Pretendimi: Kjo video tregon dallgë gjigande që përfshijnë bregdetin e Gordon’s Bay në Afrikën e Jugut
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet (arkivuar këtu) se tregon pamje të dallgëve të fuqishme që kanë përfshirë bregdetin e Gordon’s Bay në Afrikën e Jugut.

Për të mbështetur këtë pretendim nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë, veç videos.
Megjithatë, video e mësipërme nuk është e vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).
Video përmban tregues të origjinës së saj së gjeneruar si automjete që ndodhen mbi ndërtesa banimi dhe makina të shpërndara përgjatë bregdetit. Bregu është i mbushur me makina, por nuk shihet asnjë njeri. Uji mblidhet në mënyrë të panatyrshme rreth ndërtesave, pa shkaktuar ndonjë dëmtim të dukshëm strukturor.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është botuar fillimisht në TikTok më 20 nëntor nga llogaria me emër @._._._._940.
Në postimin origjinal, video është etiketuar nga autori si “e gjeneruar me AI.” Llogaria në fjalë duket se poston rregullisht video të gjeneruara dallgësh gjigande dhe fatkeqësish natyrore.

Postimi origjinal gjithashtu nuk përmend Gordon’s Bay apo Afrikën e Jugut.
Nga një kërkim me fjalë kyçe nuk rezultoi ndonjë raportim të fundit mbi dallgë gjigande në Afrikën e Jugut.
Në shtator 2023, pati një baticë të fuqishme pranverore, e cila vuri në rrezik prona dhe automjete në Gordon’s Bay. Megjithatë, pamjet nga ajo baticë nuk përputheshin me skenën në videon e mësipërme.






