Ardi Pulaj
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç deklaroi më 27 korrik 2022 se qëllimi i nismëtarëve të “Ballkanit të Hapur” është zhdukja e Bosnjë-Herzegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, situata që do të përfundonte me “luftë dhe një gjenocid tjetër”. Për ish kryeministrin dhe kryetarin e PD në Shqipëri, Ballkani i Hapur synon ndarjen e Kosovës, ndërsa udhëheqësit në Prishtinë që në krye të herës janë deklaruar kundër nismës rajonale. Faktoje përball deklaratat e politikanëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE dhe SHBA, për të zbërthyer Ballkanin e Hapur.
Gjukanoviç shfrytëzoi një intervistë për portalin nga Vojvodina “Autonomija” ku përveçse kritikoi kryeministrin Dritan Abazoviç, me të cilin ka një përplasje të hapur për marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe, që të fliste edhe për nismën rajonale Ballkani i Hapur.
Gjukanoviç ka paralajmëruar se shtete si Kosova, Mali i Zi, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, do të “zhdukeshin” nëse Ballkani i Hapur” merr jetë, raportoi ABC TV. Sipas tij qëllimi i autorëve të idesë së “Ballkanit të Hapur” është zhdukja e Bosnjë-Herzegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe shtoi se sigurisht që do të përfundonte me “luftë dhe një gjenocid tjetër”. Gjukanoviç e cilësoi projektin e “Ballkanit të Hapur” si “shumë kontrovers”, sepse tha se është skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë BE. “Si zakonisht, çdo gjë nis tradicionalisht nga pala serbe”, tha Gjukanoviç.
Analisti dhe njohësi i çështjeve të rajonit, Ben Andoni thotë se deklaratat e Gjukanoviç se dis avende do të “zhduken” është absurde se i gjithë ky format nuk shkon dot më shumë se Procesi i Berlinit dhe përfitimet janë të vogla por krijon një lloj çtensionimi në rajon, që me kohë pas luftës së Ukrainës do të bëhet më i dukshëm.
“Problemi i Gjukanoviç është se nuk është më faktor, kurse ky skenar është jashtë realitetit sepse Evropa është e kënaqur që të krijohen nisma të tilla, ku edhe projektet e BE-së të jenë më të thithshme. Realiteti pro-amerikan i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe vetë Malit të Zi e bën nul çdo parashikim. I vetmi diskutim është sesa përftojnë vendet tona nga Ballkani i Hapur. Ky është më shumë problem i ekonomistëve sesa politikanëve,” thotë Ben Andoni për Faktoje.
Jo shumë larg Podgoricës, në Tiranë, Sali Berisha, ish kryeministri shqiptar dhe aktualisht kryetar i PD-së përsëriti qëndrimin e tij se është kundër projektit Ballkani i Hapur. Për Berishën kjo nismë do të thotë ndarje e Kosovës, por si argument ka edhe dëmin që do t’i sjellë bujqve shqiptarë.
“Ballkani i Hapur, e kam deklaruar, është ndarja e Kosovës. Herë pas here e kam deklaruar por pastaj jam marrë me pasojat katastrofale për fshatin shqiptar…” deklaroi Berisha.
Ballkani i Hapur aktualisht pa Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë Herzegovinën
Ballkani i Hapur, që më herët është njohur si Mini-Shengeni Ballkanik kur u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor 2019, për momentin mbulon një zonë ekonomike dhe politike midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që synon të nxisë mundësitë e tregtisë për rreth 12 milionë njerëz si dhe të nxisë integrimin e të tre vendeve në BE. Deri më tani, tre shtetet kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh.
Në takimin e Ballkanit të Hapur që u zhvillua në Ohër më 8 qershor, të pranishëm ishin me statusin e vëzhguesit edhe dy kryeministrat e Malit të Zi dhe Bosnje Herzegovinës, Dritan Abazoviç dhe Zoran Tegeltija. Kjo pasi dy shtetet nuk janë ende zyrtarisht pjesë e nismës. “Ballkann e Hapur e shoh si ndihmë në atë që bashkë të krijojmë një të ardhme më të mirë”, tha Abazoviç, ndërsa homologu i tij nga Sarajeva tha se shpreson se në të ardhmen, përfaqësuesit e Bosnje e Hercegovinës do të flasin si anëtarë të iniciativës “Ballkani i Hapur”.
