Pretendimi: Një student shqiptar 25-vjeçar mori çmimin më të lartë mjekësor për zbulimin e një metode unike të rigjenerimit të plotë të nyjeve pa operacion, në çdo moshë
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————————
Një faqe interneti (arkivuar këtu) e dizenjuar për të ngjarë si një botim i mirëfilltë akademik mbi shëndetin pretendon se një student shqiptar i quajtur Erion Shehu mori çmimin më të lartë mjekësor për zbulimin e një metode unike të rigjenerimit të plotë të nyjeve pa operacion, në çdo moshë. Artikulli është i ndërtuar si një “reportazh i veçantë.”

Megjithatë, e gjithë faqja, historia që të ngroh zemrën dhe personazhi i Erion Shehut janë të rreme. Ato janë shpikur me qëllim reklamimin dhe shitjen e një produkti që pretendohet se shëron dhimbjen e nyjeve tek të moshuarit.
Në brendësi të ‘artikullit’, të gjitha rrugët të çojnë tek një produkt, të cilin mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 7800 lekë, ose 3900 lekë me ulje.
Imazhi i “Erion Shehut” në krye të artikullit është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI), siç konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Njësoj, edhe imazhet e tjera që pretendohet se tregojnë studentin dhe gjyshen e tij, drejtorin e Institutit të Kërkimeve për Reumatologjinë dhe Kirurgjinë e Nyjeve Dr. Gjergj Leka, dhe grupin e kërkimit që punoi me Erionin për zhvillimin e formulës.



Me gjasa, e gjithë faqja, përfshi dizajnin, tekstin, dhe imazhet, është gjeneruar me AI.
Duket se faqja është një version i skemave që përpiqen të mashtrojnë qytetarët duke përdorur artikuj, histori dhe mjekë të rremë me qëllim shitjen e një produkti, e krijuar, tashmë edhe më lehtë, me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Faktoje ka verifikuar edhe më parë faqe të rreme të krijuara vetëm me qëllim marketingun e fshehtë dhe shitjen e të njejtit produkt.






