BallinaProjekteRindërtimi dhe pandemia në Shqipëri: Fakte dhe të dhënaRindërtimi pas 1 viti: Më pak shtëpi se ç'u premtuan, më shumë bonuse qeraje

Rindërtimi pas 1 viti: Më pak shtëpi se ç’u premtuan, më shumë bonuse qeraje

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, nuk arrijnë t’i mbajnë premtimet mbi rindërtimin, të cilat ndryshojnë pas çdo daljeje publike. Pas 13 muajve, nga 1 mijë banesa të premtuara deri në fund të vitit 2020, vetëm 600 prej tyre janë përfunduar, në një kohë që premtimi fillestar i kryeministrit ishte rindërtimi i 4000 mijë banesave individuale brenda 2020. Por ndërsa qeveria ka synuar uljen e numrit të familjeve që përfitojnë bonus qeraje, Faktoje ka verifikuar që ky numër nuk është ulur, por është shtuar edhe pse numri i familjeve që trajtoheshin me bonus qeraje dhe qëndronin në çadra eshtë ulur. Më 11 maj të vitit 2020 12,951 familje përfitonin bonus qeraje. Në dhjetor të 2020 numri shkon në 13,325.


2 shkurt, kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, zoti Arben Ahmetaj, në konferencën e përjavshme me ekonominë në fokus,u përqëndruan në çështjen e rindërtimit.

Ministri Arben Ahmetaj u përballë me premtimet dhe afatet e shkelura për rindërtimin në Fushë-Krujë, ashtu siç kemi shkruar edhe më parë. Por pyetjes nëse do të ketë sërish shtyrje të afatit, siç ishte bërë përgjatë muajve të fundit, për dorëzimin e shtëpive individuale në Fushë-Krujë, apo nëse çelësat do t’u dorëzoheshin banorëve në muajin mars, siç ishte premtuar së fundit, kryeministri Rama nuk lejoi që ministri Ahmetaj t’i përgjigjej.

“Nuk ka nevojë të zgjatet ministri fare, i ke aty te gjitha (në prezantim).

Ki parasysh që mes kohës së angazhimeve tonë dhe kohës pas u fut Covid-i, i cili vonoi shumë procese.” – tha kryeministri Rama.

Por edhe për sa i përket pjesës së dytë të përgjigjes së kryeministrit Rama, vonimit të proceseve nga Covid-i, ajo nuk qëndron për këtë rast. Premimet e bëra për Fushë-Krujën nga ministri Ahmetaj dhe kryeministri Rama, siç ilustrohet edhe në artikullin e Faktoje janë bërë në muajt korrik, tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2020, pra shumë muaj pasi pandemia kishte prekur vendin tonë.

Por, edhe nëse këto premtime do të ishin bërë përpara se Covid-i të vinte, sërish pandemia nuk do të mund t’i shërbente kryeministrit Rama si alibi. Më 16 mars, një javë pasi pandemia kishte prekur vendin tonë, ishte kreu i qeverisë ai që u zotua se plani për rindërtimin nuk do të shtyhej e nuk do të ndryshonte nga Covid. Më vonë Faktoje raportoi tërheqjen e kryeministrit Rama nga ky pretendim.

Por këto nuk ishin të vetmet problematika që konferenca për rindërtimin nxorri në pah.

Banesat individuale

Në konferencën e datës 2 shkurt, ministri Ahmetaj bëri të ditur se deri në dhjetor 2020 ishin hapur 2000 kantierë të banesave individuale, 1389 nga FSHZH dhe 611 nga Bashkia Tiranë. Deri në fund të vitit ishin përfunduar 600 shtëpi individuale.

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 2 shkurt 2021

Për sa i përket ndërtimit të banesave individuale, afati është shtyrë disa herë. Më 28 shkurt 2020 , kryeministri kishte premtuar se së paku 4000 banesa individuale do të përfundonin brenda këtij viti. Por prekjes nga pandemia, më 19 nëntor të 2020, 8 muaj me pas ministri Ahmetaj siguroi kreun e qeverisë se nga 4 mijë banesa te premtuara do te mund te perfundonin vetem 1 mijë banesa  individuale do përfundonin deri në fund të vitit 2020.

Por as ky premtim nuk arrihet te mbahet I plote. Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga ky afat, ministri Ahmetaj bën me dije se rreth 600 shtëpi individuale kanë përfunduar, pak më shumë se gjysma e asaj që kishte premtuar në muajin nëntor. Në këtë mënyrë, ky bëhet vetëm premtimi i radhës i shkelur nga qeveria për banesat individuale

Bonusi i qerasë

 Më 11 maj të 2020 12,951 familje përfitojnë bonus qeraje. Në dhjetor të 2020 numri shkon në 13,325.

Ndërsa jepte të dhënat e përditësuara mbi rindërtimin, ministri Ahmetaj u ndal edhe tek akomodimi i përkohshëm, ku spikaste çështja e bonusit të qerasë.

 Ndër pritshmëritë e qeverisë për sa i përket bonusit të qerasë ka qenë ulja me kalimin e kohës të numrit të personave që e përfitojnë, për shkak se këto familje do të futeshin në shtëpitë e tyre të reja me progresimin e procesit të rindërtimit. Por, në kundërshtim me çdo parashikim të mundshëm, numri i personave që përfitojnë bonusin e qerasë është rritur.

11 maj, gjatë një videokonference me donatorët mbi ecurinë e procesit të rindërtimit, ministri Ahmetaj tregonte se 12,951 familje përfitonin bonus qeraje.

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 11 maj 2020

Në dhjetor 2020, 7 muaj pas raportimit nga ministri Ahmetaj, numri i familjeve që përfitonin bonus qeraje është rritur në 13,325. Ky numër duhej të ulej veçanërisht edhe për faktin se është ulur numri i familjeve që qëndronin në çadra, të cilat janë trajtuar gjithashtu me bonus qeraje. Nga 2,708 familje që raportoheshin në çadra në muajin maj, vetëm 680 prej tyre vazhdonin të qëndronin në to në dhjetor.

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 2 shkurt 2021

Objektet arsimore

 Ministri Ahmetaj foli edhe për objektet arsimore duke thënë se deri në dhjetor 2020 ishin futur në procesin e rindërtimit 160 objekte arsimore në 11 bashki. Nga këto 160 objekte arsimore, 25 shkolla ishin përfunduar deri në fund të vitit 2020.

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 2 shkurt 2021

Rezultati për fundin e vitit 2020 është shumë larg asaj që ishte premtuar fillimisht nga kryeministri Rama sipas së cilës të gjitha shkollat do të ishin gati për fillimin e vitit të ri mësimor. Por kjo nuk përmbush as parashikimet që qeveria bëri kur vendi ynë ishte në mes të luftës me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi. Më 24 prill, ministri Ahmetaj premtoi se mbi 40 shkolla do të ishin përfunduar brenda datës 1 nëntor 2020.

“Brenda 1 nëntorit kjo parti shkollash do të ketë mbaruar, që janë mbi 40. Duhej të ishin 59, por 22 i ka marrë UNDP, të cilat po i ndjekim paralel.” – tha zoti Ahmetaj në një takim online mbi rindërtimin.

Dy muaj pas skadimit të afatit, edhe ky premtim i qeverisë për rindërtimin nuk është përmbushur.

LEXO EDHE: Në Thumanë të prekurit me Covid rrezikohen nga jetesa në çadra, bonusi përdoret për ushqim e ilaçe

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img