.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaA do jenë gati në 2-vjetorin e tërmetit pallatet në Thumanë e Kavajë?

A do jenë gati në 2-vjetorin e tërmetit pallatet në Thumanë e Kavajë?

Asnjë banesë kolektive (pallat) nuk është përfunduar, kur ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe kanë dështuar njëri-pas tjetrit disa afate të premtuara nga qeveria. Për 4 pallate në Thumanë dhe 4 në Kavajë, ka përfunduar afati i projektit në tabelat e rindërtimit që gjenden në kantiere. Nga verifikimi në terren dhe biseda me inxhinierët e projekteve, që Faktoje bëri në javën e parë të qershorit, këto objekte parashikohen të dorëzohen jo më herët sesa vjeshta apo fundi i këtij viti.

Strehimi përfundimtar i banorëve të dëmtuar nga tërmeti është një nga hallkat më të rëndësishme të rindërtimit, por njëkohësisht edhe më të zvarriturat, ashtu siç kemi raportuar në mënyrë të vazhdueshme.

Faktoje shkoi në Thumanë më 2 qershor, pak ditë pasi kishte skaduar afati për ndërtimin e 4 prej pallateve, siç është e përcaktuar në tabelën e vendosur në kantier.

Tabela e ndërtimit të 4 pallateve në Thumanë, 2 qershor 2021

Kjo tabelë, e vendosur në një nga kantieret e Thumanës, përcakton se rindërtimi i 4 njësive të banimit, me vlerë 434.500.034 lekë, do të fillonte më 16 dhjetor 2020 dhe do të përfundonte brenda 160 ditëve kalendarike, rreth 5 muaj e gjysmë. Ditën që bëmë verifikimin në kantier kishin kaluar ekzaktësisht 169 ditë kalendarike, që nga data e fillimit të punimeve. Megjithatë, nga vëzhgimi konstatuam se puna për ndërtimin e këtyre objekteve donte ende kohë të përfundonte.

Kantieri i rindërtimit në Thumanë, 2 qershor 2021

Ne biseduam me inxhinierin e zbatimit të projektit, i cili renditi disa arsye, kryesisht teknike, përse ndërtimi i objektit po merrte më shumë kohë.

“Një soletë, minimumi do dy javë që betoni të arrijë fortësinë e duhur që të mund të punohet më pas në katin sipër. Objekti më i vogël këtu ka 5 soleta, dhe duhen minimumi 2 muaj e gjysmë deri në 3 muaj vetëm që të ngrihet karabinaja.” – u shpreh ai për Faktoje.

Kantieri i rindërtimit në Thumanë, 2 qershor 2021

Në këto 4 pallate do të përfshihen 113 apartamente, dhe 30 mjedise shërbimi në katet përdhe. Apartamentet do të jenë 1+1, 2+1 dhe 3 +1, me sipërfaqe që variojnë nga 60m2 deri në 112 m2.

I pyetur se kur parashikohet të përfundojë rindërtimi i pallateve, inxhinieri dha si afat fundin e këtij viti.

Kantieri i rindërtimit në Thumanë, 2 qershor 2021

Ne verifikuam edhe ecurinë e punimeve për ndërtimin e pallateve të reja në Kavajë, në raport me afatet e vendosura. Ashtu si në Thumanë, edhe atje ka skaduar një nga afatet e vendosura në tabelat e ndërtimit, për 4 nga 7 pallatet që planifikohen të ndërtohen në këtë zonë.

Tabela e ndërtimit të paketës A në Kavajë, 2 qershor 2021

Kjo tabelë jep informacion për 4 nga pallatet që do të ndërtohen në Kavajë dhe që kapin një vlerë prej 705,700,000 lekësh. Sipas të dhënave punimet për këto pallate kanë filluar në dhjetor të vitit 2020 dhe duhej të përfundonin brenda majit të vitit 2021. Megjithatë, situata në terren më 2 qershor 2021, na tregoi se kishte ende punë për t’u bërë deri në përfundimin e këtyre objekteve.

Kantieri i rindërtimit në Kavajë, 2 qershor 2021

Kantieri i rindërtimit në Kavajë, 2 qershor 2021

Këto 4 godina do të jenë 6 kate mbi tokë, dhe do të ofrojnë strehim për 153 familje.

Ne pyetëm inxhinieren supervizore se kur do të përfundonte puna për rindërtimin 4 objekteve. Përgjigjja e saj na konfirmoi se afati i vendosur në tabelë do të tejkalohet me të paktën 4 muaj.

“Puna pritet të përfundojë në shtator për të katërta pallatet dhe do të dorëzohet i gjithi si sajt ndërtimi” – tha inxhinierja për Faktoje.

Kantieri i rindërtimit në Kavajë, 2 qershor 2021

LEXO EDHE:

Rindërtimi pas 1 viti: Më pak shtëpi se ç’u premtuan, më shumë bonuse qeraje

Në Thumanë të prekurit me Covid rrezikohen nga jetesa në çadra, bonusi përdoret për ushqim e ilaçe

Rindërtimi me ‘hapin e breshkës’ në Kavajë, vetëm 6 shtëpi të rindërtuara nga 133

Spiropali: Brenda shtatorit nis ndërtimi i pallateve të reja në Kavajë e Golem

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img