Asnjë bazë për laboratorët e fshehtë mjekësorë në Ballkan

6

Pretendimi: Në laboratorë nëntokësorë në Ballkan jane kryer eksperimente mjekësore nën emrin “Objekti 505”

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————————

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi (arkivuar këtu) se, nën emrin e koduar “Objekti 505”, një rrjet shkencëtarësh dhe virologësh të huaj kryen një seri studimesh dhe eksperimentesh mjekësore të padeklaruara në laboratorë nëntokësorë në Ballkan, me qëllim krijimin e një mburoje biologjike sekrete në rast të një sulmi global.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

Megjithëse teksti, dukshëm i shkruar me anë të inteligjencës artificiale, pretendon zbulimin e “disa dokumenteve konfidenciale të deklasifikuara nga arkivat ushtarake,” këto nuk tregohen apo referohen. 

Përveç emrit të koduar “Objekti 505” nuk jepet asnjë detaj identifikues si koha dhe vendi ku kanë vepruar këto laboratorë të pretenduar.

Emri i koduar “Objekti 505” nuk i referohet ndonjë laboratori sekret, por Bazës Ajrore Zeljava, bazës ushtarake ajrore dhe hangarit nëntokësor më të madh në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, si dhe një nga më të mëdhatë në Evropë.

E vendosur në kufirin midis Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, nën malin Gola Pljesevica, ngritja e saj nisi në 1948 dhe përfundoi në 1968.

Në po atë vit, aerodromi u dokumentua nga vëzhgimi satelitor amerikan CORONA.

Gjatë atyre 20 viteve, Jugosllavia shpenzoi përafërsisht 6 miliardë dollarë për ndërtimin e bazës. Ky ishte një nga projektet më të mëdha dhe më të kushtueshme të ndërtimit ushtarak në Europë.

Roli i këtij objekti ishte të krijonte, integronte dhe koordinonte një rrjet radari për paralajmërim të hershëm në shkallë kombëtare në Jugosllavi. Kompleksi u projektua dhe u ndërtua për t’i bërë ballë një goditjeje të drejtpërdrejtë nga një bombë bërthamore prej 20 kilotonësh, e barabartë me atë të hedhur mbi Nagasaki.

Depo nëntokësore e bombave dhe raketave në Zeljava

Baza u përdor intensivisht në 1991, gjatë Luftërave Jugosllave. Gjatë tërheqjes së saj, Ushtria Popullore Jugosllave e shkatërroi pistën duke mbushur me eksploziv hapësira të parapërgatitura, të projektuara për këtë qëllim, dhe duke i shpërthyer ato. Për të parandaluar çdo përdorim të mëtejshëm të kompleksit nga forcat kroate dhe boshnjake, Ushtria Serbe e Krajinës e përfundoi shkatërrimin në vitin 1992, duke shpërthyer edhe 56 tonë të tjerë eksploziv.

Përmasat e shkatërrimit të ndërtesave dhe pajisjeve në bazë janë të pallogaritshme dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha mjedisore.

Forcat vendase të policisë aktualisht e përdorin zonën për të stërvitur qen duke përdorur mina tokësore të vërteta, duke pasur parasysh numrin e madh të minave që ndodhen ende në afërsi. Në nëntor 2000, një major i Forcave Ajrore të Bosnjës vdiq pasi shpërtheu një minë antinjeri e tipit PROM-2, ndërsa ishte duke kërkuar kërpudha.

Sot, kushdo i interesuar mund të prenotojë një tur të tuneleve të Zeljava dhe ta vizitojnë vetë atë.