.

.

BallinaFaktometerPa kategoriA duhen kryer aksionet e IKMT në kulmin e sezonit turistik?

A duhen kryer aksionet e IKMT në kulmin e sezonit turistik?

Më shumë se 80 ndërtime në pesë plazhe të vendit, janë shembur nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, nga 10 qershori e deri më sot. Aksionet e IKMT për shembjen e objekteve në Velipojë, Shëngjin, Himarë, Karaburun e Zvërnec janë kundërshtuar nga kryetarët e bashkive, por ministri i Brendshëm, Lleshaj, ka paralajmëruar se nuk e sheh me vend bashkërendimin e punës me pushtetin vendor, kur vjen fjala për shembjen e ndërtimeve të paligjshme.


Që prej 10 qershorit, kur shembi 27 objekte në plazhin e Velipojës në Shkodër, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit e ka shtrirë aksionin edhe në zona të tjera bregdetare të vendit.

Fillimisht aksioni i IKMT u kundërshtua nga pronarët e objekteve të shembura në plazhin e Velipojës, deri në përplasje fizike, ngjarje që u pasua me një kërkesë të pushtetit vendor për nisje të hetimit nga Prokuroria, siç ndodhi me rastin e Velipojës.


Shkresa e Bashkisë Shkodër

Më 10 qershor, gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm, Lleshaj dhe atë të Turizmit, Klosi, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, kundërshtoi vendimin e qeverisë për të shembur ndërtimet pa leje në bregdet, në fillim të sezonit turistik dhe pa njoftuar paraprakisht bashkitë.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ndreu iu bashkua shqetësimit të homologes së tij, kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi.

Bashkohem me shqetësimin e zonjës Voltanë. IKMT nuk mund të veprojë si çetë atje, pa dijeninë e kryetarit të bashkisë. Mos harrojmë që jemi në datën 10 qershor. Jemi në pragun e sezonit turistik dhe barra e përgatitjes bie mbi bashkitë, mbi ne, puna jonë do të vendosë ekuilibrat, nëse do të bëjmë një sezon dinjitoz – u shpreh Ndreu.

Edhe kryeministri Edi Rama, nuk i ka pritur mirë aksionet për prishjen e objekteve në nisje të një sezoni të brishë turistik, ku sektori i turizmit përballet me krizat që solli pandemia e koronavirusit. Qëndrimin e tij, Rama e artikuloi pas aksionit për prishjen e 40 objekteve në plazhin e Zvërnecit. Ai kërkoi nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, më shumë bashkëpunim me qytetarët dhe ndërmarrje të aksioneve, pasi të ishin kryer dëgjesat me grupet e interesit.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka reaguar prerë pas reagimit të kryebashkiakëve të Shkodrës dhe Lezhës dhe akuzave të pronarëve të objekteve të prishura. Ai nuk tregoi asnjë shenjë tërheqjeje, përkundrazi paralajmëroi vazhdimin e aksioneve të IKMT pa qenë e nevojshme të verë në dijeni pushtetin vendor.

IKMT marrëdhëniet me shkelësit e ligjit i ka të drejtpërdrejta dhe nuk kalojnë nga kryetari i bashkisë, nuk negociohet me kryetarin e bashkisë për të rivendosur ligjin në një vend që është shkelur – deklaroi Lleshaj më 10 qershor.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img