Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria mund të përfundojë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian vitin e ardhshëm.
Në një konferencë për mediat pas përfundimit të punimeve të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që u mbajt në Tiranë, Kos theksoi se procesi i zgjerimit të BE-së është në lëvizje.
Edhe kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët me të, tha se sipas tij, Shqipëria është më afër se asnjëherë anëtarësimit në BE.
I pyetur se përse Shqipëria ende nuk është anëtarësuar në BE pas 13 vitesh qeverisjeje, Rama tha se procesi i integrimit nuk funksionon me një datë të paracaktuar, pasi çdo hap kërkon dakordësinë e 27 vendeve anëtare.
Sipas tij, afatet mund të vendosen si objektiva, por mund të ndryshojnë në varësi të ecurisë së negociatave dhe vendimmarrjes së vendeve anëtare.
Rama iu referua progresraportit të fundit të Komisionit Europian, ku sipas tij, për herë të parë është përfshirë referenca për nisjen e përgatitjes së traktatit të anëtarësimit gjatë vitit të ardhshëm.
Ai e cilësoi hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave në një kohë rekord si rezultat të përmbushjes së detyrimeve nga Shqipëria dhe vlerësimit të vendeve anëtare.
“Jemi më afër se asnjëherë, por çdo ditë duhet të punojmë sikur të jemi më larg se asnjëherë”, u shpreh Rama.
Sipas tij, Shqipëria nuk kërkon privilegje, rrugë të shkurtra apo tolerim nga institucionet europiane, por synon të përmbushë të gjitha detyrimet që burojnë nga procesi i integrimit.
Ai shtoi se reformat nuk kryhen thjesht për të plotësuar kërkesat e Brukselit, por janë të domosdoshme për modernizimin e vendit, forcimin e shtetit dhe konsolidimin e institucioneve.
“Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, asnjë rrugë të shkurtër dhe as mbyllje sysh. Kërkojmë vetëm të marrim përsipër detyrat tona dhe t’i përmbushim ato në maksimum”, tha Rama.

Marta Kos: Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave të parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian.
Si rezultat i këtij progresi, vendi është kualifikuar për 185.6 milionë euro financim shtesë. Kos e vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në zbatimin e reformave dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të tyre për avancimin e procesit të integrimit europian.
Komisionerja iu referua vitit 2027 si një vit të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, duke nënvizuar se përparimi do të varet nga rezultatet konkrete dhe përmbushja e angazhimeve të marra.
“Ne kemi thënë që Shqipëria mund t’i përmbyllë kapitujt e negociatave nëse do të ketë rezultate në reforma dhe nëse shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë. Nëse ndodhin këto, vitin e ardhshëm, rreth kësaj kohe, do të jemi shumë pranë fundit të negociatave.
Hapi i mëtejshëm do të jetë që, kur gjysma e kapitujve të mbyllen, shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, që mund të nënshkruhet në vitin 2028. Varet nga vizioni i qeverisë suaj, ratifikimi, edhe vizioni i qytetarëve. Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030″ tha Kos.
SEPA, 20 milionë euro kursime për qytetarët dhe bizneset në 11 muaj
Gjatë konferencës, Rama foli edhe për përfitimet nga integrimi i Shqipërisë në sistemin europian të pagesave SEPA.
Sipas të dhënave të bëra publike prej tij, gjatë 11 muajve të parë janë përpunuar 788 mijë transaksione, me një vlerë totale prej 8.7 miliardë eurosh.
Rama deklaroi se qytetarët dhe bizneset shqiptare kanë kursyer deri tani 20 milionë euro nga kostot e transfertave, ndërsa potenciali i kursimeve mund të arrijë deri në 71 milionë euro në vit.
Përfshirja në këtë sistem ka mundësuar uljen e kostove të transfertave ndërkufitare dhe lehtësimin e pagesave mes Shqipërisë dhe vendeve europiane.
Një tjetër njoftim i bërë nga Rama gjatë konferencës lidhej me përfitimin e Shqipërisë nga rishpërndarja e fondeve të Planit të Rritjes, përmes së cilës vendi do të marrë 15% fonde shtesë nga shumat që vendet e tjera të rajonit nuk kanë arritur të përthithin.
Plani i Rritjes është instrumenti financiar i Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, që synon përshpejtimin e reformave, zhvillimin ekonomik dhe afrimin gradual të rajonit me tregun e përbashkët europian. Financimi lidhet me përmbushjen e angazhimeve dhe reformave të përcaktuara për secilin vend.
Ulja e tarifave të roaming-ut, objektiv për vitin 2027
Rama deklaroi se një tjetër objektiv është ulja e tarifave të roaming-ut me vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2027.
Sipas tij, negociatat për këtë çështje kanë nisur në muajin tetor, me synimin që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë nga kosto më të ulëta të telefonisë celulare gjatë udhëtimeve në vendet e BE-së.
Ai e cilësoi këtë si një tjetër hap drejt integrimit gradual në tregun europian, duke theksuar se përfitimet e këtij procesi duhet të ndihen nga qytetarët dhe përpara anëtarësimit të plotë.
Katër drejtimet e integrimit ekonomik të rajonit
Duke folur për diskutimet e zhvilluara gjatë samitit, Rama tha se ato u përqendruan në katër drejtime kryesore: reformat, integrimin në tregun e përbashkët europian, investimet dhe inovacionin, si dhe zhvillimin e infrastrukturës rajonale.
Në drejtim të reformave, ai veçoi forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e qeverisjes, krijimin e një mjedisi konkurrues për biznesin dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër e digjital.
Sa i përket integrimit në tregun e përbashkët europian, Rama tha se vëmendja u përqendrua te zgjerimi i mundësive dhe përfitimeve për qytetarët dhe bizneset e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Një tjetër shtyllë ishte nxitja e investimeve dhe inovacionit, përmes bashkëpunimit mes bizneseve dhe mbështetjes së Bashkimit Europian. Ndërsa në fushën e infrastrukturës ai shtoi se u diskutua për zhvillimin e korridoreve të transportit, interkonjeksioneve energjetike dhe rrjeteve digjitale.
Sipas Ramës, forcimi i lidhjeve mes ekonomive të rajonit dhe integrimi i tyre më i madh do të krijojnë mundësi për zhvillim të përbashkët.
Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë u zhvillua në kuadër të zbatimit të Planit të Rritjes së BE-së, me fokus përshpejtimin e reformave dhe integrimin gradual ekonomik të rajonit përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Pagesat për Shqipërinë
Në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian, Shqipëria ka përfituar deri më tani 212.8 milionë euro në tre disbursime, përfshirë parapagimin fillestar.
Shuma përbëhet nga 64.5 milionë euro të lëvruara në mars 2025, 99.3 milionë euro në tetor 2025 dhe 49 milionë euro në maj 2026.
Nga kësti i fundit, 22.8 milionë euro kaluan drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, ndërsa 26.2 milionë euro u vunë në dispozicion për projekte investimi përmes WBIF-së, (Western Balkans Investment Framework).
Këto fonde janë pjesë e një pakete financiare prej 922.1 milionë eurosh, ku disbursimi kushtëzohet nga përmbushja e reformave të dakordësuara me BE-në.






