Spiropali sfidon Ramën: PS nuk ka kryetar të përjetshëm

Nga Kryesia e Kuvendit, ish-ministrja e Jashtme kërkon hapjen e garës në PS

6
Elisa Spiropali, ish-ministrja e Jashtme gjatë konferencës për mediat te Kryesia e Kuvendit

Një ditë pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar dhe forumet e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali mbajti një qëndrim të gjatë politik në një konferencë për mediat nga kryesia e Kuvendit.

Ish-kryeparlamentarja preku krizën e brendshme të PS, përqendrimin e pushtetit te një individ, raportin me Edi Ramën, reformën zgjedhore, protestat qytetare, drejtësinë, SPAK-un dhe të ardhmen e Partisë Socialiste.

Deklaratat e saj shënojnë një nga kritikat më të drejtpërdrejta publike ndaj mënyrës së drejtimit të PS-së dhe qeverisjes, duke pranuar njëkohësisht edhe përgjegjësinë e saj për modelin politik që është ndërtuar ndër vite.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

Përjashtimi

Spiropali e cilësoi përjashtimin e saj si një zhvillim të pazakontë politik dhe tha se nuk ndihet e tërhequr nga vendimi i marrë ndaj saj.

“Unë jam e para grua në 35 vjet dhe po e marr si dekoratë këtë meqë jam edhe kryetarja më e re e zgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë. Duke qenë edhe gruaja e parë e përjashtuar nga një parti në 2026 për arsye të qëndrimeve të mia, nuk duhet të çuditemi fare. Nuk ka asgjë, për sa kohë që ata që duhet të ikin, rrinë dhe ata që duhet të rrinë, ikin. Mendoj se do të shohim edhe shumë të tjera, sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë delikate”, – u shpreh ajo

Sipas saj, vendimi për përjashtimin është marrë pa një proces të rregullt, pa votim të mirëfilltë dhe pa i dhënë asaj mundësinë të dëgjohet.

Ajo pretendoi se në mbledhjen e Grupit Parlamentar nuk kishte pasur një pikë të rendit të ditës për votimin e përjashtimit dhe se rreth 40 deputetë nuk e kishin ngritur dorën.

“Ai vendim është nul, sepse partia nuk është një person. Është shumësia”, tha ajo  

Spiropali theksoi gjithashtu se nuk do të heqë dorë nga mandati i deputetes.

Kritikat ndaj Edi Ramës

Një nga pikat më të forta të deklaratës ishte kritika ndaj përqendrimit të pushtetit në duart e një individi.

Spiropali pranoi se edhe vetë ka përgjegjësi për konsolidimin e këtij modeli politik, të cilin e përshkroi si parti, qeveri dhe pushtet të një njeriu.

“Kam edhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit të personalizuar dhe partisë së një njeriu, qeverisë dhe pushtetit të një njeriu”.  

Sipas saj, problemi nuk është thjesht raporti personal me Edi Ramën, por mënyra se si është ndërtuar dhe funksionon pushteti.

Në këtë kontekst, ajo dha një nga mesazh të qartë: “Pushteti nuk mbahet nga muret, por nga besimi, respekti njerëzor dhe legjitimiteti”. 

Paralajmëroi se mandatet parlamentare nuk janë garanci për jetëgjatësinë e një pushteti, nëse ky i fundit humbet besimin e qytetarëve.

Gara për drejtimin e PS

Spiropali kërkoi hapjen e garës për kryetarin e Partisë Socialiste, duke vënë në diskutim modelin e drejtimit të partisë gjatë 17 viteve të fundit.

Ajo tha se nuk ka arsye që gara për drejtimin e PS-së të mbetet e mbyllur dhe se duhet t’u jepet mundësia edhe figurave të tjera socialiste të konkurrojnë.

“Të hapet gara në PS pas 17 vjetësh. Ne nuk kemi kryetar të përjetshëm, sado i mirë të jetë”. 

Ajo shtoi se është socialiste, e majtë dhe progresiste dhe se nuk ka ndërmend të largohet nga partia.

Mesazhi i saj ishte se beteja politike do të zhvillohet brenda PS-së dhe jo duke braktisur forcën politike ku ka ndërtuar karrierën.

Reforma zgjedhore

Një tjetër temë e rëndësishme në konferencën e deputetes, ishte nevoja për reformimin e sistemit elektoral.

Spiropali e cilësoi sistemin aktual si një sistem që ka prodhuar stanjacion politik dhe ka kufizuar mundësitë e përfaqësimit të qytetarëve.

“Sistemi elektoral është moçal politik”, tha ajo. 

Sipas saj, politika shqiptare ka humbur lidhjen me nevojën e shoqërisë për përfaqësim më të gjerë dhe për qarkullim të elitave politike.

Ajo argumentoi se demokracia nuk mund të reduktohet në zgjedhje periodike, por duhet të garantojë konkurrencë, liri dhe mundësi reale për ndryshim.

Duke ngritur shqetësimin për përdorimin e institucioneve në funksion të kontrollit të zërave kritikë, ajo tha se problemi nuk është vetëm politik, por lidhet me mënyrën se si ushtrohet pushteti dhe si trajtohen qytetarët që kanë qëndrime të ndryshme.

SPAK-u dhe përgjegjësia personale

Spiropali foli edhe për çështjen e kallëzimit anonim dhe raportimet publike që lidhen me të.

Ajo i cilësoi këto zhvillime si një tymnajë politike dhe mediatike, duke deklaruar se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se nuk është e shantazhueshme.

“Një, pesë, dhjetë kallëzime, le të bëjnë çfarë të duan. Mos e përfshini SPAK-un në këtë diskutim. Sa të duan të bëjnë kallëzime, unë nuk kam asgjë për të fshehur. Këtë betejë e kam bërë se nuk jam e shantazhueshme. Nuk më bëjnë dot mua asnjë shantazh”. 

Sipas saj, çështjet që ka ngritur nuk kanë qenë personale. “Unë kam folur vetëm për përdorimin e institucioneve në funksion të shtypjes së çdo lloj zëri dhe qëndrese. Më shumë mund t’i vlejë atij që merr gjobë 5 milionë. Unë kam qenë drejtuese politike në shumë vende. Kam edhe unë përgjegjësitë e mia”.

Sipas saj, përballë pakënaqësive publike, zgjidhja duhet të jetë dëgjimi, dialogu dhe gjetja e konsensusit, jo presioni.

“Ka ikur koha kur drejtuesi politik vendoste se kush do të shkonte infermiere në bashki, se kujt do t’i jepej titulli i këshilltarit. O do të zgjedhim më shumë demokraci, o autokraci. O liri, o kontroll”.

Artikulli paraprakAsnjë bazë për laboratorët e fshehtë mjekësorë në Ballkan
Erion Abule
Erion Abule ka përfunduar studimet për Ekonomi/financë në Universitetin e Tiranës. Pas më shumë se një dekade përvojë në gazetën “Sporti Shqiptar”, ka punuar në gazetën “Shqip” dhe si kryeredaktor i “Shqip online” në periudhën maj 2014, deri në qershor 2019 me aktualitetin politik dhe kronikën. Prej 7 vitesh, ka punuar si gazetar në Gazeta Si Online, ku është marrë kryesisht me aktualitetin, kronikën, gjeopolitikën dhe përgatitjen e analizave ndërkombëtare. Në Faktoje.al do të merret me verifikimin e deklaratave publike dhe çështje të institucioneve të drejtësisë.