“Në Bosnje e Hercegovinë fatkeqësisht nuk ka konsensus rreth projektit ‘Ballkani i Hapur’. Nuk ka përgjigje serioze pse, nuk ka as përgjigje negative, thjesht ka një heshtje”, tha Tegeltija.
Kosova që në krye të herës ka qenë kundër nismës rajonale. Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur. Kjo pasi Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit, i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u mbështet plotësisht nga BE.
Në refuzimin e ftesës për pjesëmarrje në samitin e Ohrit, Kurtit i shkroi në qershor homologut maqedonas Dimitar Kovaçevski se Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë — e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës—që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndërkohë thekson se “Ballkani i Hapur” jo vetëm se është i rrezikshëm për Kosovën, por edhe e ngadalëson procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Ndërkombëtarët përballë përplasjeve ballkanike
SHBA, që ka intensifikuar vëmendjen ndaj rajonit e mbështet Ballkanin e Hapur, si një nismë ekonomike. Dhe si e tillë, duhet të jetë e plotë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Mesazhi ju përcoll udhëheqësve të vendeve të kësaj nisme në qershor nga i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Ky nuk është projekt politik, por është një projekt shumë i rëndësishëm ekonomik. Dhe me rëndësi është që të mbetet projekt ekonomik në mënyrë që të përqendrohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit dhe të keni përkrahje më të madhe”, tha Escobar.
Edhe Bashkimi Europian, aty ku synojnë të jenë anëtare një ditë vendet e Ballkanit të Hapur, por edhe të Ballkanit Perëndimor në tërësi, e ka mbështetur këtë nismë, posaçërisht për aspektin e saj ekonomik. Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi deklaroi në qershor se “Ballkani i Hapur” është një mundësi e mirë për rajonin, duke shtuar se po ashtu mund të jetë një mundësi për përshpejtimin e rrugës drejt integrimit në BE.
“Pyetja kyçe e qytetarëve është se kur do të jetojmë siç jetojnë në Evropë? Kur do t’i kemi mundësitë e njëjta ekonomike, shoqërore, siç i kanë njerëzit në BE? Dhe kur do të përjetojmë që të gjithë barrierat të eliminohen mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor? Ky është integrimi vërtetë. Dhe integrimi i vërtetë fillon me ekonominë dhe fillon me shoqërinë,” deklaroi Varhelyi.
Analisti Ben Andoni duke analizuar deklaratat e Gjukanoviçit thotë se është hipotetike sepse sipas tij, fuqia e SHBA-së në vendet tona është gati e barabartë me sovranitetin dhe ata janë garant të pavarësisë së Kosovës, kurse në Shqipëri kanë dy baza të mëdha. Çdo vendim në administratën tonë me karakter strategjik kalon dhe në filtrat e SHBA-së. Kjo e bën hipotetike çdo qasje ndryshe, thotë ai.
“Kurse BE-ja kursen energjitë për projekte të bashkëpunimit rajonal dhe intensifikimin e asistencës së veçantë. Në rast se do ketë një shkallë integrimi më të plotë edhe të vendeve të tjera, atëherë dhe fuqia ekonomike e përbashkët do të ç’davarisë shumë probleme, por edhe do të lehtësojë ndihmën e BE-së. Deri më sot, përfitimet janë të vogla, kurse vendet kanë përballë opozita shumë agresive, që pengojnë çdo pjesë integrimi, paçka se në Shqipëri, Bosnjë, Maqedoni e Veriut, e Mal të Zi, opozitat kanë pasur marrëdhënie shumë specifike me Serbinë”, argumenton Andoni për Faktoje.
Me Serbinë dhe Malin e Zi që i kanë hapur negociatat për anëtarësimin në BE dhe së fundi dhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut që e tejkaluan pritjen e gjatë; si dhe duke patur parasysh intensifikimin e vëmendjes së SHBA, që ka edhe një të emisar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, skenarët e gjenocidit nga Ballkani i Hapur, për të cilat flet Gjukanoviç, apo ndarjen e Kosovës nga kjo nismë, që artikulohet nga Berisha, janë të pamundur të realizohen, pa dijeninë vigjilente në Uashingtonit dhe Brukselit.
LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË:
Analizë/Ballkani i Hapur nuk është projekt pro-rus, por rreziqet nuk mungojnë
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor
Editor: Viola Keta