I montuar ky shkatërrim i kullës në qendrës financiare të Riadit

5

Pretendimi: Kjo video tregon sulmin me raketa ndaj kullës PIF në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————————-

Më 19 nëntor 2026, Mbrojtja Civile Saudite njoftoi se një nga kullat në qendrën financiare të Riadit kishte pësuar dëmtime në disa kate si pasojë e një sulmi Houthi. 

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfoëse, po shpërndahet një video (arkivuar këtu), e cila pretendohet se shfaq momentin e sulmit.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

Kulla e Fondit të Investimeve Publike (PIF) u dëmtua vërtet si pasojë e sulmit në Riad. Kulla përbëhet nga 80 kate dhe është 385 metra e lartë, çka e bën atë ndërtesën më të lartë në Qendrën Financiare të Riadit.

Sipas Reuters, sulmi theu dritaret në katet e shtatë dhe të tetë të kullës dhe përkuli pjesë të fasadës metalike. Po punohet për të zëvendësuar xhamin në vendngjarje dhe dëmtimi është  domethënës, por relativisht i vogël, përshkroi Middle East Eye.

Megjithatë, video e mësipërme nuk është e vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).

Origjina e gjeneruar e videos konfirmohet nga prania e gjurmës SynthID, detektuar nga Gemini, agjenti AI i Google. 

 Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

Agjencia shtetërore e lajmeve saudite SPA ka botuar pamje të vërteta të dëmit që pësoi kulla ku mungojnë gjurmët e shkatërrimit dhe flakët e mëdha që shfaqen në pamjen e gjeneruar.

Foto e botuar nga SPA tregon dëmin që pësoi kulla PIF