Asnjë provë për ekzekutimin e dy ish-presidentëve Obama e Biden

6

Pretendimi: Ish-presidentët amerikanë Barack Obama dhe Joe Biden janë ekzekutuar fshehtasi pas një ceremonie të inskenuar të inaugurimit presidencial dhe zbulimit të tuneleve nëntokësore për armë biologjike nën një pronë në Ukrainë

Verdikti: E paprovuar

———————————————————————————–

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi (arkivuar këtu) i jashtëzakonshëm se dy ish-presidentët amerikanë Barack Obama dhe Joe Biden janë ekzekutuar në fshehtësi pas një ceremonie të inskenuar të inaugurimit presidencial në 2021 dhe zbulimit të tuneleve nëntokësore për armë biologjike nën një pronë në Ukrainë.

Si zakonisht, për të mbështetur këto pretendime të jashtëzakonshme nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak e jashtëzakonshme.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

Faktoje gjeti se postimi i mësipërm është përkthim nga anglishtja i një postimi të 10 nëntorit 2026 nga një Steve Osborn, i cili duket se poston rregullisht teori konspirative pa provat për t’i mbështetur ato.

Barack Obama shërbeu si president i ShBA nga viti 2008 në 2017, si afro-amerikani i parë që mbante këtë pozicion në historinë e vendit. Pas përfundimit të dy mandateve, ai vijoi të ishte aktiv në politikë, duke bërë fushatë për kandidatët demokratë në zgjedhje të ndryshme në ShBA, përfshi dhe fushatën presidenciale të ish-zëvendësit të tij, Joe Biden, i cili u zgjodh në 2020.

Së fundmi, më 25 nëntor 2026, ai dhe e shoqja, Michelle Obama, u shfaqën publikisht duke iu bashkuar Dion’s Chicago Dream, një organizate që përpiqet të luftojë pasigurinë ushqimore, për të ndihmuar në paketimin e kutive me ushqime që do të shpërndaheshin me rastin e Ditës së Falenderimeve.

Barack dhe Michelle Obama, Chicago, 25 nëntor 2026

Joe Biden ka shërbyer si zëvendëspresident i ShBA nga viti 2009 në 2017. Ai u betua si presidenti i 46 i ShBA në Janar 2021 dhe shërbeu deri më 2025.

Më 18 maj 2025, zyra e Biden njoftoi se ai ishte diagnostikuar me kancer agresiv të prostatës me metastaza në kocka. Në shtator 2026, Biden njoftoi se trajtimi me rrezatim, të cilin e kishte marrë për kancerin e prostatës vjeshtën e kaluar, “kishte dhënë rezultatin e synuar” dhe se mjekët kishin ndihmuar në vënien e sëmundjes nën kontroll.

Më 10 nëntor 2026 Biden dhe e shoqja Jill vizituan Trinity College në Dublin ku djali i tyre, Hunter, u nderua me Medaljen e Artë për Kontribut të Shquar në Diskursin Publik.

Joe Biden (djathtas) me të birin Hunter (majtas), Dublin, Irlandë, 10 nëntor 2026

Më 11 nëntor 2026, media amerikane People botoi një intervistë 15 minutëshe me Biden.

Qartazi, asnjëri nga dy presidentët nuk është ekzekutuar fshehurazi dhe të dy vijojnë të jenë gjallë.