është kjo gjetje?

 

Gjatë dy javëve të para të muajit korrik, numri i  personave të infektuar me Covid-19 në vendin tonë pësoi rritje të menjëhershme. Ndërsa raportohen shifrat në rritje, institucionet shëndetësore argumentojnë se situata po merr përmasa shqetësuese, ndaj bëjnë thirrje për përdormin e mjeteve mbrojtëse, kryesisht maskave.

Në një status në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojties Sociale Ogerta Manastirliu informon qytetarët se përdorimi i maskës ul me 70% përhapjen e infeksionit.

Nisur nga kjo deklaratë “Faktoje” i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë të cilën e pyet  për burimin ku bazohet mbi këtë gjetje. Deri në momentin e botimit të këtij artikulli, nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ky institucion.

 

Hapi i radhës ishte konsultimi me faqen zyrtare të OBSH ku nuk konstatuam ndonjë gjetje apo studim që sugjeron se mbajtja e maskës e ul rrezkun e përhapjes me 70%. Megjithatë ky organizëm e këshillon përdormin e maskave, por jo në masë  të gjerë të popullsisë, duke përcaktuar cilat janë kategoritë që duhet ta përdorin:

1)Punonjësit e shëndetësisë

2)Kushdo që ka simptoma të COVID-19, përfshirë njerëzit me simptoma të lehta

3)Personat që kujdesen për një rast të dyshuar ose të konfirmuar të COVID-19, jashtë ambienteve shëndetësore.

4)Njerëz të moshës nga 60 vjeç e lart

5) Njerëz të çdo moshe, por me kushte të veçanta shëndetësore

Më tej ne komunikuam me mjekun epidemiolog Taulant Muka i cili në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale shprehet se:

“ 70% efektivitet i uljes së infeksionit nga përdorimi i maskës është parë vetëm në studimet klinike dhe kur janë përdorur maska mjekësore/profesionale. Ndërkohë një studim i fundit në Vietnam tregoi se maskat prej rrobe (që kanë më shumë mundësi të përdorin qytetarët shqiptarë për shkak të ekonomië së ulët familjare), në krahasim me maskat mjekësore rrisin rrezikun me 13 herë për infeksione të ngjashme me gripin”

 Muka na informoi më tej se artikulli në revistën mjekësore ‘The lancet’ tregon efektivitet të maskës në masën 70% vetëm në ambjentet spitalore, ndërkohë më pak jashtë ambjenteve spitalore (bazuar në dy studime që nuk janë studime komunitare).

Deklarata e zonjës Manastirliu se mbajtja e maskës ul me 70% rrezikun e përhapjes së virusit, përputhet pjesërisht më atë çka sugjerojnë OBSH, studimet mjekësore dhe eksperti i shëndetësisë, ndaj vendosëm ta kategorizojmë si Gjysmë të Vërtetë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img